Eli Vizel: Leksione mbi indiferencën
“E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, është indiferenca; e kundërta e artit nuk është shëmtimi, është indiferenca; e kundërta e besimit nuk është herezia, është indiferenca; e kundërta e jetës nuk është vdekja, është indiferenca”.
Më 2 korrik të vitit 2016, në moshën 87 vjeçare, në Nju Jork vdiq gazetari, eseisti, shkrimtari, profesori, lektori, moralisti, Laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Eli Vizel. Ishte ndoshta një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës. Sipas Presidentit Obama ishte “Një nga zërat e mëdhenj moral të kohës sonë”.
Ky i mbijetuar i Holokaustit, e përdori të gjithë jetën e tij për mbajtjen gjallë të kujtesës së krimeve të kryera ndaj popullit hebre.
Thenie të Eli Vizel mbi indiferencën:
“E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, është indiferenca; e kundërta e artit nuk është shëmtimi, është indiferenca; e kundërta e besimit nuk është herezia, është indiferenca; e kundërta e jetës nuk është vdekja, është indiferenca”.
“Betohem se nuk do të hesht asnjëherë dhe kudo, kur dhe ku do të shoh që mundohen e poshtërohen qeniet njerëzore. Ne gjithnjë duhet të mbajmë anë. Neutraliteti ndihmon agresorin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon dëmtuesin, kurrë të dëmtuarin”.
Leksion mbi indiferencen, i mbajtur nga Eli Vizeli në mbrëmjen e 12 prillt të vitit 1999, në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, thirrur nga Presidenti Klinton dhe Znj. Hilari Klinton, në leksionet për ngjarjet që ndodhën në shekullin që shkoi, për mësimet që duheshin nxjerrë prej tyre dhe për sfidat e shekullit apo mijëvjeçarit që po vinte.
Z. President, Znj. Klinton, anëtarë të Kongresit, Ambasadori Holbruk, dinjitarë, miq,
Dyzet e pesë vjet më parë, një djalë i ri hebre, nga një qytet i vogël në Malet Karpate, jo larg Vaimarit të dashur të Gëtes, u zgjua në një vend të turpit të përjetshëm që quhej Buhenvald. Ai djalë, më në fund, u çlirua por, megjithatë, nuk ndjeu gëzim dhe mendoi se nuk do të ndiente kurrë. I çliruar… nga ushtarët amerikanë, ai kujton tronditjen që shfaqën ata për ato që panë. Ai…, do t’u ishte për jetë mirënjohës atyre ushtarëve… për dhembshurinë që treguan. Edhe pse nuk u kuptonte gjuhën, sytë e tyre i tregonin atij ato që duhet të dinte: se ata, po ashtu si ai, do të kujtonin dhe do të dëshmonin.
“Dhe tashti, unë qëndroj para jush, Z. President, Kryekomandant i Ushtrisë që më çliroi mua dhe dhjetëra mijëra të tjerëve, plot mirënjohje të thellë e të qëndrueshme për popullin amerikan. Mirënjohja është një fjalë që unë e kam për zemër, mirënjohja është ajo që përkufizon humanizmin tek qenia njerëzore. Dhe unë ju jam mirënjohës ju,… Znj. Klinton, për ato që thatë dhe për ato që po bëni për fëmijët në këtë botë, për të pastrehët, për viktimat e padrejtësisë, për viktimat e fatit dhe të shoqërisë. Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sonte këtu.
Jemi në prag të shekullit të ri, të mijëvjeçarit të ri. Çfarë trashëgimie po na le shekulli që po shkon? Si do të kujtohet ai në mijëvjeçarin e ri? Sigurisht ai do të gjykohet dhe do të gjykohet rreptë, në terma morale dhe metafizike. Dështimet e tij kanë hedhur një hije të zezë mbi njerëzimin: dy luftëra botërore, luftëra civile pa fund, një varg i pakuptimtë vrasjesh: Gandi, dy vëllezërit Kenedi, Martin Luter Kingu, Sadati, Rabini, masakra në Kamboxhia dhe Algjeri, në Indi dhe Pakistan, në Irlandë dhe Ruanda, në Eritre dhe Etiopi, në Sarajevë dhe Kosovë, shtazëri në gulage dhe tragjedi në Hiroshima. Dhe, sigurisht, në një tjetër nivel, në Aushvic dhe në Treblinka. Kaq shumë dhunë, kaq shumë indiferencë!
Ç’është indiferenca? Etimologjikisht, fjala do të thotë ‘të mos jesh ndryshe, të mbetesh njëlloj apo, të qëndrosh mënjanë, të shohësh punën tënde.’ Një gjendje e çuditshme dhe e panatyrshme në të cilën zbehet linja ndarëse midis dritës dhe errësirës, midis perëndimit dhe lindjes, midis krimit dhe ndëshkimit, midis mizorisë dhe dhembshurisë, midis së mirës dhe së keqes. Si do të jetë e ardhmja e saj dhe cilat do të jenë pasojat e pashmangshme të saj?… A mund të shihet indiferenca si virtyt? A është i nevojshëm praktikimi i saj në disa raste: për të mos u dëmtuar, për të jetuar normalisht, për të shijuar një të ngrënë të mirë dhe një gotë verë, ndërkohë që bota provon kataklizëm?
“Sigurisht, indiferenca mund të jetë tunduese, më shumë se aq, tërheqëse. Është shumë e lehtë të largohemi nga viktima. Është shumë lehtë të shmangim ndërprerjet primitive të punës sonë, të ëndrrave tona, të shpresave tona. Është, në fund të fundit, e vështirë, e rrezikshme, të merremi me dhembjet dhe dëshpërimet e tjetrit…
Në njëfarë mënyre, qenia indiferent ndaj dhembjes së tjetrit, të kthen nga qenie njerëzore në qenie jonjerëzore. Indiferenca, në fund të fundit, është më e rrezikshme se zemërimi dhe urrejtja. Zemërimi nganjëherë mund të jetë edhe krijues. Dikush, nga zemërimi, mund të shkruajë një poemë të bukur, një simfoni të madhe. Dikush bën diçka të veçantë për hir të njerëzimit, sepse është zemëruar për padrejtësitë që shikon. Por indiferenca nuk është kurrë krijuese…
Indiferenca është miku i armikut, ajo i shërben agresorit – kurrë viktimës, dhembja e së cilës zmadhohet kur ndjehet e braktisur. Të burgosurit politik në qelinë e tij, fëmijës së uritur, refugjatit të pastrehë, kur nuk ua lehtëson vetminë, kur nuk i përgjigje mjerimit të tyre, duke u ofruar një rreze shprese, i ke degdisur nga kujtesa njerëzore. Dhe në mohimin e humanizmit për ta, ke tradhtuar humanizmin tënd.
…Gjatë kohëve më të errëta, brenda getove dhe kampeve të vdekjes … ne u ndjemë të braktisur, të harruar. Kështu thamë të gjithë. I vetmi ngushëllim i mjerë ishte se besonim se Aushvici dhe Treblinka ishin sekrete të ruajtura me rreptësi; se udhëheqësit e botës së lirë nuk dinin se ç’ndodhte përtej atyre portave të zeza dhe telave me gjemba; se ata nuk kishin njohuri për luftën kundër hebrenjve që zhvillonin ushtritë e Hitlerit dhe ndihmësit e tyre… Në qoftë se do të dinin, mendonim ne, me siguri do të kthenin përmbys çdo gjë për të ndërhyrë. … Ata do të kishin bombarduar hekurudhat që të çonin në Birkenau, të paktën hekurudhat, të paktën një herë.
Dhe tashti ne dimë, ne mësuam, ne zbuluam se Pentagoni e dinte, se Departamenti i Shtetit Amerikan e dinte. Dhe banori i shquar i Shtëpisë së Bardhë në atë kohë, Franklin Delano Ruzvelt, …mobilizoi popullin amerikan dhe botën, duke hyrë në luftë, duke sjellë qindra mijëra ushtarë të guximshëm e trima për të luftuar fashizmin, për të luftuar diktaturën, për të luftuar Hitlerin. Dhe sa shumë të rinj ranë në ato beteja! Dhe, megjithatë, imazhi i tij në historinë hebreje – duhet ta them këtë – imazhi i tij në historinë hebreje është i njollosur.
Historia e trishtuar e anijes Shën Luis e tregon këtë. Gjashtëdhjetë vjet më parë, ngarkesa e saj njerëzore – afro një mijë hebrenj – u kthye mbrapsht nga Amerika për në Gjermaninë Naziste. Kjo ndodhi pas “Natës së Kristaleve”, pas pogromit të parë të sponsorizuar nga shteti që nisi me qindra dyqane të shkatërruara, me sinagoga të djegura, me mijëra njerëz të çuar në kampet e përqendrimit. Dhe ajo anije, që tashmë ndodhej në brigjet amerikane, u kthye mbrapsht. Nuk e kuptoj. Ruzvelti ishte njeri i mirë, njeri me zemër. Ai i kuptonte ata që kishin nevojë. Përse nuk i lejoi këta një mijë njerëz të zbarkonin në Amerikë, në shtetin e madh, në demokracinë më të madhe, në shtetin më bujar të të gjitha kombeve të reja në histori. Çfarë ndodhi? Nuk e kuptoj.
Por atëherë u gjendën qenie të tjera njerëzore të ndjeshme ndaj tragjedisë sonë. Ata jo hebrenj, ata që ne i quajmë “Fisnikë midis Kombeve”, me akte të vetëmohimit heroik, mbrojtën nderin e fesë së tyre. Përse qenë aq pak ata? Përse pati më shumë përpjekje për të shpëtuar vrasësit SS pas luftës, sesa për të mbrojtur viktimat gjatë luftës? Përse disa nga korporatat më të mëdha amerikane vazhduan të kishin marrëdhënie me Gjermaninë e Hitlerit deri në vitin 1942? Është menduar dhe dokumentuar se Vermahti nuk do të mund të kryente pushtimin e Francës, pa naftën e siguruar nga burimet amerikane.
“Dhe, megjithatë, miq të mi, edhe gjëra të mira ndodhën në këtë shekull traumatik: mundja e nazizmit, shembja e komunizmit, rilindja e Izraelit në tokat e të parëve, vdekja e aparteidit, traktati i paqes së Izraelit me Egjiptin, marrëveshja për paqe në Irlandë. Le të kujtojmë takimin, e mbushur me dramë dhe emocion, midis Rabinit dhe Arafatit që ju, Z. President, e bëtë pikërisht në këtë vend. Unë isha këtu dhe nuk do ta harroj kurrë.
Dhe pastaj, sigurisht, vendimi i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë dhe për të shpëtuar ato viktima, ata refugjatë, ata që u shkulën nga një njeri, për të cilin besoj se për bëmat e tij duhet të përgjigjet për krime kundër njerëzimit.
Po. Këtë herë, bota nuk heshti. Këtë herë ne u përgjigjëm. Këtë herë ne ndërhymë.
A do të thotë kjo se kemi nxjerrë mësime nga e shkuara? A do të thotë kjo se shoqëria ka ndryshuar? A është bërë qenia njerëzore më pak indiferente dhe më shumë humane. A kemi nxjerrë mësime nga përvoja? A jemi më të ndjeshëm ndaj vuajtjes së viktimave të spastrimit etnik apo formave të tjera të padrejtësisë në vende të afërta e të largëta? A tregon sot ndërhyrja e justifikuar në Kosovë, e udhëhequr prej jush, Z. President, një paralajmërim të përhershëm se kurrë më nuk do të lejohet asgjëkund në këtë botë shpërngulja, terrorizimi i fëmijëve dhe i prindërve të tyre? A do të shkurajojë kjo diktatorë të tjerë në vende të tjera për të bërë të njëjtën gjë?…
Dhe, kështu, edhe një herë, mendoj për atë djalin e vogël hebre nga Malet Karpate që e shoqëroi këtë burrë të moshuar gjatë gjithë këtyre viteve të hulumtimeve dhe të përpjekjeve me të cilin sot shkojmë drejt mijëvjeçarit të ri më një frikë të madhe, por edhe me një shpresë të jashtëzakonshme.”
A është i nevojshëm praktikimi i indiferencës në disa raste? – pyet Vizeli. Po, në disa raste praktikimi i indiferencës është i nevojshëm dhe përbën virtyt. Vizeli me të drejtë kritikon qëndrimin e atij që mund të veprojë kundër të keqes dhe, megjithatë nuk vepron. Por ka raste kur mosveprimi, indiferenca, është i vetmi mjet që mund t’i kundërvihet të keqes dhe, në këtë rast, ajo përbën një qëndrim pozitiv po aq me vlerë sa edhe kur është e mundshme kundërvënia aktive ndaj saj.