Irma Kurti: Do të më duash përsëri?
A do të më duash në ditë të vrenjtura
kur të jem lagur qull nga lotët e mi,
kur vitet të më kenë mplakur e lodhur,
kur duart me rrudha të të kërkojnë ty?
Kur të njejtën histori apo episod unë
do të nis ta tregoj me dhjetëra herë,
kur nëpër shtëpi të endem pa e ditur
pse-në, si një e vonuar, një e mjerë.
Kur të zvarritem me hapa të ngadaltë
si breshkë e ty s’do të të ndjek dot,
kur sëmundjet të vërsulen pa mëshirë
mendjen edhe trupin të ma pushtojnë.
Thuamë, a do të më duash përsëri?
Marrë nga libri: “Mesazhe nga lart” 2018
Please follow and like us: