Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Një përgjigje për zotin Palmer!

Image result for reshat kripa

 

Dëgjova intervistën e Zv/Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën Matthew Palmer, dhënë zotit Ilir Ikonomi, gazetar i medias së njohur “Zëri i Amerikës” dhe të them të vërtetën mbeta shumë i deziluzionuar, pasi nuk mendoja kurrë që një figurë e lartë e shtetit amerikan të dilte përkrah një qeverie të korruptuar që po organizon zgjedhje të paligjëshme në Shqipëri. Në këto çaste para syve më del një shprehje e studiuesit të njohur Giovani Sartori që në studimin e tij “Edhe një herë për teorinë e demokracisë” shkruante:

“Njerëzit që kurrë  nuk  e  kanë  njohur  diktaturën  dhe  tiraninë  e  kanë  të  lehtë  të  jepen  pas retorikës për lirinë duke harruar fare realitetitn  e thjeshtë dhe  të  tmerrshëm  të  shtypjes  së  njimendtë atje ku ekziston përnjimend”.              

Unë mendoj se ju, zoti Palmer, jeni pikërisht një nga këta persona. Ju nuk e keni njohur kurrë diktaturën dhe si i tillë nuk jeni në gjendje të gjykoni. Për të mësuar se kush ishte regjimi komunist dua t’ju tregoj viktimat e shkaktuara nga rregjimet komuniste në botë. Për këtë po i referohem të dhënave të librit “Jashtë kontrollit” të personalitetit të njohur amerikan Zbigniev Brzhezhinskij që shekullin e njëzet e quan “Shekulli i megavdekjes“.

Ja të dhënat e këtij personaliteti mbi viktimat e shekullit të XX-të:

Lufta e Parë Botërore                      13 milionë

Lufta e Dytë Botërore                       35 milionë

Viktima të holokaustit komunist   66 milionë

Nga këto

Gjatë periudhës së Leninit              8 milionë

Gjatë periudhës së Stalinit              25 milionë

Gjatë periudhës së Mao Ce Dunit   29 milionë

Gjatë periudhës së Pol Potit            1 milion

Diktatorët e Europës Lindorë         3 milionë.

Janë të njohura tashmë moritë e shumta të krimeve të komunizmit. Le të tregojmë disa shembuj të tjerë të nxjerra nga ky libër:

  • 1 milion të ekzekutuar në fund të viteve 20-të,
  • 1 milion të ekzekutuar dhe 2 milionë të vdekur në kampet e punë së detyruar vetëm gjatë viteve 1937-1938,
  • 7 milionë fshatar të vdekur gjatë procesit të kolekivizimit,
  • 360.000 robër lufte të vdekur nga konditat e këqija,
  • 140.000 ushtarë polakë të ekzekutuar,
  • 200.000 oficerë polakë të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve 80-të,
  • 14.736 oficerë polakë të ekzekutuar  më 5 mars 1940, me urdhër të Berias, shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini si  edhe  10.685  të  burgosur  të tjerë politikë,
  • 15.000  oficerë  të  tjerë  polakë  të  ekzekutuar  në pyllin e Katinit.

Lexoni zoti Palmer këto të dhëna në librin e Brzhezhinskijt dhe bëni krahasimin. Gjatë dy luftrave botërore, numri i viktimave ishte vetëm 48 milionë, ndërsa gjatë holokaustit komunist ai arriti në 66 milionë, shifër që sipas të dhënave të Këshillit të Europës arrin në 100 milionë.

Më  lejoni tani t’iu  bëj të ditur shifrat zyrtare të krimeve të regjimit komunist të shpallura nga komisioni tre palësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë. Sipas këtij komisioni rezultojnë këto të dhëna:

  1. Të ekzekutuar                                6.023  persona
  2. Të vdekur në burg                         1.065       “
  3. Të burgosur                                 17.300       “
  4. Të sëmurë mendorë                          260       “
  5. Të internuar deri në vitin 1954   22.000       “
  6. Të vdekur në internim                   9.000       “

Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijëve të internuar nën katërmbëdhjetë vjeç, si dhe ata që janë internuar pas vitit 1954 dhe që nuk janë përfshirë në këto lista,  atëhere rezulton  se numri i përgjithshëm i  atyre  që  kanë  pësuar  direkt  persekutimin  i  kalon  të  100.000 personat. Duke marë parasysh  se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 personat, rezulton se mbi 10% e asaj popullsie është persekutuar direkt. Po t’i shtojmë kësaj edhe pjestarët e tjerë  të  familjeve të tyre, atëhere përqindja arrin përmasa rrënqethëse.

E pra, zoti Palmer, të gjithë këta martirë të rënë për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, kishin si udhërrëfyes të tyre Shtetet e bashkuara të Amerikës, vendin e lirisë. Ndaj ne sot nuk mund të kuptojmë se si ka mundësi që Shtetet e Bashkuar të Amerikës të mbështesin një qeveri që në përbërjen e saj ka pikërisht lakejtë e ati regjimi që i solli vendit tonë kaq shumë viktima, madje ka në krye edhe një individ që ka qenë pjesëmarrës i këtyre krimeve. Ky është kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë. Lidhur me sa më sipër më lejoni t’ju bëjë të ditur shprehjen e zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

 

E pra lakejtë që mbajtën në këmbë regjimin komunist sot janë në krye të shtetit.

Tani le të hyjmë në çështjet konkrete. Ju deklaruat se mbështesni zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor 2019. Më lejoni t’ju bëjë disa disa të dhëna mbi zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin lokal më 2015 dhe atyre parlamentare në vitin 2017, sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve:

Duke hedhur një vështrim për rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin lokal në vitin 2015 do të shohim se pjesëmarja në këto  ishte 47,5 %. Nga kjo përqindje 63,48 % e saj ose 30,15 % e votuesve dhanë  votën për koalicionin e majtë. Rekordin në këto zgjedhje e mban Bashkia Vlorë ku pjesëmarrja ishte 35 % dhe nga këto koalicioni i majtë fitoi  61,7 % të saj ose 21,59 të votuesve të bashkisë.

Gjithashtu në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pjesëmarrja në votime ishte 46,77 %. Nga kjo përqindje koalicioni i majtë fitoi 48,34 % ose 22,6 % e votuesve të vendit.

Duke u mbështetur në këto të dhëna rezulton se në rast se zhvillohen zgjedhjet më 30 qershor ku, natyrisht koalicioni i djathtë nuk do të marrë pjesë, pjesëmarrja në votime do të jetë nën 30 %. Atëhere a do t’i njihni ju zgjedhje të tilla? A do t’i njohin institucinet ndërkombëtare?  A do t’i konsiderojnë si të drejta dhe legjitime? A ka ndodhur në ndonjerin prej vendeve perëndimore një fenomen i ngjashëm me këtë që po ndodh në Shqipëri? Ne jemi në pritje të këtyre përgjigjeve.

Pyetjes së bërë nga gazetari se si do ta interperetonit faktis se në në 35 bashki  votimi do të kryhet pa kundërshtarë politikë pasi kanë vetëm nga një kandidaturë, atë të partisë qeveritare, madje kryeministri ka deklaruar se do t’i  fitojë të 61 bashkitë, ju iu përgjigjet se e shifkeni fare normale kur opoziat bojkoton zgjedhjet. A nuk është kjo kthim në sistemin monopartiak të shëmbur njëzetenëntë vite më parë? Më thoni zoti Palmer, a ka ndonjë vend tjetër në botën perëndimore që të zhvillojë zgjedhje të tilla? Po të ketë, ju lutem ma bëni të ditur.

Në intervistën tuaj zoti Palmer u shprehët se me krijimin e Gjykatës Kushtetuese do të zgjidhet çdo gjë në vendin tonë, pasi vetëm kjo gjykatë ka kompetencat e deklarimit pro apo kundër të zgjedhjeve të zhvilluara. Por a e dini se cilët do të jenë anëtarët e ardhshëm të kësaj gjykate?

Lidhur me sa më sipër më datën 20.06.2015, Dega e Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokrate të Shqipërisë për Tiranën, në të cilën unë isha kryetar, i dërgoi Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe Komisionit Parlamentar për dekriminalizimin, si dhe për dijeni ish-Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Donald Lu, shkresën me Nr. Prot. 5,  me anën e së cilës i propozonte komisioneve të mësipërme që në ligjet përkatëse të shtohej edhe një nen ku të përjashtoheshin nga zgjedhja në organet e larta të Kuvendit të Shqipërisë, Pushtetit Ekzekutiv dhe atij të Drejtësisë, të gjithë ata ish-gjykatës, ish-prokurorë dhe ish-hetues pjesëmarrës në gjyqet e periudhës komuniste që kishin dhënë dënime të padrejta, si dhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit dhe ish-punonjësit e organeve të diktaturës së proletariatit. Prisnim një përgjigje prej tyre, por jo vetëm komisionet në fjalë, por edhe ambasadori Lu, nuk denjuan të na kthenin një përgjigje. Një gjë e tillë na shkaktoi një dhimbje në ndërgjegjen tonë. Ishte shtresa e jonë ajo që u përndoq dhe u eliminua egërsisht nga sistemi komunist vetëm e vetëm sepse kishim  besim se zgjidhja do të vinte pikërisht nga Shtetet e Bashkuara  të  Amerikës. Por përgjigja nuk erdhi. Përse?

