Albspirit

Media/News/Publishing

Kolegji Zgjedhor: Dekreti i Metës për 30 qershorin është i pavlefshëm

Image result for kolegji zgjedhor

Zbardhet vendimi i Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e kërkesës së bërë nga ana e Partisë Uniteti Kombëtar, PUK për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kolegji thotë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit është i pavlefshëm. “Në analizë të vendimit objekt kundërshtimi dhe shqyrtimit të provave të administruara në gjykim, Kolegji çmon si të drejtë dhe të bazuar në ligj vlerësimin e KQZ-së se Dekreti nr.11199, datë 10.06.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm. Në bindjen e Kolegjit Zgjedhor, ky Dekret i dytë, i cili shfuqizon Dekretin e datës 05.11.2018 “Për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore Më datë 30 qershor 2019” është akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, në kuptim të nenit 108, paragrafi 2, germa “a” të Kodit të Procedurave Administrative (KPA) , sipas të cilit: “Akti administrativ është absolutisht i pavlefshëm: a) kur vjen në kundërshtim të hapur dhe flagrant me një dispozitë urdhëruese të këtij Kodi dhe legjislacionit në fuqi lidhur me: i) kompetencën e organit publik”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Kolegji thekson se vetëm ligji mund ta lejojë Presidentin të shfuqizojë datën e zgjedhjeve si ndodhi në 2007, kur Kuvendi u detyrua të ndryshojë Kodin Zgjedhor për ta mundësuar diçka të tillë. Në vijim të këtyre argumenteve Kolegji e konsideron se Presidenti i Republikës përmes anulimit të datës së zgjedhjeve ka marrë kompetencat e Kuvendit. Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor shkojnë më tej, duke thënë në vendim se me anulimin e datës se zgjedhjeve shtetasve shqiptarë, iu mohohet e drejta e votës bazuar, në praktikat e Komisionit të Venecias por edhe mbi parimet bazë të trashëgimisë elektorale evropiane.

Please follow and like us: