Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: QAN NJË GRUA…

Image result for sadik bejko

Pranë teje qan një grua. Është mbrëmje.
Ti vetmohesh, ndihesh fill e i vetëm në botë.
Bota e madhe me qytetet, me pyjet, shkretëtirat,
Ti vidhisur krejt tek kokrra-kokrra
Një grua thërrmohet në lotë.

Një grua, vetëm grua, grua që qan.
Botën tërë e tëhollon, e tejduk, e shndrin në ca lotë
Qan heshtur, heshtur si më e heshtura:
Nën gurë po shtrydhen rrush te m’e bukura shportë?

Ke vuajtur përbaltjen, përjashtimin
Dhe të shtang ky kullim i pavullnetshëm lotësh
Ke përvojë padrejtësie të thinjur në jetë
Dhe thua: rrjedhin kroje nga lodër e kurdisur?
Dhe thua: ranë qiejt dhe shtrydhën një vresht?

Rrëshekë gurësh nga qiej të padukshëm
Ranë në mospërfillje për gruan prej drite,
Për diellin që e ngrohu, për yjet mbi të zbritur…
Nën peshë të verbër qan një grua,vetëm grua
Në mbrëmjen përkulur nga lotët si vesë e vesitur.

Tej durimit, tej vetëpërmbajtjes një grua
Qan, shtrydhet paqtë, pik e kullon lotë.
Një vreshtë e mrekullueshme nga jeta firohet.
Një formë gruaje,
Një lulevile fashitur, shkelur në kopsht.

Please follow and like us: