Pedagogia Helena Halilaj: Duhet të rikthehet gjuha shqipe në universitete
Një kriminel vret një ose dy, një pedagog që merr para vret të ardhmen e një kombi
Albert Z. ZHOLI
Të jesh pedagoge sot është një profesion sa i bukur po aq dhe i vështirë. Cilat janë të veçantat e bukura të këtij profesioni por ato që ju sjellin mëdyshje dhe dyzim?
Universiteti është puna më e magjishme për mendimin dhe përjetimin tim. Fati që të jepet për të shkuar tek dhjetëra studentë njëherësh e bën punën tonë sa hyjnore aq dhe të kujdesshme. Kalimi i njohurive që kemi marrë ne nëpër breza është një udhëtim që kërkon jo vetëm një rrogë mujore por fuqinë e frymëzimit tek të rinjtë. Të jesh në auditor nuk funksionon nëse ti përtej derës ke lënë gjithçka tjetër përveç mendjes dhe misionit. Studenti të stampon në mëndje gjatë, për aftësinë për ta rrëmbyer me vete në burime të reja informative. Një partneritet kimie është dhe mësimdhënia, duhet kombinuar vazhdimisht teoria me diskutimin, mendimi me arsyetimin, dëshmia dhe përjetimi, kërkesa dhe prutshmëria, etj. Sot brezat janë të lirshëm dhe kjo situatë i favorizon shkëmbimet e mendimeve po njëkohësisht duhet pak më shumë vëmendje dhe disiplinë pune nga studentët. Dyzohesh ndonjëherë kur auditori nuk jep aq sa pret, kur nuk shkon gjithçka siç dëshiron, kur ndonjëherë komunikimi nuk rindërton marrëdhënie produktive, kur kupton që roli i pedagogëve nuk është numëruesi kryesor i respektit, etj.
Si do ta komentoni mitmarrjen në radhët e pedagogëve, pse lindi ky fenomen kaq negativ?
Kompromise të tilla janë më të rënda se krimet. Një kriminel vret një ose dy, një pedagog vret të ardhmen, është një vrasës serial mendoj unë. Këtë fenomen e gatuajnë injorantët, blerësit dhe shitësit e lirë qe në këtë rast janë pedagogët.
Si mund të zhduket ai?
Vetëm me ndërgjegjësim, rritje të pagave dhe dëshmi të rrëfyera për ata që bëjnë vepra të tilla.
Je tunduar nga mitmarrja?
Nuk bëj pjesë në treg të tillë.
Cilat janë problemet e arsimit shqiptar sot?
Gjithmonë ka vend për diskutime dhe ndryshime për përmirsimin e cilësisë së arsimit. Në fillim duhet të rikthehet gjuha shqipe në universitete, thirrje që kam kohë që e kam bërë. Duhet të rriten kushtet dhe pagesat në universitete. Duhet të ketë më shumë mundësi dhe lehtësira studenti. Më tepër vlerësim dhe rritje të autoritetit të pedagogut. Arsimi është shtylla themelore e një kombi, pa të bien tullat e së ardhmes. Arsimi duhet të ketë politika me standarde të vendeve të zhvilluara, tu ngjajmë vendeve që e presin zhvillimin nga rrënjë të sigurta për frytet e të nesërmes.
Vazhdimisht në televizione jeni pjesë e analizës së problemeve sociale. Pse pikërisht je pjesë e kësaj problematike kaq të nxehtë shqiptare dhe çfarë të sjell kjo pjesë si intelektuale?
Unë nuk parakaloj dot nga problemet sociale të vendit tim, të shoqërisë në të cilën jetoj. Jam konsumatore e rregullt pasi jam pjesë e vazhdueshme e zinxhirëve të shqetësimeve dhe dëshirave si të shumë bashkëqytetarëve të mi. Problemet që prekin shumicën me shkundin dhe mua dyshemenë e kohës në të cilën jetojmë. E kam të pamundur të jetoj individualisht kur i përkas së tërës. Individi është prodhim social në ditët e sotme. Intelektualisht më krijon mundësi të njoh forma të reja komunikimi, shkëmbime kulturore dhe formimi të ndryshme, te testoj ku jemi dhe ku pritet të mbërrijmë, njëkohësisht mendoj që brenda problemeve sociale janë plot intelektual që heshtin dhe Shqipëria dergjet në shtratin ku rrinë zgjuar të pangopurit dhe politikanët që shqyejnë sa munden ditët tona të përbashkëta.
Si mund të zbuten sot problemet sociale në Shqipëri?
Zëri revulotiv që fatkeqësisht mungon tek ne. Vetëm ne mund ta ndryshojmë shoqërinë të cilën ne e bëjmë tufë delesh. Politika paguan për heshtjen tonë dhe nusëron gjatë se ne kërcejmë vallen që udhëheqin si duan ata.
Keni menduar të jeni pjesë aktive e politikës dhe çfarë është për ju politika kur shihet që shumë deputetë kanë qenë me akorde kriminale apo kurrë nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve në parlament?
Politika nuk ka më ideale dhe ndërgjegje, duhet tia bëj me hile vetes që ta gjej veten tjetër në marrëveshje me politikën e sotme. Nuk mund të rrjedhin lumenjtë e fateve njerëzore siç duan një grup i caktuar. Politika shqiptare në vitet e fundit është si zgjebja, të zë dhe lufton të shpëtosh prej saj. Në asnjë shoqëri demokratike nuk ka tolerancë të tillë ndaj shtypësit, jemi popull tranzit në jetën tonë, nuk dimë nga shkojmë. Politika e sotme e ka lodhur shoqërinë, të bësh politikë këta e kanë përkthyer jo si formë të drejtuarit po formë të rrënuarit të shpresës së të rinjve që duan më shumë ikjen se atdheun e tyre.
Si do ta komentoje politikën e ashpër shqiptare në vitet e fundit?
Lufta për uzurpim është beteja e fundit. Politika në ditët në të cilat jetojmë ka kokën e një ujku në dimrin e fatit të një kombi, uria përtej çdo limiti po gllabëron të ardhmen. Kemi përballë njerëz që gromësijnë nga mbingopja në fytyrën e pafund njerëzve të tjerë që nuk mbyllin dot muajin, që flenë të trishtuar e zgjohen të pasigurte. Politika sot është ndotja më e madhe në gjithë historinë e kombit tonë.
Që në fëmini, hobi juaj ka qenë poezi në veçanti por dhe krijimtaria në gjini të tjera. Sa ju ka shërbyer në jetë letërsia dhe sot ku e gjeni veten më mirë, në cilën gjini?
Letërsia është e vetmja rrugë në të cilën nuk shkel dot as injoranca, as krimineli, as politikani, as i paudhi. Letërsia mbush me vlerë ditët në të cilat nuk ke asgjë për të shënuar në to. E kam dashuri të pakrahasueshme me asgjë poezinë, aty jam me veten, vetëm me veten time në një badhkëudhëtim të vështirë por plot nur paqeje. Më ka shërbyer deri në skllavëri për të më mbajtur njeri, për të më treguar pasqyrën e vlerave që mbart gjithkund fjala letrare. Poezi është dëshmitare e bindur e çdo gdhendje që koha, fati, zemra të bëjnë gjatë jetës.
Kush kanë qenë nxitësit tuaj shkrimtarë apo poetë brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe kë keni pasur si model?
Letërsia e huaj në larmishmërinë e saj të frymëzon edhe sot edhe mot. Letërsia e huaj ka fuqi të jashtëzakonshme për të transmetuar mesazhe dhe për të ndikuar në botëkuptime njerëzore. Camus, Remarque, Pushkin, Marquez, Dostojevsk, Hygo, etj janë pafund të veçantë në krijimtarinë e tyre. Letërsia jonë patjetër qe ka ndikur tek unë, Fishta, Migjeni, Konica, Marko, Noli, Camaj, Kadare, etj, janë identiteti i vlerave gjuhësore dhe letrare që ne kemi dhe lutem t’i mbajmë fort.