Pse Basha nuk po akuzon Shpëtim Idrizin për masakrën elektorale në Dibër?
Përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “BILD” dje për fushatën elektorale në Dibër, nxorën në pah problemet e mëdha që aty kishte pasur dhe përfshirjen direkte të disa prej figurave më të rëndësishme të PS-së. Sulmet e këtyre dy ditëve kanë qenë të ndërsjella mes PD-së dhe PS-së dhe ajo që ka dalë ‘e larë’ deri më tani është PDIU e Shpëtim Idrizit. Kjo parti që në dy zgjedhjet e fundit ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm në këtë qark, duke nxjerrë një deputet dhe marrë një numër të konsiderueshëm votash, si për çudi nuk përmendet nga askush.
PS që dikur ka qenë në aleancë me PDIU nuk e akuzon Shpëtim Idrizin për blerje votash në Dibër. Të njëjtën gjë bën edhe PD e Lulzim Bashës që nuk ia zë në gojë emrin kësaj partie dhe sot e ka në krahë në çdo protestë. Madje vetë Shpëtim Idrizi që në dy ditët e fundit ka dalë dy herë në konferencë për shtyp, (si rrallë herë), ka folur për çdo gjë që lidhet me situatën politike, por vetëm përgjimet e BILD nuk i ka zënë me gojë. Një tjetër element që shton dyshime në këtë temë është edhe fjala e gazetarit, Artan Hoxha “live” në emisionin “Opinion”, ku deklaroi se shumë shpejt mund të ketë publikim të përgjimeve ku dalin të implikuar edhe aleatë të Bashës në blerjen e votave.
Ky hezitim për të përmendur Shpëtim Idrizin në masakrën elektorale në Dibër ngre shumë pikëpyetje. A mos vallë të dyja partitë kryesore në vend janë ‘peng’ të Shpëtim Idrizit për atë që ka ndodhur në Dibër? Duke pasur parasysh se nga ana organizative apo edhe programore, PDIU do duhej të ishte një parti inekzistente në Dibër dhe ky hezitim për t’i përmendur emrin Shpëtim Idrizit në këtë aferë të rëndë elektorale, lë vend për interpretim, se është pikërisht ai njeriu kyç në blerjen dhe shitjen e votave në këtë qark./FastNewsAlbania.com/