Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Raporti i plotë i OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore në Shqipëri (anglisht-shqip)

Albania, Local Elections, 30 June 2019: Statement of Preliminary Findings and Conclusions

 

 

MISIONI I VËZHGIMIT TË ZGJEDHJEVE

Republika e Shqipërisë – Zgjedhjet Vendore, 30 qershor 2019

DEKLARATË E GJETJEVE DHE PËRFUNDIMEVE PARAPRAKE PËRFUNDIMET PARAPRAKE

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit. Opozita vendosi të mos marrë pjesë, kurse qeveria u tregua e vendosur për t’i mbajtur zgjedhjet pa opozitën. Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki gjithsej, kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë. Pati pretendime të besueshme nga qytetarët për presione nga të dyja palët. Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën me duke pasur si objektiv garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve. Ajo çka ishte pozitive, ishte se votimi u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe paqësore, ndërkohë që numërimi u vlerësua në përgjithësi pozitivisht, ndonëse disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektesë.

Kuadri ligjor mbetet kryesisht i pandryshuar nga zgjedhjet e mëparshme. Ai mund të përbënte një bazë të shëndoshë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, por zbatimi i tij si duhet kërkon vullnet politik nga aktorët zgjedhorë. Në disa dispozita ligjore kishte paqartësi dhe interpretimi dhe zbatimi i tyre nga aktorët zgjedhorë u perceptua ndonjëherë si i njëanshëm. Shumë rekomandime të mëparshme të ODIHR-it mbeten të paadresuara, duke përfshirë edhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore, transparencën e financimit të fushatës dhe efiçencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur vazhdimisht mbledhje të hapura dhe i ka rregulluar në mënyrë gjithëpërfshirëse aspektet e procesit zgjedhor. Ekuilibri politik i parashikuar me ligj brendapërbrenda administratës zgjedhore nuk u arrit për shkak të refuzimit fillimisht të partive kryesore opozitare për të emëruar komisionerët e tyre dhe interpretimit më pas të KQZ-së se vetëm ato parti që marrin pjesë në zgjedhje mund të përfaqësohen në administratën zgjedhore. Përbërja e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi.

Saktësia e listës së zgjedhësve u përmirësua me heqjen e të dhënave të dublikuara dhe me reduktimin e emrave me adresa të pasakta. Megjithatë, disa prej bashkëbiseduesve të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) të ODIHR-it ngritën pikëpyetje në lidhje me cilësinë e procesit të verifikimit të të dhënave të adresave. Listat e zgjedhësve u afishuan fillimisht në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe në Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV), por u hoqën në shumicën e bashkive që drejtohen nga opozita në mes të muajit qershor, duke e kufizuar në këtë mënyrë mundësinë e zgjedhësve për të verifikuar të dhënat e tyre. KQZ-ja u tregua qartazi gjithëpërfshirëse në qasjen e saj ndaj regjistrimit të kandidatëve, gjë që rriti numrin e garuesve. Megjithatë, KQZ-ja e interpretoi ligjin në mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë, jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike. Në total u regjistruan 97 kandidatë për kryetarë bashkie dhe 544 lista kandidatësh për këshillat bashkiakë në të 61 bashkitë. Pavarësisht kësaj, zgjedhësit nuk patën mundësi të plota zgjedhjeje mes alternativave politike, duke qenë se partitë kryesore opozitare vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhje.

Në përputhje me ligjin, u regjistruan vetëm ato lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë që plotësonin kushtin e përfshirjes së 50 për qind të secilës gjini, ku një në dy kandidatë t’i përkiste secilës gjini. Sistemi i kuotave ka krijuar një mjedis të favorshëm për pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën politike, por të pakta janë gratë që mbajnë pozicione drejtuese në partitë politike. Njëmbëdhjetë gra garuan për kryetare bashkie, nga të cilat pesë pa kundërshtarë. Dy prej pesë anëtarëve të KQZ-së dhe 37 për qind e anëtarëve të KZAZ-ve ishin gra. Ndonëse një e katërta e anëtarëve të KQV-ve të vëzhguara në ditën e zgjedhjeve ishin gra, në 40 përqind të KQV-ve të vëzhguara nuk kishte komisionere gra.

Me përjashtim të mitingjeve të Partisë Socialistë (PS), ku Kryeministri ishte folësi kryesor, vizibiliteti i aktiviteteve të tjera të fushatës ishte i ulët. Ndonëse çështjet lokale u adresuan në disa aktivitete të vogla, fokusi kryesor ra mbi pyetjet rreth mospjesëmarrjes së partive opozitare kryesore dhe datës së zgjedhjeve. Gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në mitingje, në mediat sociale dhe në median e shkruar dhe atë audiovizive ishte shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza. Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të demonstruar preferencat e tyre politike. Në përpjekje të lavdërueshme për rritjen e transparencës së financimit të fushatës, KQZ-ja nxori udhëzime të posaçme për verifikimin e shpenzimeve për fushatë, si dhe një formular të standardizuar raportimi. Ekspertët financiarë të emëruar nga KQZ-ja kryen analiza periodike të shpenzimeve për fushatë dhe i publikuan raportet e tyre në faqen zyrtarë te KQZ-së. E megjithatë, metodologjia e raportimit nuk ishte gjithmonë konsistente dhe analizat e ekspertëve u varën shumë nga vullneti i partive politike për të bashkëpunuar.

Mediat janë të larmishme, por mbeten të varura nga pozicionimet politike dhe interesat e biznesit të pronarëve të tyre. Në mungesë të një vetërregullimi efikas, gazetarët operojnë në kushte pune të pasigurta dhe zgjedhin shpesh autocensurën. Monitorimi i medias nga MVZ-ja e ODIHR-it doli në përfundimin se media audiovizive u përqendruan te kriza e vazhdueshme politike, duke shërbyer si një platformë për shkëmbime të ndezura mes Partisë Demokratike (PD) dhe PS-së. Mbulimi i kufizuar i fushatës u fokusua kryesisht te Kryeministri aktual, i cili në cilësinë e tij të kryetarit të PS-së, prezantoi kandidatët nëpër rrethe, si dhe kryetarin aktual të Tiranës. Praktika e përdorur nga partitë kryesore politike dhe zyrtarët publikë e vënies në dispozicion të mediave vetëm të regjistrimeve të gatshme apo të regjistrimeve të drejtpërdrejta nga aktivitetet zyrtare dhe ato të fushatës, duke ua kufizuar ndërkohë aksesin mediave në aktivitete, e kufizoi mundësinë e zgjedhësve për të marrë informacion objektiv.

Mosmarrëveshjet zgjedhore u zgjidhën përgjithësisht nga KQZ-ja dhe nga Kolegji Zgjedhor brenda afateve të parashikuara. Ndonëse të dhëna në seanca të hapura, vendimet e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor nuk u publikuan në kohë, gjë që solli pasoja negative mbi të drejtën për zgjidhje dhe transparencë të kufizuar rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Ligji ua garanton të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur të gjithë qytetarëve, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike, racës, besimit fetar apo gjuhës. Disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHRit raportuan se romët janë një popullatë veçanërisht e cenueshme ndaj problemeve me regjistrimin e popullsisë dhe të zgjedhësve për shkak të mungesës së adresave të përhershme. Duke qenë se disa parti të pakicave kombëtare vendosën t’i bashkoheshin bojkotimit të zgjedhjeve, në disa komunitete ku pakicat kombëtare mund të nxjerrin normalisht kandidatë, zgjedhësve nuk iu dha kjo mundësi. Dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht paqësore, me protesta të vogla dhe disa raste të izoluara vandalizmi ose dhune të vërejtura në disa zona. Sipas KQZ-së, votimi nuk mund të zhvillohej në shtatë qendra votimi. Me ndryshime mes bashkive të ndryshme, pjesëmarrja arriti në 21.6 përqind në shkallë vendi. Votimi u vlerësua pozitivisht në 94 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it. Votimi në grup, duke përfshirë edhe votimin familjar, si dhe votimi me prokurë u vu re në 12 përqind të vëzhgimeve. Pothuajse dy të tretat e qendrave të vëzhguara të votimit nuk krijuan mundësi për hyrjen në mënyrë të pavarur të zgjedhësve me aftësi të kufizuar. Prania e vëzhguesve të partive, ku dominonin ata të PS-së, u vu re gjatë të gjitha fazave të procesit zgjedhor, ndërkohë që kishte edhe vëzhgues jopartiakë, por në numër shumë më të vogël. Numërimi u vlerësua pozitivisht në të 51 qendrat e numërimit të vëzhguara, përveçse në 6 prej tyre, ndonëse disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektesë.

KONTEKSTI

Në përputhje me Kushtetutën, Presidenti Ilir Meta i shpalli zgjedhjet vendore të 30 qershorit në nëntor të vitit 2018. Duke shprehur shqetësime për sigurinë publike dhe përgjegjësinë e tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizmin, më 10 qershor, Presidenti e shfuqizoi atë dekret. Më 13 qershor, Parlamenti miratoi një rezolutë, ku e deklaronte të pavlefshëm shfuqizimin dhe më 19 qershor filloi një procedure të iniciuar nga Partia Socialiste (PS) për shkarkimin e Presidentit për shkak të tejkalimit të mandatit të tij. 1) Më 27 qershor, Presidenti Meta nxori një tjetër dekret, duke vendosur 13 tetorin si datën e zgjedhjeve vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdoi me përgatitjet për zgjedhjet e 30 qershorit. Mjedisi politik para zgjedhjeve ishte i polarizuar dhe antagonist. 2) Në muajin shkurt, pas rrëzimit nga parlamenti të iniciativës së tyre për vetingun e politikanëve, partitë e opozitës, Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), u tërhoqën nga parlamenti. PD-ja dhe LSI-ja, së bashku me disa parti më të vogla, bënë të ditur se nuk do të merrnin pjesë në zgjedhje deri në dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama (PS) dhe formimin e një qeverie tranzitore që do të organizonte zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Protesta të vazhdueshme të opozitës, të drejtuara nga PD-ja, u shenjuan nga dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë më vonë edhe administratën zgjedhore. Kryeministri i hodhi poshtë kërkesat e opozitës dhe, duke paralajmëruar se kjo mund të çonte në krijimin e një precedenti që do të kërcënonte atë çka ai e përshkroi si “bashkëjetesë demokratike” të qeverive të zgjedhura dhe të opozitave të tyre parlamentare, bëri thirrje që zgjedhjet të mbaheshin siç ishin planifikuar. 3) Shumë aktorë vendas dhe partnerë ndërkombëtarë të vendit bënë thirrje për respektimin e të drejtës për tubime paqësore dhe për zgjidhjen e krizës politike nëpërmjet dialogut. Në përgjigje të rekomandimit të 29 majit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Këshilli Evropian, më 18 qershor, e shtyu vendimin deri jo më vonë se tetori 2019.

KUADRI LIGJOR DHE SISTEMI ZGJEDHOR

Kuadri ligjor për zgjedhjet përfshin Kushtetutën e 1998-ës (ndryshuar për herë të fundit më 2016-ën), Kodin Zgjedhor të 2008-ës (ndryshuar për herë të fundit më 2015-ën), si dhe ligje të tjera, plotësuar nga aktet nënligjore të KQZ-së dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës (Kolegji Zgjedhor). Një proces i reformës zgjedhore i nisur pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës mbeti pezull për shkak të mungesës së dakordësisë politike. Disa rekomandime të hershme të ODIHRit mbeten të paadresuara, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me depolitizimin e komisioneve zgjedhore, transparencën e financimit të fushatës dhe efiçencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Kuadri ligjor për zgjedhjet, kryesisht i pandryshuar që prej zgjedhjeve të fundit, mund të përbënte përgjithësisht një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike. Megjithatë, mungesa e qartësisë së disa dispozitave çoi në perceptim njëanësish në zbatimin e tyre nga KQZ-ja. Aktorët zgjedhorë nuk demonstruan gjithmonë vullnet politik për të zbatuar si duhet dispozitat ligjore, duke përfshirë rastet e emërimit të anëtarëve në komisionet zgjedhore dhe regjistrimit të kandidatëve. Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit. Kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë për një mandat katër-vjeçar. Kryetarët e bashkive zgjidhen përmes një sistemi mazhoritar, kurse këshilltarët zgjidhen nga lista të mbyllura sipas një sistemi proporcional. Territoret e bashkive përfaqësojnë zonat zgjedhore për zgjedhjet vendore. Për t’u kualifikuar për mandate në këshillat bashkiake, partitë duhet të tejkalojnë një prag prej tre për qind të votave të hedhura në bashkinë përkatëse (pesë për qind në rastin e koalicioneve). Legjislacioni nuk përmban ndonjë kërkesë për pjesëmarrje minimale të zgjedhësve. Në total, do të duhet të zgjidheshin 61 kryetarë bashkie dhe 1,595 anëtarë të këshillave bashkiakë në shkallë vendi.

ADMINISTRIMI I ZGJEDHJEVE

Administrata zgjedhore përbëhet nga tre nivele: KQZ-ja, 90 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të) dhe 5,417 Komisione të Qendrave të Votimit (KQV). Numërimi kryhet nga Grupet e Numërimit në 90 Qendra të Numërimit të Votave (QNV), një për secilën Zonë të Administrimit të Zgjedhjeve (ZAZ). Ligji u jep mundësi të barabarta partive parlamentare për t’u prezantuar në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. Refuzimi i partive opozitare për të emëruar anëtarët e tyre në KQZ dhe KZAZ, kombinuar me interpretimin e mëvonshëm të ligjit nga KQZ-ja se vetëm ato parti që garojnë në zgjedhje kanë të drejtën të emërojnë anëtarë, e la administratën zgjedhore të paekuilibruar politikisht. Rrjedhimisht, shumë bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësime rreth paanshmërisë së komisioneve të të gjitha niveleve. KQZ-ja është një organ i përhershëm i emëruar nga Parlamenti. Sipas ligjit, ajo përbëhet nga shtatë anëtarë, ku shumica parlamentare dhe opozita parlamentare emërojnë secila nga tre anëtarë, ndërsa kryetari zgjidhet nga Parlamenti përmes një procesi të hapur aplikimesh. 4) KQZ-ja aktuale përbëhet nga pesë anëtarë, duke përfshirë edhe kryetarin, i cili formalisht nuk i përket asnjë partie, tre anëtarë të propozuar nga PS-ja dhe një nga Partia Republikane (RP). 5) PD-ja nuk e ka plotësuar kuotën e saj prej dy anëtarësh në KQZ që prej tetorit 2018. KQZ-ja ka mbajtur vazhdimisht mbledhje të hapura që janë transmetuar drejtpërdrejt dhe në prani të vëzhguesve dhe mediave dhe ka rregulluar në mënyrë gjithëpërfshirëse aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor. Në të njëjtën kohë, në vendimet për regjistrimin e kandidatëve dhe për përbërjen e niveleve më të ulëta të administratës zgjedhore, KQZ-ja e zbatoi ligjin në një mënyrë që tregonte njëanshmëri. 6) Disa vendime të KQZ-së, duke përfshirë ato në lidhje me mosregjistrimin e kandidatëve dhe ankesat e tyre, u publikuan me vonesa të konsiderueshme, duke cenuar kështu transparencën.

Sipas ligjit, KZAZ-të emërohen nga KQZ-ja për çdo zgjedhje dhe përbëhen nga shtatë anëtarë dhe një sekretar pa të drejtë vote. Formula e emërimit është e ngjashme me atë për KQZ-në, ku shumica parlamentare dhe opozita parlamentare propozojnë nga tre anëtarë secila në të gjitha KZAZ-të, si dhe anëtarin e shtatë në gjysmën e KZAZ-ve secila. 7) Ndërsa PS-ja emëroi komisionerë në të gjitha KZAZtë, PD-ja dhe LSI-ja nuk paraqitën propozime brenda afatit ligjor, duke e bërë KQZ-në të emëronte anëtarë me iniciativën e vet dhe duke i lënë të gjitha KZAZ-të pa anëtarë të emëruar nga opozita. 8) Më 20 maj, PD-ja dhe LSI-ja paraqitën një kërkesë për të zëvendësuar anëtarët e KZAZ-ve të emëruar nga KQZ-ja. 9) Në interpretimin e saj të dispozitave të ndryshme të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja vendosi që partitë parlamentare që nuk ishin regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje e kishin humbur të drejtën për të emëruar komisionerë në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. 10) Për të plotësuar vendet vakante që u krijuan, KQZ-ja, pas një thirrjeje të hapur për aplikime, miratoi një listë kandidatësh të mundshëm për KQV-të. KZAZ-të i formuan KQV-të pas afatit të parashikuar me ligj, 11 qershorit. 11) Më 25 qershor, KQZ-ja vendosi që grupet e numërimit të përbëheshin nga dy anëtarë të emëruar nga PS-ja dhe dy anëtarë të emëruar nga KZAZ-ja, kurse si afat për formimin e grupeve të numërimit u la data 20 qershor. Në ditën e zgjedhjeve, në shumicën e rasteve të vëzhguara, në KQV dhe në grupet e numërimit ishin nga katër anëtarë. Dy nga pesë anëtarët e KQZ-së dhe 37 përqind e anëtarëve të KZAZ-ve ishin gra. Ndonëse gratë përbënin 25 përqind të anëtarëve të KQV-ve në qendrat e votimit të vëzhguara në ditën e zgjedhjeve, duke përfshirë edhe 19 përqind kryetare të KQV-ve, në 40 përqind të KQV-ve të vëzhguara nuk kishte komisionere gra. Dekreti i Presidentit i 10 qershorit u konsiderua nul dhe i pavlefshëm nga një shumicë e anëtarëve të KQZ-së. 12) Megjithatë, bashkitë i trajtuan përgatitjet e mëtejshme për zgjedhjet sipas kësaj ndarjeje politike. Kështu, në bashkitë e drejtuara nga kryetarë bashkie të PS-së, përgatitjet për zgjedhjet vazhduan. Në shumë bashki, kryetarët e bashkive të opozitës u kërkuan KZAZ-ve të  ndërprisnin përgatitjet dhe të lironin ambientet e bashkive. 13) KQZ-ja duhet të zhvendoste më shumë së 200 qendra votimi, si dhe disa KZAZ dhe VNV. Kombinimi i thirrjeve të opozitës drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, anshmërisë politike të autoriteteve bashkiake dhe përbërjes së paekuilibruar të administratës zgjedhore ndikuan negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor. KQZ-ja miratoi në kohë materialet udhëzuese për administrimin e procedurave të votimit dhe të numërimit dhe organizoi trajnimin e KZAZ-ve dhe KQV-ve. Materialet e trajnimit ishin të hartuara mirë dhe MVZ-ja e ODIHR-it i vlerësoi në përgjithësi pozitivisht seancat e trajnimit, ndonëse ndonjëherë ishte shqetësuese pjesëmarrja e ulët. KQZ-ja hartoi dhe shpërndau edhe materiale për edukimin e zgjedhësve, duke përfshirë edhe për procedurat në ditën e zgjedhjeve dhe për përgjegjësinë penale për shkeljet zgjedhore. Materialet në formë videoje të KQZ-së, të plotësuara edhe me interpretimin në gjuhën e shenjave, u transmetuan në disa kanale televizive kombëtare.

