Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Shahu: Më 2 dhe pas 2 korrikut 1990, bota rinjohu shqiptarët

Rezultate imazhesh për futja ne ambasada

 

Më 2 korrik 1990 u dëbua nga Shqipëria pjesa më vitale e shqiptarëve. Ajo pjesë që brente hekur me dhëmbë. I dëboi atdheu komunist që i shfytyroi njerëzit, i bëri kavie, i ndëshkoi me uri, me mungesë proteine, me kampe përqëndrimi, me burgje, me mungesë lirie, me mungesë shprese, me vrasje ëndrrash.

Po të kishte mundësi informimi si sot dhe po të kishte anije mjaftueshëm, mbase shumica e shqiptarëve do të iknin nga atdheu që nuk premtonte asgjë përveç karikaturës së njeriut të ri që kishte mbetë skelet.

Në atdhe mbeten njerëz heroj për të mbijetuar.

Iku mbreti Zog prej atdheu në prill 1939, por la një popull patriot, sepse kur vendi u pushtua nga Italia, shqiptarët rendën drejt depove të armëve dhe kërkonin pushkë për të luftuar kundër italianëve, edhe pse mbreti i tyre nuk u priu në luftë, siç dua unë edhe për një ditë, qoftë për të fituar e qoftë për të humbur.

Kur ra diktatura e Enver Hoxhës, shqiptarët, në krahasim me kohën e mbretit Zog, desh e braktisën atdheun të gjithë se diktatura ua kishte heqë palcën shqiptare, i kishte trajtue si njerëz të rij, si Lejfenë, nuk kishte ndërtue shtëpia për shqiptarët por bunkerë për trillet e manitë e diktatorit, ua kishte zhbë dinjitetin dhe arsyet për të qenë krenarë se janë shqiptarë, ua kishte zhduke fenë e zotin dhe fe kishte bërë partinë e zot diktatorin dhe parulla sunduese ishte Partia – Shqipëria. Pra diktatura atdhe na kishte bërë partinë, Shqipëri na kishte bërë partinë.

Po të ishin në atdhe shqiptarët që u dëbuan, nuk do të kishte shans asnjë qeveri që të tërhiqte zvarrë këtë popull, sepse ata guximtarët vitalë që shaluan vdekjen, nuk do të mund të duronin asnjë lloj qeverie që t’ua fuste gishtat në hundë njerzve dhe t’i tërheqë zvarrë duke i mashtruar, vjedhë e rjepë, duke i ndjellë si lopë.

Po të ishin në atdhe shqiptarët që i dëboi e përzuri atdheu – burg, atdheu – kamp përqëndrimi, atdheu – fabrikë spiunësh, do të kërkonin punë, do të dridhnin e do të shembnin çdo qeveri dhe në këtë vend nuk do të instalohej mendësia ekzistuese që pushteti është biznesi që të sjell fitime më shumë se çdo biznes tjetër i ligjshëm a i paligjshëm.

Më 2 korrik 1990 shqiptarët në Kosovë me aktin e kësaj dite historike bënë referendumin që i pohoi bashkë, i pohoi shqiptarë dhe nuk patën pastaj më vonë udhë apo shteg të zënë në udhëtimin e tyre drejt lirisë e pavarësisë.

Më 2 korrik 1990 në Kosovë u bë ajo që mungon sot për shqiptarët – referendumi për bashkimin kombëtar, referendum që duhet të bëhet (le të mos vleje sot për sot) për të çelë shtigjet e zëna nesër.

Më 2 dhe pas 2 korrikut 1990, bota rinjohu shqiptarët, të cilët falë vitalitetit të tyre, shpesh bëjnë që qarqe të caktuara të mendojnë se shqiptarët janë një komb 100 milionësh, që lumturojnë miqtë e trondisin armiqtë.

 

Titulli origjinal: Pa inat, për 2 korrikun e shqiptarëve.

Please follow and like us: