Xhoi Jakaj: Koha për njerëz me vlera në politikë, ndryshe tatëpjeta s’ka të ndalur…
Meqë nesër është heshtje elektorale edhe dy gjëra të vockla fare nuk rri dot pa i cekur, pasi janë sa qesharake aq edhe të trishta.
E para: E trishtë.
Letrat e politikanëve drejtuar njeri- tjetrit dhe dobësitë që ata na paskërkan, a thua i hy në punë ndokujt, apo situates-lëmsh që po vete këta e kanë katranosur të gjithë së bashku, në fakt po luajnë kukafshehtasi si fëmijët e adhnuar, por kjo zallamahi iu shkon fare mirë përshat, hidh e prit, mendohu e vepro, si loja e gurëve të shahut kush kap torren apo mbretëreshën.
E dyta: Dhe më e trishtë.
Bashkiakët e zonave rurale që nga njerëz me pamje dhe veshje të thjeshta të një punëtori, me fytyra të djegura nga dielli kur punonin në fusha e male, sot janë shndërruar në sheikë, zotërojnë miliona euro dhe pasuri e prona përrallore të blera brenda dhe jashtë vendit, bijtë e tyre lëvizin me makina 100 mijë euro e lart.
E ndaj tani sulen për të djegur dhe shkatërruar gjithçka, ama flasin dhe në emër të popullit…po diferencën tuaj ekonomike me popullin e keni vëne re ndonjëherë, ku e ka burimin kjo pasuri, apo nga mandatet pa kufizime thjesht dhe vetëm se bëtë shumë para me dallavere e shitje pronash publike e private dhe blini tashmë gjithkënd e gjithçka.
Ja pra në duart e kujt e ka katandisur politika nga Veriu në Jug pushtetin vendor dhe ne presim të zgjedhim bashkiakët e radhës që majmëria e tyre të vazhdojë…
Ah mo popull…sa po të shohin sytë e dëgjojnë veshët!
Një Shqipëri pa rrugëdalje.
Një Shqipëri në udhëkryq.
Me një KQZ gjysmake.
Me një parlament të pa plotësuar në numra, me 121 deputetë kur kushtetuta e thotë qartë që duhen 140.
Po kush pyet më për kushtetutën, kush e mbron atë?!
Pa një Gjykatë Kushtetuese
Me një drejtësi që po ngre organet e domosdoshme të vetingut me paterica dhe nën presionin politik për ta pasur domenin e tyre dhe atë.
E pra vazhdoni dhe votoni se çudira të tjera shqiptare do shihni në vazhdim.
Gjithë këto ditë flitet për popullin e të drejtën e tij për të votuar, ligjet, kushtetutën dhe ligjshmërinë, po kush e ndan kufirin midis ligjshmërisë dhe paligjshmërisë?!…
Edhe pse po kjo politikë e ka shkatërruar Kodin Zgjedhor ku votohet më tepër sigla partiake se individi, është koha të luftojmë për të pasur në krye politikanë të thjeshtë por të arsimuar e me kulturë qytetare, pa tendenca, për një ekonomi shumëmilionëshe në kurrizin tuaj, sepse ata do ju mbrojnë interesat, deri atëhere do vazhdoni të votoni, por me sakrifica do mbuloni faturat e dritave, ujit dhe shportës mujore me ushqime për fëmijët…
Gjithë botë ka bashkiakë që ecin në këmbë, blejnë të njëjtat veshje dhe bëjnë të njëjtin stil jete me popullin që i zgjedh…koha për njerëz me vlera në politikë, ndryshe tatëpjeta s’ka të ndalur…