REGJISTRIMI I ZGJEDHËSVE

Shtetasit shqiptarë të moshës 18 vjeç ose më shumë në ditën e zgjedhjeve kanë të drejtë të votojnë. 14) Kufizimet e të drejtës së votës për shtetasit që konsiderohen të paaftë mendërisht, qoftë edhe me vendim gjykate, janë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare. 15) Personave që janë duke vuajtur një dënim me burg për shkak të kryerjes së veprave të caktuara penale u mohohet e drejta për të votuar. Personat që nuk kanë shtetësi shqiptare nuk kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet vendore, pavarësisht kohës së tyre të qëndrimit. 16) Zgjedhësit me moshë mbi 100 vjeç hiqen automatikisht nga lista e zgjedhësve dhe duhet të vërtetojnë të dhënat e tyre që të futen sërish në listë. Sistemi i regjistrimit të zgjedhësve është një sistem pasiv. Listat e zgjedhësve bazohen në Regjistrin Kombëtar elektronik të Gjendjes Civile (RKGjC), i cili mbahet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGjC) e Ministrisë së Brendshme (MB) dhe përfshin të gjithë zgjedhësit me vendbanim zyrtar në Shqipëri. 17) Lista përfundimtare e zgjedhësve përmbante 3,536,016 zgjedhës, duke përfshirë edhe një numër të konsiderueshëm zgjedhësish që jetojnë jashtë shtetit, por që vazhdojnë ta kenë vendbanimin zyrtar në Shqipëri. 18) Kodi Zgjedhor u ofron mekanizma të mjaftueshëm zgjedhësve për të kërkuar korrigjime të të dhënave të tyre. Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, DPGjC-ja publikoi ekstrakte të përditësuara të  listave të zgjedhësve çdo muaj, duke u dhënë mundësi zgjedhësve të regjistronin çfarëdolloj ndryshimi në zyrat vendore të gjendjes civile. Ndonëse ligji parashikon që çdo zgjedhës të marrë një njoftim me shkrim nga autoritetet bashkiake mbi vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit, MVZ-ja e ODIHR-it u informua se në disa rrethe, ky detyrim ishte neglizhuar. 19) Edhe të dhënat për kohën dhe vendin e votimit u bënë publike në listat e zgjedhësve të afishuara në KZAZ dhe KQV; megjithatë, në mesin e muajit qershor, listat e zgjedhësve u hoqën me urdhër të autoriteteve bashkiake në bashkitë e drejtuara nga opozita, duke i privuar zgjedhësit nga mundësia për të verifikuar të dhënat e tyre. DPGjC-ja raportoi se cilësia e listës së zgjedhësve ishte përmirësuar me heqjen e dublikatave dhe me uljen e numrit të zgjedhësve për të cilët nuk kishte një adresë të plotë nga 284,065 në dhjetor 2018 në 727 më 21 maj. Ndonëse kjo mund ta ketë rritur saktësinë e listës së zgjedhësve, disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it, duke përfshirë edhe një auditues të emëruar nga KQZ-ja, u shprehën se për shkak të volumit të të dhënave, disa adresa mund të jenë ricaktuar pa u verifikuar.

REGJISTRIMI I KANDIDATËVE

Çdo zgjedhës me të drejtë vote mund të kandidojë për zgjedhje ne bashkinë ku ka vendbanimin, me përjashtim të atyre që u është kufizuar kjo e drejtë nga ligji i dekriminalizimit i vitit 2015. 20) Në Kushtetutë renditen disa kategori zyrtarësh, posti i të cilëve nuk përputhet me të drejtën për të kandiduar. 21) Për të pasur kandidatët e tyre, partitë politike, koalicionet dhe grupet e zgjedhësve duhet të regjistrohen fillimisht në KQZ si subjekte zgjedhore. Partitë dhe grupet e zgjedhësve duhet të paraqesin firma mbështetëse të jo më pak se një për qind të zgjedhësve të bashkisë përkatëse, në qoftë se nuk kanë qenë të përfaqësuara në parlament apo në qeverinë vendore për një periudhë prej të paktën gjashtë muajsh. KQZ-ja demonstroi qartazi një qasje gjithëpërfshirëse në regjistrimin e kandidatëve. Ndonëse kjo rriti numrin e garuesve, KQZ-ja e interpretoi ligjin në një mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subject zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj. 22) Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtë-mujore. 23) Në përgjigje të ankesave ndaj mosregjistrimit të kandidatëve nga KZAZtë, KQZ-ja rifuti në garë 11 kandidatë. 24) Kodi Zgjedhor parashikon një kuotë gjinore prej 50 për qind për listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë, ku një në çdo dy kandidatë duhet t’i përkasë secilës gjini. Disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ia atribuuan sistemit të kuotave krijimin e një mjedisi të favorshëm për rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike, por theksuan se ishin të pakta gratë që mbajnë role drejtuese në parti politike. Mospërmbushja e kësaj kërkese të ligjit çoi në mospranimin e një liste kandidatësh. Shkaqe të tjera ishin mosrespektimi i afateve për dorëzimin e dokumentacionit, mospërmbushja e kërkesës së vendbanimit dhe mungesa e legjitimitetit për të marrë pjesë në zgjedhje. KQZ-ja i publikoi vendimet për mosregjistrimin dhe riregjistrimin e kandidatëve me vonesa të konsiderueshme, duke ndikuar negativisht në transparencën e procesit të regjistrimit të kandidatëve. Kodi Zgjedhor e ndalon bërjen e ndryshimeve në listat e kandidatëve pas miratimit të tyre përfundimtar dhe nuk e rregullon tërheqjen e kandidatëve. KQZ-ja hodhi poshtë disa kërkesa për tërheqje të paraqitura nga kandidatë për kryetarë bashkie të Bindjes Demokratike, duke i lënë kështu emrat e tyre në fletën e votimit. 25) Në total, për kryetarë bashkie kandiduan 97 kandidatë, duke përfshirë 11 gra dhe 6 kandidatë të pavarur. Në garën për kryetarë bashkie, koalicioni i drejtuar nga PS-ja doli me kandidatë në të gjitha 61 bashkitë, në 31 prej të cilave nuk pati kundërshtarë. Dy koalicione, nëntë parti individuale dhe njëmbëdhjetë kandidatë të pavarur garuan në 544 lista kandidatësh për këshillat bashkiakë, duke e çuar në total në më shumë se 9,850 kandidatë. Megjithatë, heqja dorë e partive kryesore opozitare nga procesi zgjedhor ua kufizoi votuesve mundësinë e zgjedhjes mes alternativave të ndryshme politike. Kryetarët e 26 bashkive nga partitë opozitare, të cilëve u mbaron mandati, zgjodhën të mos rikandidojnë.

MJEDISI I FUSHATËS

Fushata, e cila filloi zyrtarisht më 31 maj, ishte kryesisht e padukshme. Përveç stendave të afishimit për edukimin e zgjedhësve, të cilat iu dhanë autoriteteve bashkiake nga KQZ-ja, MVZ-ja e ODIHR-it vuri re një numër të vogël posterash dhe shenjash të tjera që tregonin për zgjedhje të afërta. 26) Kandidatët e bënë fushatën kryesisht në mediat sociale, përmes vizitave derë-më-derë dhe takimeve të vogla me zgjedhësit. Kandidatet gra të PS-së dhe BD-së për bashkinë e Durrësit u përballën me njëratjetrën, kurse në pesë bashki garuan për koalicionin e drejtuar nga PS-ja pa pasur candidate kundërshtarë. Debatet ballë-për-ballë mes garuesve ishin të pakta. 27) Tubimet e vetme të mëdha për fushatë kishin Kryeministrin si folës kryesor. 28) Shumë kandidatë i shprehën MVZ-së së ODIHR-it vështirësinë për motivimin e zgjedhësve për të marrë pjesë në votim. Aktivitetet e kufizuara të fushatës mbetën në hije për shkak të zhvillimeve në shkallë vendi që i thelluan edhe më tej ndarjet e hershme politike. Debatet mbi një numër të madh temash politike u dominuan nga çështja e mospjesëmarrjes në zgjedhje të partive kryesore opozitare dhe nga diskutimet rreth datës së zgjedhjeve. Përmes medias audiovizive, medias së shkruar dhe asaj sociale, tubimeve publike dhe takimeve me përfaqësues të partive politike, qytetarët u ekspozuan ndaj pikëpamjeve të ndryshme rreth zgjedhjeve, të cilat në shumë fusha, ishin jokonkurruese. Gjuha me të cilën kundërshtarët politike shprehën pikëpamjet e tyre ishte shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza. 29) Në këtë mjedis tejet të polarizuar, zgjedhësit e mundshëm u përballën me presion për të treguar preferencën politike. Në MVZ-në e ODIHR-it u ngritën pretendime të shumta, sipas të cilave, pavarësisht ndalimeve të miratuara në maj, punonjësit e administratës publike u ndodhën përballë presionesh direkte dhe indirekte për t’u angazhuar në aktivitete politike gjatë dhe pas orarit të punës. 30) MVZ-ja e ODIHR-it pa zyrtarë bashkiakë dhe punonjës të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore në mitingjet e mëdha të PS-së, të cilat në shumë qytete u mbajtën fill pas orarit të punës. MVZ-ja e ODIHR-it vuri re gjithashtu edhe perceptime të gjera mes bashkëbiseduesve dhe publikut se punësimi në sektorin publik varet nga përkatësia politike. 31) Punonjësit e bashkisë ishin mes atyre protestuesve që MVZ-ja e ODIHR-it i vëzhgoi teksa e pengonin fizikisht administratën zgjedhore në bashkitë, ku kryetarët e bashkisë që i përkisnin PD-së, Partisë për Drejtës, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe LSI e kishin njoftuar KQZ-në se kishin për qëllim të zbatonin dekretin e 10 qershorit të Presidentit.32) Këtu përfshihen incidentet e ndodhura në Devoll, Dibër, Kamëz, Kavajë, Kukës, Mat, Pogradec, Prrenjas, Shkodër, Tropojë, Vau i Dejës dhe Vorë. 33) Pjesa më e madhe e këtyre incidenteve përfshinte shkatërrimin e materialeve zgjedhore, si dhe përplasjet mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit. 34) Periudha e heshtjes zgjedhore filloi më 29 qershor dhe garuesit respektuan kufizimet e fushatës. Në të njëjtën kohë, PD-ja u bëri thirrje në mënyrë të përsëritur qytetarëve të bojkotonin votimin dhe të regjistronin dhe të filmonin çdo abuzim apo provokim. LSI-ja bëri deklarata, përmes të cilave sulmoi Kryeministrin dhe drejtuesen e grupit parlamentar demokrat parlament, Rudina Hajdari, e cila është kritike ndaj PD-së. Si PD-ja, ashtu edhe LSI-ja, u bënë thirrje njerëzve që të mos ushtronin dhunë në ditën e zgjedhjeve. Në rrethanat e një numri të vogël kandidatësh dhe shumë garave pa kundërshtarë, zgjedhja thelbësore që iu ofrua qytetarëve në një mjedis fushate përçarës ishte nëse duhet të merrnin apo jo pjesë në zgjedhje. Gjatë gjithë periudhës së fushatës, MVZ-ja e ODIHR-it ka dëgjuar shqetësime nga zgjedhësit e mundshëm se pjesëmarrja apo mospjesëmarrja në votim mund të zbulonte preferencën e tyre politike dhe do t’i ekspozonte ata ndaj pasojave në komunitetet e tyre. 35)

FINANCIMI I FUSHATËS

Sipas ligjit, fushatat zgjedhore mund të financohen nga fonde publike dhe fonde private, duke përfshirë edhe kreditë. Dhurimet si nga qytetarët, ashtu edhe nga subjekte juridike, duke përfshirë edhe dhurimet në natyrë, kanë një kufi prej deri në 1 milion lekë (rreth 8,200 Euro), ndërkohë që kontributet që e tejkalojnë shumën prej 100,000 lekësh duhet të bëhen përmes një llogarie bankare të hapur posaçërisht për këtë qëllim. 36) Shpenzimet për fushatë gjithsej nuk mund të tejkalojnë shumën ekuivalente prej përkatësisht 408 milionë lekësh dhe 20.4 milionë lekësh për partitë politike dhe për kandidatët e  pavarur. Dhurimet nga burime anonime janë të ndaluara. Më 16 maj, parlamenti alokoi një shumë prej 65 milionë lekësh për qëllime të fushatës për partite politike. Më 10 qershor, KQZ-ja e ndau këtë shumë mes palëve garuese në raport me rezultatet e tyre në zgjedhjet e mëparshme vendore: rreth 41 milionë lekë i shkuan PS-së, kurse pjesa tjetër 35 partive të tjera garuese. Kandidatët e pavarur nuk kanë të drejtë të marrin fonde publike. KQZ-ja është organi mbikqyrës për çështjet e financimit të fushatës. Ajo çka ishte pozitive ishte se më 11 prill, KQZ-ja nxori një udhëzim për verifikimin e shpenzimeve të fushatës, në bazë të të cilit emëroi më pas ekspertë financiarë të ngarkuar me paraqitjen e raporteve të përjavshme mbi përdorimin e fondeve për fushatë. Këto raporte u publikuan në faqen zyrtare të KQZ-së. Ndonëse disa prej këtyre raporteve ishin voluminoze, ato nuk përmbanin në pjesën më të madhe të tyre analiza të hollësishme të shpenzimeve për fushatë. Përveç të tjerash, në disa raporte përshkruheshin edhe vështirësitë për gjetjen e zyrave të disa partive, gjë që pengoi efektivisht auditimin. Më 8 maj, KQZ-ja miratoi një formular të standardizuar dhe disa udhëzime të reja për raportimin e financave të fushatës, i cili u kërkua të përdorej nga kandidatët për kryetarë bashkie dhe nga partite politike për regjistrimin, dokumentimin dhe raportimin në lidhje me fondet e tyre të fushatës. 37) Subjektet zgjedhore janë të detyruara të publikojnë dhe të paraqesin raporte përfundimtare për financat dhe shpenzimet e tyre për fushatë brenda 60 ditësh nga shpallja e rezultateve zyrtare. Brenda pesë ditësh nga shpallja e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, KQZ-ja duhet të caktojë audituesit për të shqyrtuar raportet përfundimtare të garuesve për financat e fushatës. KQZ-ja mund të vendosë gjoba ndaj kandidatëve garues për mosrespektim të rregullave financiare të fushatës, si dhe për mosbashkëpunim me audituesit e KQZ-së. Një sërë sanksionesh dhe gjobash progresive parashikohen edhe për dhuruesit që shkelin rregullat e financimit të fushatës. Megjithatë, KQZ-ja vuri re mungesë të dispozitave ligjore që do t’i jepnin kompetencën KQZ-së të kryente hetime të thelluara të financimit të fushatës, veçanërisht hetime me iniciativën e saj ose hetime të transaksioneve jashtë vendit.

MEDIA

Mjedisi i larmishëm mediatik kufizohet nga një treg i kufizuar reklamash. Sipas shumicës së bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it, shkalla e kufizuar e fitimit të mediave ka bërë që ato të veprojnë si platformë për pronarët e tyre. Në mungesë të një vetërregullimi efikas dhe për shkak të pasigurisë për punën, gazetarët mbeten të prekshëm nga presioni dhe shpesh nga autocensura. Televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit politik. Përqendrimi i pronësisë së mediave u konsolidua edhe më tej nëpërmjet procesit të dixhitalizimit, i cili rezultoi në kontrollin nga një familje të tre prej pesë frekuencave televizive private kombëtare. Ndonëse liria e shprehjes parashikohet në Kushtetutë dhe në legjislacionin për median, shpifja mbetet një vepër penale e dënueshme me gjobë prej deri në 3,000,000 lekë. 38) Mbulimi i fushatës në median audiovizive rregullohet hollësisht në Kodin Zgjedhor, ndërsa media e shtypur dhe ajo online janë në një masë të madhe të parregulluara. Ligji u ofron gjithashtu minutazh transmetimi falas në transmetuesin publik edhe “partive të regjistruara”, gjë që KQZ-ja e interpretoi ngushtësisht si ata që marrin pjesë në zgjedhje.39 Transmetuesit që pranojnë mbulim të fushatës me pagesë duhet t’u ofrojnë garuesve të njëjtat çmime dhe t’ia dërgojnë listën e çmimeve KQZ-së. 40) Vetëm 7 nga 54 transmetues privatë ia dërguan listën e çmimeve KQZ-së dhe ata që të gjithë e informuan MVZ-në e ODIHR-it se nuk ishte blerë asnjë hapësirë reklamimi. Gjatë tre ditëve të fundit të fushatës, pesë transmetues private transmetuan falas reklama të BD-së. 41)Sipas listës së çmimeve, vlera e hapësirës së ofruar falas nga disa media e ka tejkaluar kufirin e vendosur për dhurimet individuale në natyrë për fushatë. Bordi i Monitorimit të Medias (BMM) mbikqyr respektimin nga ana e mediave të Kodit Zgjedhor. Megjithëse ky organ i posaçëm duhet të ishte ngritur nga KQZ-ja 40 ditë përpara fillimit të fushatës, ai u ngrit vetëm më 28 maj. E ndihmuar nga rregullatori i medias audiovizive, Autoriteti i Medias Audiovizive, BMM-ja filloi të monitorojë vetëm 14 transmetues më 1 qershor, një ditë pas fillimit të fushatës. Më 3 qershor, BMM-ja i kërkoi KQZ-së të autorizonte marrjen në punë të stafit shtesë me qëllim rritjen e kampionit të monitorimit, kërkesë që nuk iu plotësua. Ndonëse Kodi Zgjedhor kërkon që media audiovizive t’u japë partive politike që kanë fituar më shumë se 20 për qind të vendeve në zgjedhjet e fundit parlamentare dyfishin e mbulimit në emisionet informative që marrin partitë e tjera parlamentare, BMM-ja monitoroi vetëm partitë që morën pjesë në zgjedhje. Për shkak të ngritjes së saj me vonesë, BMM-ja i paraqiti dy raportet e saj të para javore vetëm më 18 qershor. 42) Në tre raporte javore, BMM-ja ka propozuar arbitrarisht që KQZ-ja t’i urdhërojë të 14 mediat e monitoruara që të kompensojnë Partinë Social Demokrate dhe 2 media që të kompensojnë BD-në me 30 minuta mbulim në emisionet informative. KQZ-ja e la në fuqi këtë propozim më 22 qershor dhe i urdhëroi mediat ta ofronin këtë minutazh. Sipas raporteve më të fundit të MMB-së, media nuk e zbatoi këtë urdhër. Shumë bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it e kanë kritikuar praktikën e përhapur të ofrimit nga ana e partive politike kryesore dhe zyrtarëve publikë të regjistrimeve të gatshme ose regjistrimeve të drejtpërdrejta për median lidhur me aktivitete zyrtare ose aktivitete të fushatës që janë të mbyllura për median. 43) Ndonëse më 3 qershor, BMM-ja u kishte bërë thirrje mediave t’i etiketonin qartë dhe dukshëm të gjitha mbulimet e fushatës zgjedhore në emisionet informative të prodhuara nga partite politike, këto transmetime vazhduan të ishin të paidentifikuara përgjatë gjithë fushatës, duke i keqorientuar me gjasë teleshikuesit rreth natyrës së përmbajtjes së tyre. Përveç kësaj, disa bashkëbisedues të MVZ-s së ODIHR-it theksuan se zakonisht aktivitetet zyrtare dhe aktivitetet e fushatës së Kryeministrit Rama u filmuan dhe u transmetuan ekskluzivisht nga kanali me bazë Facebook-un, ERTV, të cilin transmetuesit e tjerë kishin mundësi vetëm ta ritransmetonin. 44) Praktika e kufizimit të aksesit të medias në aktivitetet publike të organizuara nga zyrtarët e shtetit dhe partite politike i ka kufizuar mundësitë e zgjedhësve për të marrë informacione objektive gjatë fushatës. Monitorimi i medias nga MVZ-ja e ODIHR-it tregon se kjo fushatë e vakët mbeti në hije për shkak të krizës së vazhdueshme politike, me fokusimin e lajmeve dhe debateve të shumta televizive në mediat e monitoruara tek akuzat dhe kundërakuzat e PD-së dhe PS-së, të cilat u ndezën edhe më shumë pas nxjerrjes nga Presidenti të dekretit të 10 qershorit. 45) Kjo e ka ngushtuar informacionin e zgjedhësve për garuesit, sidomos jashtë kryeqytetit, duke ua kufizuar mundësitë e bërjes së një zgjedhjeje të mirëinformuar. Përjashtim të dukshëm bëri mbulimi mediatik i fushatës aktive nga kryetari aktual i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vjen nga PS-ja dhe prezantimet e kandidatëve të PS-së nga kryetari i partisë. Kandidatet dhe politikanet gra morën mbulim shumë të kufizuar, pasi media u fokusua kryesisht te lidershipi i partive kryesore. PD-ja dhe PS-ja dominuan mbulimin politik në edicionet informative në të gjitha mediat e monitoruara, ku PS-ja mori midis 29 dhe 34 përqind, kurse PD-ja midis 20 dhe 26 përqind të këtij mbulimi. Polarizimi politik u reflektua në tonin e këtij mbulimi. Veçanërisht, dy televizionet më të ndjekura, Top Channel dhe TV Klan, e mbuluan PS-në me tone kryesisht pozitive dhe neutrale, kurse PD-në me tone kryesisht neutrale dhe negative. Në kontrast me to, News 24 e mbuloi PS-në me tone kryesisht negative dhe neutrale, kurse PD-në me tone kryesisht neutrale dhe pozitive. Po kështu, Vizion Plus e mbuloi PD-në në një mënyrë kryesisht pozitive dhe neutrale, kurse PS-në në mënyrë më të ekuilibruar dhe në një raport të barabartë mbulimi pozitiv dhe negativ. Kanali publik, RTSH-1 ishte më neutral se mediat private, ku PS-ja u mbulua në një mënyrë kryesisht neutrale dhe pozitive, kurse PD-ja me ton kryesisht neutral. 46)

ANKESAT DHE APELIMET

Kodi Zgjedhor parashikon që çdo parti politike apo kandidat i propozuar nga një grup zgjedhësish të ketë mundësinë të ankohet në KQZ ndaj vendimeve të KZAZ-ve që prekin interesat e tyre të ligjshme brenda tre ditësh nga shpallja e vendimit. Zgjedhësit mund të ankohen për gabime në listat e zgjedhësve duke iu drejtuar gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës. KQZ-ja shqyrton të gjitha ankesat ndaj vendimeve të KZAZ-së dhe duhet të dalë me vendim brenda dy ditësh. Ndaj vendimeve të KQZ-së mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor, brenda pesë ditësh, nga subjektet zgjedhore, të cilave u preken interesat e ligjshme. Partitë politike që nuk marrin pjesë në zgjedhje nuk e kanë legjitimitetin për t’u ankuar në Kolegjin Zgjedhor. KQZ-ja i merr vendimet mbi ankesat në seanca të hapura dhe duhet t’i zbardhë vendimet e saj të arsyetuara në faqen e saj zyrtare brenda 24 orësh. Palët nuk njoftohen me shkrim për vendimin e KQZ-së. Publikimi i disa prej vendimeve të KQZ-së u bë me vonesë, gjë që bëri që disa parti të humbnin afatin pesë-ditor për t’u ankuar në Kolegjin Zgjedhor. 47) Më 30 maj dhe 6 qershor, Kolegji Zgjedhor vendosi se KQZ-ja nuk është e detyruar t’ua komunikojë vendimet e saj palëve, por se janë këto të fundit që duhet të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në mbledhjet përkatëse të KQZ-së ose që, përndryshe, të informohen për vendimet e zbardhura të KQZ-së nga faqja zyrtare e KQZ-së. Prandaj, procedura e njoftimit të palëve dhe e publikimit të vendimeve të KQZ-së mbi ankesat nuk është gjithmonë efiçente ose e favorshme për zgjidhje efikase, në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së. 48) Si autoriteti më i lartë për mosmarrëveshjet zgjedhore, Kolegji Zgjedhor, me ligj, përbëhet nga tetë gjyqtarë, të cilët zgjidhen me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Si rrjedhojë e procesit të vetingut të gjyqtarëve, Kolegji Zgjedhor ka aktualisht vetëm gjashtë gjyqtarë. 49) Ndonëse kaq mjafton për gjykimin me trupa prej pesë gjyqtarësh, siç e kërkon ligji, disa seanca është dashur të shtyhen për shkak të numrit të pamjaftueshëm të gjyqtarëve për arritjen e kuorumit. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor duhet të merren brenda dhjetë ditësh; ato janë të formës së prerë dhe duhet të zbardhen brenda tre ditësh nga marrja e vendimit. Ndonëse vendimet jepen në seanca të hapura për publikun, ato janë të aksesueshme vetëm në faqen zyrtare të Kolegjit Zgjedhor për personat që kanë një fjalëkalim të posaçëm, gjë që nuk e lehtëson informimin e përgjithshëm të publikut rreth rregullave të procesit zgjedhor dhe nuk kontribuon në transparencën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore.

Si KQZ-ja, ashtu edhe Kolegji Zgjedhor iu përmbajtën afateve të parashikuara me ligj për gjykimin e mosmarrëveshjeve zgjedhore. Deri më 30 qershor, në KQZ u paraqitën 16 ankesa ndaj vendimeve të KZAZ-ve, kryesisht në lidhje me regjistrimin e kandidatëve. Trembëdhjetë vendime të KQZ-së u ankimuan në Kolegjin Zgjedhor, i cili hodhi poshtë tre prej tyre dhe la në fuqi nëntë vendime të KQZ-së. 50) Interpretimi i ngushtë i Kolegjit Zgjedhor të legjitimitetit të palëve garuese për të kundërshtuar regjistrimin e garuesve të tjerë cenon të drejtën për t’u ankimuar ndaj ligjshmërisë së regjistrimit të kandidatëve. 51) Më 13 qershor, KQZ-ja hodhi poshtë kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në zgjedhje, duke e bazuar vendimin pjesërisht tek arsyetimi se dekreti i Presidentit i dates 10 qershor është i pavlefshëm. Më 24 qershor, Kolegji Zgjedhor e hodhi poshtë ankimin ndaj vendimit të KQZ-së dhe e konstatoi gjithashtu të pavlefshëm dekretin e 10 qershorit të Presidentit. 52) Më 29 qershor, Prokuroria e Përgjithshme raportoi për 12 procedime për vepra penale që lidhen me zgjedhjet, duke përfshirë në total 75 persona të ndaluar ose të arrestuar.53 Akuzat përfshinin thirrje publike për dhunë, organizimin ose pjesëmarrjen në manifestime të paligjshme, bllokim rrugësh, shkatërrim të pronës me lëndë shpërthyese, si dhe pengim të administratës zgjedhore dhe shkatërrim të materialeve zgjedhore. Partitë opozitare i konsiderojnë të motivuara politikisht disa prej këtyre rasteve. Përveç kësaj, disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it shprehën shqetësime rreth mungesës në përgjithësi të efikasitetit të hetimeve penale, gjë që çon në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë për krime zgjedhore në të kaluarën, përfshirë edhe veprat e shitblerjes së votive dhe ushtrimin e presionit mbi votuesit.

PAKICAT KOMBËTARE

Ligji parashikon të drejta të plota politike, civile dhe sociale për pakicat kombëtare dhe u garanton të drejtën për të votuar dhe për të kandiduar në zgjedhje të gjithë shtetasve, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike, racës, besimit fetar dhe gjuhës. Fushata lejohet të bëhet në gjuhët e pakicave kombëtare. Aktet zyrtare të administratës zgjedhore dalin vetëm në gjuhën shqipe; megjithatë, janë vëzhguar edhe diskutime pune gjatë takimeve të KZAZ-ve edhe në gjuhën e një pakice kombëtare, pa incidente. Nuk u vërejt përgjithësisht diskriminim i drejtpërdrejtë ndaj pakicave kombëtare gjatë procesit zgjedhor. Duke qenë se disa parti të pakicave kombëtare vendosën t’i bashkoheshin bojkotimit të zgjedhjeve, në disa komunitete, ku pakicat kombëtare mund të paraqesin zakonisht kandidatë, zgjedhësve nuk iu dha kjo mundësi. 54) KQZ-ja e informoi MVZ-në e ODIHR-it se materialet për edukimin e zgjedhësve në lidhje me funksionimin e sistemit zgjedhor dhe procedurave të votimit po prodhoheshin në gjuhët e pakicave kombëtare, gjë që kërkohet pjesërisht nga Ligji për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. MVZ-ja e ODIHR-it nuk hasi asnjë material të tillë dhe asnjë nga bashkëbiseduesit nuk raportoi të kishte parë të tilla materiale nëpër rrethe. KQZ-ja, me mbështetje ndërkombëtare, ka zhvilluar më parë programe trajnimi për edukimin e zgjedhësve, duke pasur në fokus komunitetet rome dhe egjiptiane. Megjithatë, bashkëbisedues të ndryshëm të MVZ-së së ODIHR-it raportuan se romët mbeten veçanërisht të prekshëm nga praktikat e shitblerjes së votave, si dhe problemeve të regjistrimit të popullsisë dhe regjistrimit të zgjedhësve për shkak të mungesës së një adrese të përhershme. MVZ-ja e ODIHR-it ka marrë raportime për shpërndarje mallrash në komunitete rome, të cilat disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it i kanë konsideruar si një mënyrë për të influencuar votimin.

VËZHGUESIT VENDORË DHE NDËRKOMBËTARË

Kodi Zgjedhor parashikon vëzhgimin e zgjedhjeve si nga vëzhgues vendas, ashtu edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. Partitë parlamentare dhe koalicionet mund të caktojnë përfaqësuesit e tyre të përhershëm në KQZ, kurse partitë e tjera kanë të drejtë të caktojnë përfaqësuesit e tyre vetëm gjatë periudhës zgjedhore. E drejta e caktimit të vëzhguesve që përfaqësojnë koalicionet u takon vetëm koalicioneve dhe jo partive politike pjesë përbërëse të tyre. Kandidatët që garojnë kanë të drejtë të caktojnë një vëzhgues në çdo KZAZ, KQV dhe VNV përkatëse. KQZ-ja regjistroi 494 vëzhgues ndërkombëtarë, si dhe 630 vëzhgues vendas nga gjashtë organizata. Ndonëse nuk u ngrit asnjë problem në lidhje me akreditimin e vëzhguesve vendas, disa OJQ e informuan MVZ-në e ODIHR-it se do të tërhiqeshin nga aktivitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe të edukimit të zgjedhësve për të mos u perceptuar sikur po shprehnin preferenca politike.

DITA E ZGJEDHJEVE

Votimi u krye pas një sërë njoftimesh nga shumica e bashkive të drejtuara nga opozita se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin më 30 qershor. Disa kryetarë bashkish u përpoqën të përdorin kompetencat e tyre për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike si qendra votimi. Në një numër të vogël qendrash votimi pati dëmtime nga zjarrvënia para ditës së zgjedhjeve.55 KQZ-ja konfirmoi se votimi nuk u zhvillua në shtatë qendra votimi. Dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht paqësore, megjithë disa raste të izoluara tensionesh dhe përplasjesh në një numër të vogël komunitetesh. Pjesëmarrja në votim varionte nga një bashki në tjetrën, ndërkohë që në shkallë vendi, KQZ-ja deklaroi se ajo arriti 21.6 përqind. Prania e vëzhguesve të partive politike (në më shumë se dy të tretat e të gjitha vëzhgimeve) dhe vëzhguesve qytetarë (një e pesta e vëzhgimeve) kontribuuan në transparencën e procesit. Megjithatë, në tre për qind të vëzhgimeve, vëzhguesit e partive ose aktivistët u panë të ndërhynin në administrimin e procesit. 56) Hapja e votimit u vlerësua negativisht në 9 prej 73 qendrave të vëzhguara të votimit, ku gjysma u hapën me vonesë, kurse shumica me më pak se 15 minuta vonesë. Në 11 qendra votimi, vëzhguesit e MVZ-së së ODIHR-it vunë re se nuk u ndoqën procedurat e hapjes së votimit, duke përfshirë mosdepozitimin e të dhënave të vulosjes së kutive të votimit. Votimi qe përgjithësisht i qetë dhe u vlerësua pozitivisht në 94 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it. Në shumë raste, aktivistët e partive politike (kryesisht PS dhe PD) mbajtën shënime për zgjedhësit që votuan, duke sfiduar të drejtën e tyre për të votuar të lirë dhe pa frikën e ndëshkimit. 57) Pothuajse dy të tretat e qendrave të vëzhguara të votimit nuk krijuan mundësi për hyrjen në mënyrë të pavarur të zgjedhësve me aftësi të kufizuar. Në 23 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara, votuesit u kthyen mbrapsht, kryesisht për arsye të vlefshme, ku në dy të tretat e rasteve u orientuan drejt qendrave të tjera të votimit. Ky ishte një tregues i ndikimit që pati ndryshimi në moment të fundit i vendndodhjes së qendrave të votimit për shkak të bllokimit të tyre nga aktivistë të opozitës apo njoftimit joefikas të zgjedhësve. Zgjedhësit nuk u kontrolluan gjithmonë nëse e kishin shenjën e bojës së votimit në gisht në një të pestën e qendrave të vëzhguara të votimit, kurse në rreth 10 përqind të rasteve, ata nuk u shënjuan gjithmonë me bojë para se t’u jepeshin fletët e votimit, duke anashkaluar kështu disa elementë garancie kyç kundër votimit të shumëfishtë. Në 16 përqind të qendrave të vëzhguara të votimit, të njëjtët persona tentonin të asistonin disa zgjedhës që kishin nevojë për ndihmë. Votimi në grup, përfshirë edhe votimin familjar, u vu re në 10 përqind të vëzhgimeve, kurse votimi me prokurë u vu re në 2 përqind të vëzhgimeve. Disa votues kishin frikë se qoftë edhe vetëm pjesëmarrja në votim do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku kandidatët e PS-së garonin pa kundërshtarë. Në rreth 10 përqind të qendrave të vëzhguara të votimit, zgjedhësit nuk e shënjuan fletën e tyre të votimit gjithmonë në mënyrë të fshehtë. Mbyllja e votimit u vlerësua negativisht në 7 prej 69 rasteve të vëzhguara. Rreth tre të katërtat e të gjitha qendrave të vëzhguara të votimit u mbyllën në kohë, kurse shumica e të tjerave brenda 15 minutave pas orës së caktuar të mbylljes. Në pothuajse të gjitha rastet e vëzhguara, procedurat e mbylljes u ndoqën me korrektesë dhe KQV-të i transferuan materialet në VNV pa vonesë. Transferimi dhe marrja e materialeve u vlerësuan pozitivisht në të gjitha 62 rasteve të vëzhguara, përveçse në 2 prej tyre. Në 16 raste, VNV-të ishin të mbipopulluara dhe në 5 raste, kutitë e dorëzuara të fletëve të votimit u deklaruan të parregullta. Numërimi u vlerësua pozitivisht në të gjitha 51 VNV-të e vëzhguara, përveçse në 6 pre tyre, ndonëse disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektesë. Konkretisht, numërimi i votave u ndërpre në 6 raste, fletët e votimit nuk hapeshin gjithmonë dhe ajo çka ekspozohej në kamera ishin vulat, kurse pjesa ballore e fletës së votimit nuk u ekspozua gjithmonë në kamera në 11 raste. Sa i përket verifikimit të materialeve zgjedhore, procesverbalet e mbylljes së votimit nuk u gjetën gjithmonë brenda kutisë së votimit në nëntë prej rasteve të vëzhguara. Kopje të tabelës së rezultateve për qendrat e votimit nuk iu dhanë vëzhguesve të partive në 16 raste.

INFORMACION PËR MISIONIN & FALËNDERIME

Tiranë, 1 korrik 2019 – Kjo Deklaratë e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake është rezultat i aktiviteteve të vëzhgimit të zgjedhjeve të ndërmarra nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) të dërguar nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) me ftesë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Ky vlerësim bëhet për të përcaktuar nëse zgjedhjet janë në përputhje me angazhimet e OSBE-së, detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me legjislacionin vendas. Ambasadorja Audrey Glover është Drejtuesja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it, mision i dërguar që prej datës 22 maj. Ky mision i ODIHR-it përbëhet nga 14 ekspertë në kryeqytet dhe 18 vëzhgues afatgjatë të dërguar në të gjithë vendin. Në ditën e zgjedhjeve, u përfshinë 174 vëzhgues nga 33 vende. Hapja e procesit u vëzhgua në 73 QV, kurse votimi u vëzhgua në 743 QV në të gjithë vendin. Mbyllja e votimit u vëzhgua në 71 qendra votimi. Numërimi u vëzhgua në 85 QNV. Kjo Deklaratë e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake jepet para përfundimit të procesit zgjedhor. Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet pjesërisht nga zhvillimi i fazave të tjera të procesit zgjedhor, duke përfshirë numërimin, nxjerrjen dhe shpalljen e rezultateve, si dhe nga mënyra e trajtimit të ankesave apo apelimeve të mundshme pas ditës së zgjedhjeve. ODIHR-i do të dalë me një raport përfundimtar gjithëpërfshirës, duke përfshirë edhe rekomandimet për përmirësime të mundshme, rreth tetë javë pas mbylljes së procesit zgjedhor. Misioni i ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dëshiron të falënderojë autoritetet për ftesën për të vëzhguar zgjedhjet, si dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për asistencën e dhënë. Ai shpreh gjithashtu vlerësimin edhe për institucione të tjera shtetërore, partitë politike, median dhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe për përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar për bashkëpunimin.

Për informacione të mëtejshme, ju lutemi kontaktoni:

  • Ambasadore Audrey Glover, Shefe e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it në

Tiranë (+355 445 30 400);

  • Lauren Baranowska, Redaktore e ODIHR-it (+355 689 900 074 ose +48 609 522 266), ose

Alexey Gromov, Këshilltar i ODIHR-it për Zgjedhjet në Varshavë (+48 663 910 311);

Adresa e Misionit të ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve:

Rruga “Bardhok Biba”, kati i 3të

Ndërtesa Trema, 1001, Tiranë, Shqipëri

Tel: + 355 445 30 400; Fax: + 355 445 30 401, Email: office@odihr.al

Versioni në gjuhën angleze i këtij raporti është i vetmi dokument zyrtar. Në gjuhën shqipe vihet në dispozicion përkthimi jozyrtar.

 

 

—————————

 

 

  1. Në këtë kërkesë të datës 17 qershor pretendohej, mes të tjerash, se Presidenti kishte cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve dhe të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur.
  2. Raporte të mëparshme të ODIHR-it kanë tërhequr vëmendjen ndaj një mungese të hershme besimi mes PD-së dhe PS-së.
  3. Shih ‘Letrën e Shtatë’ të Kryeministrit të datës 1 qershor.
  4. Dy anëtarë propozohen nga partia më e madhe e shumicës parlamentare, kurse dy nga partia më e madhe opozitare.Përveç kësaj, partia e dytë më e madhe e shumicës parlamentare dhe e opozitës propozojnë një anëtar secila.
  5. Zëvendëskryetari aktual i KQZ-së është ish-kryetari i saj: si rrjedhojë e marrëveshjes politike të 2017-ës, ai u emërua në KQZ nga kuotat e PR-së. 6 Për shembull, gjatë rrëzimit të kërkesës së opozitës për të zëvendësuar anëtarët e KZAZ-ve, KQZ-ja i dha një efekt normativ këtij vendimi dhe i udhëzoi KZAZ-të të mos i pranonin të emëruarit nga PD-ja dhe PS-ja as për KQV-të dhe për grupet e numërimit.
  6. Shih edhe “Regjistrimin e Kandidatëve”. Paragrafi 68 i Raportit Shpjegues të Kodit të Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias në Çështjet Zgjedhore të vitit 2002 shprehet se “Vetëm transparenca, paanshmëria dhe pavarësia nga manipulimet e motivuara politikisht garantojnë administrimin e duhur të procesit zgjedhor, që nga periudha parazgjedhore e deri në fund të nxjerrjes së rezultateve”.
  1. Tre anëtarë duhet të ishin emëruar nga PS-ja, dy nga PD-ja dhe një nga LSI-ja. PD-ja dhe PS-ja mund të emëronin edhe anëtarin e shtatë në 45 KZAZ secila. Në gjysmën e KZAZ-ve, kryetari emërohet nga PS-ja, kurse në gjysmën tjetër nga PD-ja. Zëvendëskryetari dhe sekretari i përkasin partisë politike kryesore që nuk kryeson KZAZ-në përkatëse.
  2. Rrjedhimisht, PS-ja emëroi katër komisionerë, duke përfshirë edhe kryetarët, në 45 KZAZ, ndërsa në 45 KZAZ-të e tjera kishte tre anëtarë të emëruar nga PS-ja, një të emëruar nga KQZ-ja, por jo kryetar.
  3. Sipas ligjit, anëtarët e KZAZ-ve të emëruar nga KQZ-ja mund të zëvendësoheshin me ata që do të kishin propozuar partitë politike brenda 31 majit.
  4. Dispozita të ndryshme të Kodit Zgjedhor mbi përbërjen e administratës zgjedhore u referohen “partive politike që përfaqësojnë shumicën parlamentare dhe opozitën parlamentare”, “partive politike të regjistruara” dhe “subjekteve zgjedhore”. Në vendimin e saj Nr. 657 të datës 23 maj, KQZ-ja e lidhi të drejtën e partive parlamentare për të emëruar komisionerë me regjistrimin e tyre si subjekte zgjedhore.
  5. Me ligj, KQV-të ngrihen dhe emërohen, duke përdorur një formulë të ngjashme me KZAZ-të. Ligji nuk e  parashikon shprehimisht se si plotësohen vendet vakante në KQV, por parashikon që KZAZ-të “të marrin masat e nevojshme” për t’i mundësuar KQV-ve arritjen e kuorumit me shumicë të thjeshtë.
  1. Qëndrimi i KQZ-së mbi pavlefshmërinë e dekretit të Presidentit u shpreh si arsyetim i vendimit të tij të 13 qershorit për të mos pranuar kërkesën e një partie për t’u tërhequr nga zgjedhjet. Kolegji Zgjedhor e la më pas në fuqi këtë vendim të KQZ-së.
  2. Në disa bashki, pas kësaj erdhën tentativa për t’i nxjerrë organet e administrimit të zgjedhjeve nga ambientet e tyre. Në Kamëz, Kavajë, Klos, Kukës, Mat, Shkodër, Tropojë dhe Vorë, kjo çoi në përplasje të dhunshme, zjarrvënie dhe shkatërrim të ambienteve dhe materialeve zgjedhore. Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, shumë administrate bashkiake shpallën mbajtjen e aktiviteteve kulturore në ambientet e votimit dhe numërimit në prag të ditës së zgjedhjeve dhe në vetë ditën e zgjedhjeve.
  3. I ashtuquajturi Ligj i Dekriminalizimit ua pezullon të drejtat për votim shtetasve që janë duke vuajtur një dënim me burg për kryerjen e veprave penale të parashikuara në rreth 60 nene të Kodit Penal.
  4. Shih nenet 12 dhe 29 të Konventës së vitit 2006 për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (KDPAK). Shih gjithashtu pikën 9.4 të Komunikatës 1 me Nr. 4/2011 të vitit 2013 të Komitetit të KDPAK-së (Zsolt Bujdosó e të tjerë kundër Hungarisë, ku thuhet se: “Neni 29 nuk parashikon asnjë kufizim të arsyeshëm dhe as nuk lejon asnjë përjashtim për asnjë nga grupet e personave me aftësi të kufizuar. Për këtë arsye, përjashtimi nga e drejta për të votuar për shkak të një aftësie të kufizuar psikosociale apo intelektuale të mirëqenë apo të perceptuar, duke përfshirë edhe kufizimin sipas një vlerësimi të individualizuar, përbën diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar”.
  5. Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Komentin e Përgjithshëm 25 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejta Civile dhe Politike konfirmon ekzistencën e një tendence të re të dhënies së të drejtave për të votuar banorëve të përhershëm në zgjedhjet vendore. Kodi i Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias në Çështjet Zgjedhore i vitit 2002 shprehet: “Do të ishte e rekomandueshme që të huajve t’u jepet mundësia për të votuar në zgjedhjet vendore pas një kohe të caktuar qëndrimi në vendin përkatës”.
  6. Listat e zgjedhësve hartohen nga zyrat vendore të gjendjes civile, ku zgjedhësit futen sipas vendbanimit të tyre.
  7. Sipas censusit të vitit 2011, popullsia e Shqipërisë arrinte në 2,831,741.
  8. Në një sërë ZAZ-sh, zgjedhësit pretendonin se nuk i kishin marrë këto njoftime. Përveç kësaj, Nënkryetari I Bashkisë Shkodër e informoi MVZ-në e ODIHR-it se ishte përgjegjësi e KZAZ-ve që të shpërndanin njoftimet për zgjedhësit, kurse në ZAZ-në Nr. 30 (Tiranë), njoftimet u shpërndanë me ndihmën e vullnetarëve të PS-së.
  9. Këtu përfshihen shtetasit e dënuar për krime të caktuara ose shtetasit e deportuar, madje edhe në mungesë të një vendimi të formës së prerë të gjykatës, nga shtetet anëtare të BE-së, Australia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe ata që janë objekt të urdhrave ndërkombëtare të ndalimit.
  10. Këtu përfshihet Presidenti, zyrtarët e lartë shtetërorë, prokurorët, ushtarakët, punonjësit e policisë dhe të strukturave të sigurisë kombëtare, diplomatët dhe anëtarët e komisioneve zgjedhore.
  11. Më 2013-ën dhe 2015-ën, KQZ-ja refuzoi regjistrimin e Partisë Civile të Shqipërisë dhe Partisë Shkodra 2015, të cilat nuk kishin paraqitur vendime të formës së prerë të gjykatës për regjistrimin e tyre si parti politike.
  12. Kodi Zgjedhor nuk specifikon se si duhet të llogaritet kjo periudhë gjashtë-mujore në Parlament, në Këshillin Bashkiak apo në postin e Kryetarit të Bashkisë. KQZ-ja i regjistroi kandidatët e BD-së mbi bazën e vërtetimeve të lëshuara nga Parlamenti, në të cilat periudha gjashtë-mujore llogaritej duke u nisur nga data e përfundimit të mandatit të tyre në vitin 2021.
  13. Disa nga këto vendime u morën duke pasur kundër votën e Kryetarit të KQZ-së. Për shkak të vonesave të konsiderueshme në publikimin e këtyre vendimeve, MVZ-ja e ODIHR-it nuk qe në gjendje të vlerësonte shkaqet ligjore të rifutjes së kandidatëve në garë.
  14. Përfaqësues të BD-së e informuan MVZ-në e ODIHR-it se disa prej kandidatëve të tyre u tërhoqën për shkak të presionit nga PD-ja (në Kamëz, Kavajë dhe Lezhë), kurse njëri për shkak të presionit nga PS-ja (në Skrapar). Përveç kësaj, një nga kandidatët pretendoi se i ishte falsifikuar firma në dokumentet e regjistrimit.
  15. Posteri për edukimin e zgjedhësve përmbante oraret e votimit, por jo datën e zgjedhjeve. MVZ-ja e ODIHR-it vuri re materiale vizuale të afishuara jashtë zyrave rajonale të PS-së dhe brenda tyre, si dhe brenda distancës së kërkuar prej pesë metrash, në të gjithë vendin. BD-ja hapi një numër të vogël zyrash zgjedhore në disa qytete, duke afishuar materiale të fushatës në pjesën e jashtme të tyre në vende të ndryshme dhe duke shpërndarë fletëpalosje.
  16. Përjashtim bëri Durrësi, ku më 22 qershor, në një debat të organizuar nga OJQ-të lokale, kandidatët për kryetarë bashkie diskutuan çështje të zhvillimit të komunitetit para një audience prej 200 vetësh.
  17. Kryeministri bëri fushatë për aleancën e drejtuar nga PS-ja në bashkitë e drejtuara nga PS-ja dhe në ato që drejtohen nga partitë opozitare. Gjatë dy javëve të fundit të fushatës, mbështetësit e opozitës organizuan kundërprotesta që nuk çuan në incidente të rënda. Megjithatë, më 20 qershor, kryetarja e bashkisë Shkodër tentoi të ndalonte një tubim fushate të PS-së dhe doli njëkohësisht në krye të një proteste, në të cilën u hodhën mjete zjarrvënëse në drejtim të një kordoni të ngjeshur policie që qëndronte mes dy tubimeve. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
  18. Për shembull, duke folur me median gjatë një proteste të udhëhequr nga PD-ja më 2 qershor, ish-Presidenti Sali Berisha e përshkroi Kryeministrin si një “kufomë politike të pakallur”. Politikanët i referoheshin zakonisht njëritjetrit, duke përdorur nofka, të cilat ishin shpesh përbuzëse. Kryeministri i referohej shpesh drejtuesit te PD-së si “Pinoku”, kurse drejtueses së LSI-së si “fallxhorja”.
  19. Me fillimin e fushatës, komisioni përgjegjës sipas Ligjit të Nëpunësve Civilë për mbikëqyrjen e administratës civile nxori rekomandime për neutralitet, paanshmëri dhe integritet në kryerjen e detyrës gjatë periudhës zgjedhore.
  20. Shumica e punonjësve në shërbimin civil punësohen me kontrata afatshkurtra dhe në kohën e ndryshimit të qeverisë vendore ka shumë lëvizje stafi. Në Elbasan (kryetar i PS-së) dhe në Skrapar (kryetari I LSI-së), ku kandidatët e koalicionit të drejtuar nga PS-ja garuan pa kundërshtarë, gjatë mitingjeve për fushatë, Kryeministri theksoi se ata që nuk ishin përdorur si “mish për top” të partive politike dhe gratë nuk do ta humbnin punën në administratën e re bashkiake.
  21. PS-ja ka postin e kryetarit të bashkisë në 33 bashki; Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian (AMIE) dhe Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen (MEGA) ka secila nga një kryetar bashkie. Partitë opozitare kanë postin e kryetarit të bashkisë në 26 bashki, përfshirë kryetarët e bashkisë të PD-së në 16 bashki (Devoll, Dropull, Kamëz, Kavajë, Klos, Kukës, Lezhë, Mallakastër, Mat, Përmet, Pogradec, Selenicë, Shkodër, Tropojë, Vau i Dejës, Vorë), kryetarët e bashkisë të LSI-së në 8 bashki (Berat, Bulqizë, Cërrik, Delvinë, Gjirokastër, Kuçovë, Skrapar, Përrenjas), dhe kryetarë bashkie të PDIU-së në Peqin dhe Rrogozhinë.
  22. Mes të tjerash, iu vu zjarri një shkolle në Shkodër; u hodhën koktejle Molotov drejt policisë në Kavajë; protestuesit shkelmuan derën e muzeut të qytetit dhe hodhën brenda bomba tymuese në Tropojë. Më 28 dhe 29 qershor, protestuesit u vunë zjarrin ambienteve të KZAZ-ve në Bushat dhe në Vaun e Dejës. Në Dibër, policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që po hidhnin mjete piroteknike drejt punonjësve të policisë që ruanin ambientet e administrimit të zgjedhjeve.
  23. Politikanet gra të PD-së ishin ndër të parat politikane të të gjitha partive që bënë thirrje për t’i dhënë fund dhunës dhe vandalizmit në Shkodër dhe Tropojë. Komisioni i mbikëqyrjes së shërbimit civil i udhëzoi ekipet e tij monitoruese të verifikonin brenda 24 qershorit nëse personat e përfshirë në akte të dhunshme kundër administrates zgjedhore janë nëpunës civilë dhe, nëse do të ishte kështu, të fillohej ndjekja disiplinore. Më 19 qershor, Ministri i Brendshëm njoftoi se, duke pasur parasysh përdorimin e tyre në disa bashki për të lehtësuar bllokimin e administratës zgjedhore, ai do të riorganizonte policinë bashkiake.
  24. Në një postim në Facebook më 28 qershor, Presidenti Meta u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektonin dhe të mos përplaseshin me ata që do të shkonin në ‘këto votime socialiste” më 30 qershor, ku socialistët “do të votonin dhe do të numëronin vetë”.
  25. 1 Euro është e barabartë me afërsisht 122 lekë.
  26. KQZ-ja i trajnoi kandidatët për kryetarë bashkie mbi dokumentimin e fondeve të marra dhe të shpenzuara gjatë fushatës.
  27. Në dijeninë e MVZ-së së ODIHR-it, janë iniciuar pesë çështje penale kundër medias në vitin 2019.
  28. Më 30 maj, KQZ-ja i caktoi PS-së 60 minuta, Partisë Social Demokrate 30 minuta, të gjitha partive të tjera joparlamentare që morën në pjesë në zgjedhje 10 minuta dhe kandidatëve të pavarur 5 minuta transmetim falas në radio-televizionin publik (RTSH). Garuesit shfaqën interes të kufizuar për to. Monitorimi nga MVZ-ja e ODIHR-it tregon se nga 102 hapësira falas që u ishin caktuar garuesve në RTSH, u përdorën vetëm 37 prej tyre.
  29. Kodi Zgjedhor e kufizon minutazhin e paguar të transmetimit në secilin transmetues privat për të gjithë fushatën në 90 minuta për partitë parlamentare dhe në 10 minuta për partitë joparlamentare dhe kandidatët e pavarur.
  30. Mediat e informuan MVZ-në e ODIHR-it se kishin ofruar minutazh transmetimi falas, pasi BD-ja nuk kishte fonde të mjaftueshme për të marrë minutazh me pagesë. Disa nga këto media nuk paraqitën lista çmimesh në KQZ.
  31. Duke filluar nga 7 qershori, BMM-ja i ka ofruar KQZ-së çdo ditë rezultatet e monitorimit.
  32. Shumica e mediave kombëtare dhe lokale, me të cilat u takua MVZ-ja e ODIHR-it, u ankuan se nuk ishin lejuar të filmonin aktivitetet zyrtare dhe aktivitetet e fushatave ku ishte i pranishëm z. Rama.
  33. Zyra e Komunikimit të Kryeministrit e informoi MVZ-në e ODIHR-it se këto aktivitete janë gjithmonë të hapura për median, ndërkohë që filmimet e prodhuara nga kryeministria dhe zyrat e partisë kanë për qëllim t’i vijnë në ndihmë medias dhe se u takon atyre të zgjedhin t’i përdorin apo jo.
  34. Gjatë periudhës zyrtare të fushatës, MVZ-ja e ODIHR-it monitoroi mbulimin gjatë kohës me shikueshmërinë më të lartë në pesë stacioneve televizive (kanali RTSH-1 i radio-televizionit publik dhe kanalet private News 24, Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus) dhe ndoqi dy burime online (Panorama dhe syri.net).
  35. RTSH-ja e informoi MVZ-në e ODIHR-it se mbulimi i partive opozitare dhe i protestave të tyre ishte më i dukshëm në kanalin e hapur së fundmi informativ 24-orësh, RTSH-24.
  36. Aleanca Kuq-e-Zi, Partia e Aleancës Demokristiane dhe Partia Konservatore Kombëtare e Shqipërisë.
  37. Paragrafi 5.10 i Dokumentit të OSBE-së të Kopenhagenit i vitit 1990 shprehet se “çdo njeri duhet të ketë mjete efikase ankimi ndaj vendimeve administrative, në mënyrë që të garantohet respektimi i të drejtave themelore dhe të sigurohet integriteti juridik”.
  38. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili është pjesë e reformës së vazhdueshme në drejtësi, vlerëson integritetin, pasurinë dhe profesionalizmin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri. Vetingu ka çuar në shumë shkarkime dhe dorëheqje, duke ndikuar kështu në funksionimin e shumë gjykatave dhe prokurorive, duke e lënë veçanërisht Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë pa kuorumin që i nevojitet për të qenë funksionale.
  39. Vendimet e lëna në fuqi kishin të bënin me legjitimitetin e partive politike që nuk marrin pjesë në zgjedhje për të emëruar anëtarë të administratës zgjedhore; legjitimitetin e partive politike në çështjet ku kundërshtohej regjistrimi i partive të tjera për të marrë pjesë në zgjedhje; regjistrimi i kandidatëve; rrëzimi i kërkesave për tërheqjen e kandidatëve; si dhe vendndodhja e qendrave të votimit.
  40. Në vendimin e tij të 9 majit për apelimin kundër regjistrimit të partisë BD, Kolegji Zgjedhor vlerësoi se ankuesi Partia e Bashkimit Demokratik, si dhe garues të tjerë nuk kanë interesa legjitime për të kundërshtuar ligjshmërinë e regjistrimit të partive të tjera garuese dhe se, për këtë arsye, nuk mund të ankohen ndaj vendimeve të KQZ-së për këtë çështje. Seksioni 3.3.f i Kodit të Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias në Çështjet Zgjedhore i vitit 2002 rekomandon se “Të gjithë kandidatët … e regjistruar në zonën zgjedhore duhet të kenë të drejtën e ankimit”.
  41. Dy gjyqtarë u shprehën me mendime paralele se Kolegji Zgjedhor nuk e ka kompetencën të shqyrtojë statusin e dekretit të Presidentit.
  42. Tre ndjekje penale u iniciuan në Shkodër, dy në Dibër, si dhe nga një në Elbasan, Fier, Kavaje, Mat, Pogradec, Tiranë dhe Tropojë. Në shumicën e rasteve, ndjekja përfshinte disa të dyshuar.
  43. Një kandidati grek për kryetar bashkie në Himarë, z. Dhionisios Alfred Beleri, iu mohua regjistrimi nga KQZ-ja për shkak të një dënimi të tij në të kaluarën. Në shqyrtimin e ankesës së tij, më 30 maj, Kolegji Zgjedhor e la në fuqi vendimin e KQZ-së dhe vendosi se z. Beleri nuk e kishte të drejtën të kandidonte deri më 26 dhjetor 2021.
  44. Më 29 qershor, drejtuesi i partisë opozitare PD u bëri thirrje protestuesve që të mbeteshin paqësorë.
  45. MVZ-ja e ODIHR-it vuri re se në disa raste, vëzhguesit qytetarë dukeshin të lidhur me partitë politike.
  46. Në përputhje me paragrafin 7.7 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së, shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së janë angazhuar se “ligji dhe politikat publike do të funksionojnë në mënyrë të tillë që as aktet administrative dhe as dhuna apo presioni … të mos i pengojnë votuesit që të votojnë të lirë dhe pa frikën e ndëshkimit”.
Please follow and like us: