Hafize Elshani: Poema e Durimit në këto ditë vere!
Duart me zor që po i punojnë, i djersitur deri sa edhe ofshan nga nxehtësia e madhe, diellin e madh nuk po mundet me ia ndal kapela që e ka ngjitur e që i është bërë e bardhë nga çimentoja e zalli, uji që e ka afër i është nxehur nuk ia shuan etjen, mosha nga 17 deri në 60 vjeç, siç duket nuk ka rëndësi pasi muaji i gjatë dhe duhet siguruar ushqimin për familjen.
Në katin e 10-të po i lutet zotit që të sjell pak shi, pasi shefi i ndërtimit nuk ka hall se a do bjerë nga skelat apo jo.
E merr bllokun edhe e qet te vendi i perit ashtu siç është projekti, nuk ia huq as centimetrin, duart të ndjersitura sikur po qesin flakë në këtë moment.
Por vazhdon e vazhdon me blloqet e radhës, vazhdon duke e shtyrë ditën, ora që e ka në dorë siç duket sot ka ngecur nuk po ecën…
Njëri nga kati i 6-të e thërret: “Durim, a e ki nxehtë, o bir”?
Por ky Durimi po duron, po, po duron edhe ia kthen: “Na kish nemur dikush, bre bir, neve”!
Afër aty vjen inxhinieri, me kollare me syze dhe çelsat e ‘BMW’ i sjell në gisht pasi e pa që një femër aty po ecte me bërë reklamacion.
Durimi me shokët drejtohet inxhinierit “A je lodh” dhe inxhinieri ia kthen “po jam lodhur tepër, ma shumë se ju poooo…”.
U habita se si ka mundësi që një inxhinier i tillë asnjë ‘a u lodhe nuk tha’, por hypi në makinën luksoze dhe shkoi.
Pas ca minutash erdhi pauza e bukës dhe fjalët që u mërmëritën ishin “oooo, s’po du bukë, veç me mujt e me pushu e me pi do ujë ftohtë…”.
Vjen shefi dhe thotë me zë të lartë: “A u lodht, o burrat e dheut”?
Të gjithë një zëri “jo, joooo”!
Ky shefi analfabet dhe me shkarje të rëndë iu drejtohet në formë urdherore: “Çohuni punoni se ju shkoi dita huq”!
Të gjithë kokë ulur, duke punuar, shefi e nxjerr celularin ‘Iphone 10’, shikon sa është temperatura, ia qet që 38 gradë dhe thotë: “Flakën po dojka me ia qit”!
Nga shkallët zbret një djalë i ri rreth të 18-ve dhe i thotë: “Më fal i nderuar shef, sot është dita e 3-të, e kqyra te punonjësja e financës dhe s’kishin dal paret”!
Shefi arrogant ia kthen: “Po s’u ba nami bre, për 3-4 ditë me u vonu se s’ju kam veç juve po plot 300 punëtorë”!
Nuk foli më, por eci edhe ky në veturë dhe mërmëriti disa sharje ndër dhëmbë për të treguar se edhe ai është një lloj shefi.
E unë sot po du me thanë që ‘boll u ba ma’, kisha dasht që nga ky moment inspektoriati i punës me dalë dhe me shku kudo ku punohet dhe të shikojë kushtet e punës në këto ditë vere të nxehta.
Nga sot nëse nuk del Inspektoriati i Punës në terren dhe nuk i ndalon punimet në këto temperature të larta, me siguri do të kemi akte më të rënda, alivanosje, rrëzim nga skelat apo akoma më keq edhe me humbje te jetëve njerëzore dhe përgjegjës ashtu si pronarët do jenë edhe inspektorët.
Ju kolege e kolegë të dashur, mos punoni ka fryn era aman, mos e ndiqni interesin personal, sepse në radhë të parë jemi njerëz e pastaj gazetarë.
E ju “shefa”, “bosa”, pronarë të pashpirt… ka me ju ardhur dita me dhanë llogari!