Albspirit

Media/News/Publishing

Irena Beqiraj: Jo çdo gjë që numërohet ka vlerë

 

 

 

Nuk ka gjë më të mirë se rrjetet sociale në kohët e sotme, aty shikon ndryshimin e njerëzve nëpërmjet fotografive, aty uron për ditëlindje, aty ngushëllon për humbjen e njeriut të dashur, aty lexon opinione, aty bëhet politikë, aty votohet.

Me një sy të kujdesshëm aty mund të dallosh cinikun, të lënduarin, të kënaqurin me veten, atë që ka humbur kofidencën, sipërfaqësorin, pragmatistin, idealistin, racionalistin (që racionaliteti i tij vlen sa racioni i sotëm), por vështirë të gjesh një mendim që do i vlejë të nesërmes.

Aty shikon budallallëpsjen nga arsyetimi i zakonshëm “ne duhet të zgjedhim të keqen më të vogël”, apo në Rome bëj cis bëjnë romakët”.

Aty shikon sesi intelektualizma shqiptare është mbushur me subjekte që kur të mos jenë më në këtë botë vështirësisht do t’i kujtojë ndonjë bashkohës i mbetur gjallë në mëhallë, ndonjë studiues plagiature, apo koleksionist fotografish.

Aty shikon sesa pak vizion ka vërdallë, sa shumë proklamime edhe protagonizëm pa vlerë e pa mesazh.

Aty shikon sesi profesora, e avokatë, ekonomistë, etj komentojnë çfarë tha për Shqipërinë një burokrat në Amerikë, apo në BE. Kë mbështeti, nga do fryjë era nesër?

Aty numërohen pëlqimet, komentet edhe shpërndarjet, të cilat kanë vlerë sa ka vlerë pasuria e vendosur në lojën “Monopoli”.

Aty bindesh për një moment se numërimi është i vetmi proces që ka vlerë.

Edhe i them sime bije, aty ku nuk ka mendje krijuese, vizionare, që shikojnë nga e ardhmja, por vendosin mbi parimin “bukën e përditshme falna sot”, aty ku populli ka 100 vjet me pantallona ndër këmbë sepse kurrë nuk pati nxjerrë intelektualë me aq mend sa për të lidhur sikur vetëm oshkurin e tyre, aty ku presim një Mesi ndërkombëtare të mbaj anë e të na zgjidhë, aty çdo gjallesë vlen vetëm për numërim, për statistikë.

Këto gjallesa vlen vetëm t’i numërosh, t’i shprehësh në përqindje, në mesatare e shpërndarje probabilitare, por nuk mund t’i konsiderosh.

E kur numërimi është rutinor e vërteta e shëmtuar të përqesh në sy duke të treguar hidhtasi që jo çdo gjë që numërohet ka vlerë.

 

Ish-zëvendësministre e Financave në qeverinë “Rama 1”.

Please follow and like us: