Varshava zyrtare: Të hapen negociatatat me Shqipërine dhe Maqedoninë e Veriut!
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda gjatë takimit të Poznanit që po zhvillohet në vendin e tij kritikoi Bashkimin Europian për shtyrjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe i bëri thirrje bllokut që t’iu ofrojë vendeve të Ballkanit një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në BE.
Ai tha se shteteve të Ballkanit nuk duhet t’iu kërkohet të marrin pjesë në një garë “ku nuk mund të shohin vijën e finishit”. Duda tha se të dyja vendet kanë kaluar nëpër “reforma të vështira”, për të përmirësuar shanset e tyre për anëtarësim në BE.
“Polonia nuk e pranon një situatë ku vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë në një garë ku finishi është i padukshëm. Jemi të detyruar të japim një datë të qartë në vend të deklaratave verbale. Ne ia kemi borxh këtë vendeve të Europës Juglindore. Ne nuk duhet të humbim kohë. Pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, Europa nuk do të marrë frymë lirisht. Angazhimi i Polonisë ndaj Procesit të Berlinit vjen nga bindja e thellë e saj për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe zhvillimin e Europës”, tha ai.
Ai deklaroi se Ballkani është një pjesë integrale e Europës duke pasur parasysh pozicionin e tij gjeografik, kulturor dhe historik. “Polonia është një vend që mbështet politikën e zgjerimit të BE pasi mbështet një Europë solidare dhe transparente në vend të një Europe të paragjykimeve të ndërsjella, që kufizohet vetëm në interesa dhe frikëra të veçanta. Polonia sheh tek Procesi i Berlinit një format shumë të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut, në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian. Ne jemi të angazhuar në këtë iniciativë, që i jep një perspektivë të qartë europiane Ballkanit Perëndimor, duke nxitur njëkohësisht stabilitet dhe zhvillim në të gjithë Europën”, shtoi Duda.
Ai tha se të gjithë polakët e mbajmë mend mirë vitin 1990, e rrëzimin e sistemit komunist. “Procesi i integrimit euroatlantik, praktikisht ndryshoi të gjithë aspektet e jetës sonë dhe u shndërrua në katalizatorin më të mirë për reforma kyçe, ndonëse shpesh të dhimbshme e jo popullore. Ishte vizioni, perspektiva e një të ardhme europiane, ajo që bëri të mundur këtë ndryshim që ndryshoi jo vetëm Poloninë, por të gjithë rajonet e shteteve të unionit. Për të gjithë këto arsye, dëshirojmë që e njëjta perspektivë të ofrohet edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Më saktë, të gjithë këtyre vendeve që aspirojnë të jenë një ditë pjesë e Unionit Europian. Polonia është kundër skepticizmit, që shpesh herë vërehet në Europën Perëndimore. Ballkani është pjesë integrale e Europës në aspektin gjeografik, kulturor, e pa dyshim, historik. Polonia, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një vend që mbështet zgjerimin e mëtejshëm të Unionit, një vend që mbështet solidaritetin dhe hapjen e BE, e jo Europën e dyerve të mbyllura, e të mekanizmave që mbështesin vetëm interesa të caktuara. Nuk është kjo Europa që ne duam!”
Sipas Presidentit të Bashkimit Europian, “ne si komunitet duhet të japim shembull që projekti Europian është i gjallë, që është tërheqës, që ka një të ardhme të vërtetë dhe që ne jemi të gatshëm të pranojmë vende të tjera anëtare. Kjo duhet të jetë edhe ambicia e autoriteteve të reja europiane, çështja e zgjerimit duhet të përfshihet në mënyrë të pandashme nga vizioni që përcakton të ardhmen e përbashkët të Europës sonë.
Për fat të keq, jo të gjithë partnerët tanë europianë e shohin në këtë formë. Jam vërtet i keqardhur dhe i zhgënjyer rreth vendimit për të shtyrë përsëri hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vende kandidate, në këtë rast Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. I kujtoj Komisionit Europian që ai vetë ka vlerësuar pozitivisht reformat e ndërmarra në të dy këto vende dhe ai vetë ka rekomanduar hapjen e negociatave. Të dy vendet kanë përmbushur kushtet e tyre, përfshi një hap radikal si ndryshimi i emrit të vetë shtetit, në rastin e Maqedonisë së Veriut”.
Muajin e kaluar, shtetet anëtare të BE-së e kanë shtyrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut deri në tetor, për shkak të hezitimeve të disa vendeve, përfshirë Francën dhe Holandën.