Aleksandër Sergejeviç Pushkin: PËR ANËN…
Një çast të mrekulluar ndër mend bie,
kur befas para meje u shfaqe ti,
si një vegim verbues lumturie,
si vezullim plot dritë në zbrazëti.
Mes vuajtjesh, një det melankolie,
në mugëtirë i mbytur, n’agoni,
më sillte zëri yt himne magjie,
ëndrroja kurmin tënd plot hijeshi.
Në vitet gjëmëtare që kaluan,
u tret ëndërr’ e bukur e plot shpresë,
zërin e ëmbël vuajtjet ma shuan,
imazhi ëngjëllor u bë harresë.
Në errësirë, syrgjyn, i shpartalluar,
kur ditët rrokulleheshin në hon,
kur Zot e muza larg kisha dëbuar,
me buzë të ngrirë, pa lotin që sëmbon.
Por ja, vjen ditë e zgjimit të bekuar,
kur ti pranë meje erdhe përsëri
si një vegim verbues, i praruar,
një vezullim plot dritë në zbrazëti.
Më mbushi zemrën time të dërrmuar,
e ëmbla dashuri që u ringjall,
flatrojnë hyjnitë me muzat përqafuar,
buza më qesh e loti rrjedh plot mall.
Shqipëroi Arqile Garo, Janninë, maj 2018.