Vetingu fshin gjyqtarin Luan Hasnezirin dhe prokurorin Eugen Beci
KPK ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri. Gjatë seancës dëgjimore, KPK konstatoi dyshime mbi blerjen e një apartamenti ndërsa rezultoi gjithashtu se gjyqtarit i ishte refuzuar viza amerikane në vitin 2014. Detaj ky që nuk ishte deklaruar nga ana e Hasnezirit.
Gjyqtari Hasneziri shfaqi pakënaqësi ndaj trupës së KPK, duke e cilësuar si të njëanshme. Ai kërkoi gjithashtu përjashtimin e trupës gjykuese me argumentin se kishte mbyllur hetimet vetëm mbi bazën e dy kritereve. Kërkesë kjo që u refuzua nga KPK.
Nga ana tjetër gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Regleta Panajoti, njëherësh kandidate për Gjykatën Kushteteues, është konfirmuar në detyrë nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në seancën dëgjimore të zhvilluar një ditë më parë KPK, ngriti disa pikëpyetje mbi mundësitë financiare të gjyqtares. Ndaj saj kishte dhe disa denoncime të bëra nga qytetarët, por që sipas KPK, nuk ishin gjetur element për nisje hetimi.
Listës së kandidatëve për SPAK që nuk kanë kaluar Vettingun, i është shtuar dhe prokurori i Krimeve të Rënd Eugen Beci. Ai ka qenë një nga prokurorët që i ka dalë kundër kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, duke refuzuar që të merrte çështjen “Shullazi”. Për këtë arsye, ndaj tij, u nis një hetim disiplinor.