Ruben Avxhiu
Ky titull mund të tingëllojë qesharak, po kjo është situata që ka sjellë kriza politike në Shqipëri. Ajo i ka lënë shqiptarët pa shumë rrugëdalje. Mungon një figurë bashkuese, mungon një udhëheqës që të jetë si vizionar ashtu edhe praktik.
Në gjendjen aktuale, Shqipëria ka një kryeministër që po kthehet në autokrat i pangopur me pushtet, i cili nuk shoh ndonjë problem me faktin që vendi është praktikisht në një regjim monist. Arrogant dhe me prirje të qarta diktatoriale, i pandalur në luftën ndaj medias së lirë, xheloz edhe ndaj çdo figure që krijon një personalitet në rrethin e tij. Që kur u zgjodh kryetar, demokracia në PS vetëm është kufizuar. Në qeveri sillet si ministër i çdo ministrie. Në Kuvend, deputetët shihen si shërbëtorë ose armiq. Nuk ka dialog mes pushteteve e jo më balancë e kundërpeshë. Zgjedhjet e fundit vendore kanë dështuar për faktin se populli nuk pati alternativa të mjaftueshme. Ato duheshin shtyrë për t’i dhënë kohë daljes së një opozite. Nëse PD, LSI e parti të tjera nuk donin të merrnin pjesë, atëhere i duhej dhënë më shumë kohë shoqërisë për të prodhuar alternativa politike të gatshme për të konkurruar. Parti si Bindja, lista politike, forca lokale, qytetare e fshatare, kandidatë të pavarur etj mund të ofronin një buqetë alternativash të shëndetshme.
Opozita kryesore shqiptare i dha një goditje të rëndë demokracisë në Shqipëri, për të cilën pretendon se po lufton kur braktisi dhe dogji mandatet e Kuvendit. Duke dëshmuar një mosbesim shokues ndaj popullit shqiptar ajo pretendon se qeveria shqiptare mund të blejë dhe manipulojë çdo votim. Nga ana tjetër, opozita ka treguar një besim të tepruar te gatishmëria e popullit për të dalë në rrugë kundër qeverisë aktuale. Protestat në fakt kanë qenë jobindëse. Të organizuara vetëm një herë në muaj, kryesisht me përqendrim në Tiranë, ato nuk kanë shkuar më larg sesa mbështetësit e flaktë të partive dhe punonjësit e degëve të partive, e anëtarët e pushteteve lokale në vend. Popullit i ka ardhur në majë të hundës me qeverinë Rama po kjo është një opozitë që refuzon të frymëzojë ndryshim politik, e fiksuar me idenë e një revolucioni nga rruga, të cilin ose në fund ka frikë ta shkrepë ose nuk ka forcë që ta provokojë. Vetëm dy blloqe larg protestave, jeta në kryeqytet vazhdonte sikur nuk po ndodhte asgjë.
Në mes, të tyre qendron një President, i cili humbi një rast të madh historik për të ofruar personalitetin që i mungonte politikës shqiptare. Presidenti Meta, që theu tabunë kuqeblu të politikës shqiptare duke dëshmuar se një forcë e tretë mund të triumfojë nëse lundron me arsye dhe zgjuarësi mes rrëmujës toksike të dy partive kryesore, duket se e humbi magjinë që kur hyri në zyrën e presidencës.
Ai duhej të kishte shkundur këmbanat e alarmit kur opozita dogji mandatet dhe duhej të kishte ndërhyrë që shumica socialiste në Kuvend të mos pranonte djgien. Ftesa e tij për kryetarët e partive për dialog ishte mungesa më e madhe e këtij viti. Nëse kryetarët nuk mblidheshin, duhej të kishte thirrur përfaqësues nga partitë të gatshëm për bisedime. Duhej t’i kishte turpëruar publikisht për mosparaqitjen. Duhej të kërkonte nga populli që të ushtronte presion ndaj dy krahëve të politikës. Në vend të kësaj, ai mbeti mënjanë, a thua se kriza politike po shpalosej në një vend tjetër. Ndërhyrja e tij erdhi shumë vonë, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve dhe vetëm sa e njollosi si të njëanshëm, një zgjatim në Presidencë të LSI-së nga opozita. Fjalimi i tij me tone epike që fajësonte faktorë të huaj për një krizë tërësisht shqiptare është përpjekje për të larë duart e jo sinjal angazhimi serioz për zgjidhjen e krizës.
Çdokush mund të bëhet një Avni Rustem. Mjafton një pisqollë dhe besimi se me dy krisma mund të ndryshosh historinë e Shqipërisë. Nga politikanët tanë presim seriozitet dhe jo teatralitetin qesharak që na parakalon tashmë nga tri drejtime.
Në radhë të parë kërkohet realizëm. I vetmi me një propozim është përsëri Presidenti Meta, që ka shtuar edhe zgjedhje presidenciale e parlamentare për 13 tetorin. Po propozimi përsëri vuan nga besimi i verbër se mjafton një letër me një firmë për të nxjerrë vendin nga kriza. Më së paku politika shqiptare duhet të gjejë rrugët e komunikimit mes palëve politike. Në një rast ideal shoqëria shqiptare duhet të zgjohet për t’iu imponuar klasës së sotme politike.
Kryeministri Rama nga maja e pushtetit është i hapur për dialog me kryetarin e opozitës se tani ka luksin për të biseduar pa humbur asgjë. Kryetari i PD-së është tepër i paralizuar nga krenaria, trauma e humbjes, dhe droja e rivalëve në kampin e opozitës për të zbutur qendrimet. Ashtu si presidenti edhe ai mendon se problemet i vijnë nga rivalitete në Washington. Po problemet shqiptare mund të zgjidhen vetëm në Shqipëri.
Vetëm vëzhguesit e politikës shqiptare që janë mbështetës të opozitës janë të habitur me qendrimet e SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore. Ashtu si shumica e shqiptarëve, ndërkombëtarët nuk shohin asnjë ndryshim mes partive politike shqiptare dhe kërkojnë minimumin, që asnjëra prej tyre të braktisë systemin e demokracisë. Nëse opozita kërkon mbështetjen perëndimore, ajo nuk duhet të shpenzojë paratë kot në Washington e as të dalë me deklarata patetike me pisqollë në duar, po të hyjë në zgjedhje duke e ftuar qeverinë që të manipulojë zgjedhjet nëse guxon. Nuk ka zgjidhje në rrugë dhe nëse vjen, mjerë humbësit e mjerë fituesit e asaj përplajseje.
Ndërkohë, qeveria Rama, duke dëshmuar se nuk ka mësuar asgjë e duke udhëtuar paturpësisht drejt një autokracie anti-demokratike, po përgatit një ligj që kufizon lirinë e fjalës. Mund të provojë edhe të rrëzojë presidentin, e të vijojë të qeverisë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Në këtë situatë, barrikada e fundit e demokracisë është Kuvendi i Shqipërisë. Ndonëse i përbërë nga njerëz kryesisht të emëruar nga Rama, ai mund të gjejë forcën që të kërkojë përgjegjësi e llogari nga qeveria. Sistemi në Shqipëri duhej të kishte Kuvendin si organin më të fuqishëm, se nga ai dalin kryeministri e presidenti dhe jo e kundërta. Ndonëse Gramoz Ruçi është dikush që për mendimin tim, më së paku duhej të kishte dalë në pension, ai mbetet një figurë me autoritet në PS. Jam tërësisht i ndërgjegjshëm për ironinë e situatës po ministri i fundit i Brendshëm i Partisë së Punës mund të bëhet një shpëtimtar i demokracisë në Shqipëri duke ia refuzuar qeverisë Rama pushtetin absolut. Deri në një zgjidhje me kompromis, ku palët tekanjoze e të korruptuara të politikës shqiptare të detyrohen në një pajtim të madh, ose deri sa shoqëria shqiptare të hyjë në lojë me forca të tjera politike, Kuvendi mund dhe duhet të dëshmojë një rol udhëheqës. Deputetët e PS-së mund të jenë caktuar në lista në sajë të marrëdhënieve të mira me kryetarin e partisë, po ata nuk duhet të harrojnë se raporti i pushtetit ndryshoi në ditën që u bënë deputetë. Rama është kryeministër në sajë të votës së tyre. Pushtetin në Shqipëri, në letër, e kanë ata. Le të guxojë edhe ai si Meta që t’ua heqë këtë pushtet duke kërkuar zgjedhje të reja.
Le ta fillojnë duke refuzuar ligjin e ri për median dhe mbase edhe heqjen e presidentit. Le t’i tregojnë Ramës se nëse do të bëjë diçka le të vijë dhe ta kërkojë në Kuvend e t’u lutet. Nëse nuk e bën Partia Socialiste ka plot figura që mund të bëhen kryeministra. Le t’i tregojnë opozitës se demokracia mbrohet në Kuvend dhe jo në rrugë. Le t’i tregojnë popullit shqiptar se ka ende shpresë për demokracinë në vend. Le t’i tregojnë botës se nuk jemi cirku që ka kanë kthyer kryepolitikanët shqiptarë me teatralitetin e tyre.
Më së paku që mund të bëjë opozita sot, përfshi edhe Presidentin Meta është që të falenderojë deputetët e opozitës që pranuan mandatet dhe të rikrijojë lidhjen me ta. Le ta lënë mënjanë krenarinë boshe dhe e pseudobesnikërinë e lajkatarëve apo mendjeshkurtësinë e ekstremistëve. Bota është e mbushur me vende moniste dhe nuk i ka ardhur fundi deri tani. Nëse nuk e bëni për atdheun e demokracinë, bëjeni për hir të interesave tuaja politike.
Duam apo nuk duam, Kuvendi ka mbetur barrikada e fundit e demokracisë në Shqipëri që ende mund të kufizojë në mënyrë institucionale e ligjore pushtetin e qeverisë. Le të rigjejë forcën e besimin në vetevete, te pushteti i jashtëzakonshëm që i jep Kushtetuta.
Nëse ju duket një sugjerim qesharak kjo vjen se letra e ligjit ju duket qesharake. E nëse kjo është e vërteta atëhere nuk ka shpëtim./ylliria press/