Cikël poetik nga Tefta Sala
Më lodh kjo vapë e lojtur mendsh
Eci dhe lodhem,
më lodh kjo vapë e lojtur mendsh
si të jetë në moshë, më lodh
politika e një njeriu të pagdhendur,
që nuk resht së zbukuruari situatën, si të jetë
një manekin i zhveshur kokë e këmbë.
Eci dhe mendoj, ku shkojmë?
Sepse hapat na kthehen si të jenë shuplaka
e fati ynë një gangrenë që vetëm gjak lëshon.
Nuk ka më kohë për përzgjedhje sterile,
këtij populli i ka mbaruar shpresa tashmë.
Eci dhe mendoj, pas meje ka me mijëra sy
të plagosur, që pak jetë kërkojnë.
Unë nuk mundem tju jap asgjë, nuk jam zot.
Hej zoti im, vetëm tek ti shpresoj!
2.7.2019.
Atdheu im!
Një copëz elegji e pakënduar.
Një copëz dhimbje e provuar.
Një copëz vuajtje që vetëm heq,
E ofshamat kurrë nuk iu dëgjuan
Në kuvend.
Atdheu im, prekja që nuk të braktis,
Por braktiset pa mëshirë nga të paligjtë.
Atdheu im, kafshata që nuk mbaron kurrë.
por që e mbarojnë çdo ditë tradhëtarët e sëmurë.
Atdheu im, prindi që nuk të lë jetim,
Por që e lënë shqiptarët çdo ditë
Atdheu im, qan në heshtje, fatin e tij tragjik.
24.6.2019.
Më trazo të lutem!
Më trazo të lutem!
Dua të shijohem nga goja jote,
para se hëna të shfaqet
në trojet e saj.
Ka xhelozi ajo, më shumë
se cdo vajzë që të vjen
rrotull, qoftë edhe për famë.
25.6.2019.
Ishte vjeshtë…
Ishte vjeshte, por jo si në këtë qershor
dyshim.
ishte nga ato vjeshtat që rrëzonte
kujtime gjethesh e nuk ndjente mall.
Gjithkush ikte…ikte dhe vetëm ikte.
Ndërsa vjeshta vetëm rrëzonte e rrëzonte
gjethe kujtimesh.
Sepse në shpirt ajo nuk kish mall, as gëzim
në shpirt ajo kish një gjol plot trishtim.
29.6.2018.