Mitrush Kuteli dhe shkrimtar tjetër nuk ka si ai
DUAJE ATDHEUN EDHE KUR VRET???
“Duaje atdheun edhe kur të vret…”, një testament i shkruar, që autori Dhimitër Pasko ua propozonte fëmijve të tij, kur ai ishte buzë më buzë me vdekjen.
Këto fjalë, bashkë me frymën e fundit, u lanë amanet për fëmijët nga Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) dhe më pas ato janë instrumentalizuar si një testament më shumë sesa për familjen e tij..
Por sot, në shekulli e ri, sot, në liri, jo në diktaturë, një mendësi e tillë si ideologji quhet Romantizëm patriotik i tejkaluar. Ose me një term të marrë hua nga psikologjia, si praktikë vetëvrasëse quhen sadomazokizëm.
Kur u shpreha kështu, (romantizëm patriotik i tejkaluar, sadomazokizëm…) një mik që prej vitesh ka emigruar në Kanada se nuk mund t’ua linte fëmijve të tij këtë porosi kuteliane, u shpreh se kjo që shkruaja unë (për romantizëm e sadimazokizëm), nuk kishin asnjë kuptim.
Në fakt unë e përsëris: “duaje atdheun, edhe kur të vret”, sot nuk ka kuptim.
Dhe miku im, që familjarisht me kohë ka mërguar prej këndej, këtë e paska rrokur më parë sesa unë.
Sot fëmijët tanë po mërgojnë në masë. Po e lënë atdheun. Sot fëmijët tanë nuk e duan “atdheun që vret”.
Po i mençuri, i urti Dhimiter Pasko si ua linte këtë porosi kaq vrasëse fëmijëve të tij?
Ai e merrte me mend se pa liri nuk mund të gjesh shteg për t’u frymuar siç do ti. Nën diktaturë nuk ka alternativa. Veç të ulësh kokën. Të duash diçka … edhe kur ajo të vdes.
Ai e vuante këtë, dhe në realitetin që ata i lindi, nuk gjente tjetër shteg shpëtimi (duajeni edhe kur ju vdes) për fëmijët e tij.
Ai ka qenë hero tragjik si gjithë burrat e mëdhenj të historisë sonë.
Për ata që thonë (prof. Kristaq Jorgo) se ai ishte shenjtor, u them se në tokë nuk ka asnjë shenjtor të gjallë, shenjtorët jetojnë vetëm në qiell.
Ai Dhimitër Pasko ishte njeri si unë dhe si ti.
Vetëm si shkrimtar, ishte i papërsëritshëm. Ishte Mitrush Kuteli dhe nuk ka tjetër si ai.
Po nëse, nëse… ai e kishte këtë porosi si ndërgjegje morale e atdhetare pa kohë dhe pa vend, si moto për jetën e gjithkujt: duaje atdheun edhe kur të vret.
Ne vetëm mund të përulemi para një ideali të tillë, dhe ndjesë, që nuk mund të ngjitemi aq lart në marramendje…lart deri te ai…