Sot zhvillohet vetingu vetëm për sasinë e pasurive që ka deklaruar sejcili gjykatës i Këshillit të Lartë Gjyqësor,  Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, gjykatave të apelit dhe atyre të shkallës së parë, prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithëshme dhe prokurorive te rretheve, dhe pa u thelluar në të kaluarën e sejcilit prej tyre., siç parashikonte propozimi i më sipërm i shoqatës tone. Kjo ka sjellë që në krye të këtyre organeve të jenë ende shumë nga ata që na pushkatuan, na dënuan, na internuan dhe  na mohuan  çdo mjet jetese. Këta do të jenë edhe në krye të Gjykatës Kushtetuese për të cilën ju thoni se keni besim se do t’i zgjidhë çështjet. Por a do të ketë dëshirë kjo gjykatë të veprojë ndershmërisht kur dihet përbërja e saj?

Në atë këto çaste më kujtohet një film gjerman që kam parë në fëmininë time. Ishte një prodhim i pasluftës dhe titullohej ‘’Vrasësit janë midis nesh‘’. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që  ndonse në aparencë tregohej njerëzor, në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kryente eksperimente nga më monstruozet për torturimin dhe  shfarrosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës edhe ai si  shumë të tjerë dolën në bangën e të akuzuarve.

Kanë kaluar vite që atëherë. I kam harruar pothuajse të gjitha skenat e atij filmi. Vetëm njëra nuk më është shkulur nga kujtesa, finalja e tij. Mjeku i kapur me të dy duart pas hekurave të burgut duke thërritur:

– Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

Ndërsa në sfond prapa tij, si përgënjeshtrim i të gjithë kësaj, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar.  Një zgjidhje e përkryer regjizoriale.

Duke kujtuar këtë skenë pyes:

– A ka vrasës midis nesh? Cilët janë ata?

Pergjigja është një dhe e prerë. Po. Janë ish-hetuesit dhe ish-punonjësit  e Sigurimit të Shtetit. Janë ish-prokurorët dhe ish-gjykatësit e pashpirt, që mbartin në ndërgjegjen e tyre qindra dhe mijra të vrarë apo të vdekur nëpër burgje , të cilëve nuk u dihen as varret. Janë ish-spiunët e sistemit që presin rastin për të dalë përsëri në dritë dhe për të groposur përsëri njerës të tjerë. Përse nuk vepron drejtësia? Përse nuk dënohen si mjeku gjerman?

Por janë edhe një lloj tjetër vrasësish, më të rrezikshëm dhe më kriminelë se të parët. Janë ata që, ndonse sot janë të veshur me petkun e demokratit, presin ditën e nesërme për t’i ngulur thikën pas shpine demokracisë së brishtë që po ndërtohet. Po të shohësh mirë, ata mund t’i gjesh kudo. Mund ti gjesh në partitë politike, në shoqatat bile edhe në parlament. Në vend të ndëshkimit të merituar ata sot bredhin lirisht duke derdhur helm në ndërgjegjen e njerëzve. Ata ngjiren duke thërritur:

– Jemi te pafajshëm! Fajin e kishte sistemi i përmbysur!

Sikur  të mos ishin këta njerëz të pa princip që e mbajtën gjallë atë sistem për gati një gjysëm shekulli..

Po kush pra qenka fajtori për gjithë këtë katrahurë që ka mbuluar vendin? Kush është fajtori? Mos vallë qenkemi ne që e paguam me jetët tona???

Këto janë mendimet që unë doja t’jua parashtroja juve zoti Palmer. Në rast se do t’ju bjerë rasti t’i lexoni do t’ju lutesha të më kthenit një përgjigje. Ky do të ishte një gjest fisnikërie nga ana juaj.

 

 

 

Please follow and like us: