Albspirit

Media/News/Publishing

Basha: OSBE/ODIHR i rrëzoi votimet e 30 qershorit

Duke përmendur raportin paraprak të OSBE-ODIHR-it, kryetari i Partisë Demokratike ka thënë se ky institucion e rrëzoi procesin e 30 qershorit.

Lulzim Basha tha sot se misioni i OSBE-ODIHR u tregua i kujdesshëm në artikulimet e tij, për të mos acaruar klimën politike, por në thelb e hodhi poshtë atë proces.

“Edhe pse shumë i kujdesshëm për të mos e acaruar klimën politike, raporti i ODIHR-it i rrëzoi votimet e 30 qershorit. Jo vetëm ishin zgjedhje të paligjshme, jo vetëm zgjedhje njëpartiake, por edhe zgjedhje të vetëvjedhura”, vlerëson  z.Basha.

Sipas tij, “Edi Rama kandidoi vetë, votoi vetë, numëroi vetë, dhe prapë manipuloi”.

I bindur se “ky regjim është tashmë i degraduar plotësisht”, Basha nënvizon se “vetëm një ndryshim i thellë i strukturës politike, kushtetuese dhe ekonomike të vendit mund të na shpëtojë nga autokracia, krimi, varfëria dhe prapambetja”.

Pikat kryesore të vlerësimeve nga OSBE/ODIHR

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri u mbajtën pa marrë shumë në konsideratë interesat e zgjedhësve në një klimë ngërçi politik

Opozita vendosi të mos marrë pjesë, por, pavarësisht kësaj, qeveria ishte e vendosur t’i zhvillonte zgjedhjet

Kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë në 31 nga 61 bashki gjithsej.

Zgjedhësit nuk patën mundësi kuptimplotë për të zgjedhur mes opsioneve të ndryshme politike

Mungesa e partive kryesore opozitare në zgjedhje e kufizoi ndjeshëm mundësinë e zgjedhësve për të zgjedhur kandidatët

Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë prej vendimeve të administratës zgjedhore u morën duke pasur si objektiv garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve.

Zgjedhësit u ndodhën nën presion nga të gjitha palët politike

Media ishte e polarizuar te kriza politike dhe jo tek ofrimi i informacioneve të paanshme rreth kandidatëve dhe kjo i pengoi disa votues që të votonin të lirë dhe të bënin zgjedhje të mirinformuara

KQZ-ja e interpretoi ligjin në mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë, jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike

KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj. Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtë-mujore.

DEKLARATË E GJETJEVE DHE PËRFUNDIMEVE PARAPRAKE PËRFUNDIMET PARAPRAKE

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri u mbajtën pa marrë shumë në konsideratë interesat e zgjedhësve në një klimë ngërçi politik, thanë vëzhguesit e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në një deklaratë paraprake të gjetjeve të tyre.

Opozita vendosi të mos marrë pjesë, por, pavarësisht kësaj, qeveria ishte e vendosur t’i zhvillonte zgjedhjet. Kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë në 31 nga 61 bashki gjithsej. Në këtë kontekst, zgjedhësit nuk patën mundësi kuptimplote për të zgjedhur mes opsioneve të ndryshme politike, përfundon deklarata.

“Ndonëse një sërë partish politike, koalicionesh dhe grupesh qytetare dolën me kandidatë,mungesa e partive kryesore opozitare në zgjedhje e kufizoi ndjeshëm mundësinë e zgjedhësve për të zgjedhur kandidatët,” tha Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve. “Refuzimi fillimisht nga po ato parti për të emëruar anëtarë të administratës zgjedhore, plus interpretimi i politizuar më pas i ligjit zgjedhor, e lanë administratën zgjedhore të vendit të paekuilibruar dhe ulën besimin te zgjedhjet.”

Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë prej vendimeve të administratës zgjedhore u morën duke pasur si objektiv garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve. Ndonëse çështjet lokale u trajtuan në disa aktivitete të vogla, fokusi kryesor gjatë fushatës ishte mospjesëmarrja e partive kryesore opozitare dhe data e zgjedhjeve. Pati, gjithashtu, edhe pretendime të besueshme nga zgjedhësit për presione nga të dyja anët, konstatuan vëzhguesit.

Ambasadorja Glover vazhdoi: “Ne pamë prova se zgjedhësit u ndodhën nën presion nga të gjitha palët politike. Kjo, bashkë me fokusimin nga një media e polarizuar te kriza politike dhe jo tek ofrimi i informacioneve të paanshme rreth kandidatëve, i pengoi disa votues që të votonin të lirë dhe të bënin zgjedhje të mirinformuara.”

Ajo çka qe pozitive ishte fakti që votat u numëruan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe paqësore. Më shumë se 3.5 milion vetë ishin regjistruar për të votuar dhe një përqindje e përafërt prej 21përqind votuan në 5,410 qendra votimi në të gjithë vendin. Gjithsej, në të 61 bashkitë në vend ishin regjistruar 97 kandidatë për kryetarë bashkie, duke përfshirë 11 gra dhe 544 lista kandidatësh për këshillat vendorë, të cilat ishin të gjitha të ekuilibruara nga pikëpamja gjinore në përputhje me ligjin zgjedhor.

Please follow and like us: