Mimoza Bici: Është koha për dashuri
Kur jep gjithçka
kupton
kënaqësinë e të tjerëve
Jeton
çfarë po thonë për ty
E ti jep…jep kaq shumë
sa harron se:
Është koha për dashuri!
E lexon pasqyrën
diellin…hënën?
Lexoje zemër, lexoje
e do kuptosh
Është koha për dashuri!
Kur zhveshur rri mbi krevat
me sa veta bën dashuri
Mos bëj si e habitur
në sa duar hidhesh e pritesh
edhe pse pranë ke atë?
Je hallakatur
tërbuar pas aromës tënde
të pambërthyer
nga duar të fuqishëm.
Hajt,
ndalu pak,
jeta është ulje ngritje
nën ritëm duartrokitjesh,
Njerëzit do duartrokasin edhe pa ty
gracka e turmës.
Je aq bosh
sa nuk di ku je, me kë…
Pastro shpirtin tënd
Numëro yjet, lulet
kanë fustanin tënd shtruar
dehur mes lakuriqësis’
Është koha për dashuri!
(Mimoza Bici @ Poezi nga cikli i poezive ” Lulenata”, Tiranë 29 qershor 2019)