Albspirit

Media/News/Publishing

Nga ‘Mos i fol të panjohurve në rrugë!’, në ‘Mos i hap mesazhet e të panjohurve!’…

Rikela Fusha
Master Shkencor në Shëndet Publik

Një ditë teksa isha duke punuar para kompjuterit, hap rastësisht Spam-in, vendndodhjen e e-maileve të dërguara kryesisht nga njerëz të panjohur apo subjekte me pak/aspak kontakte të përbashkëta. U habita kur pashë disa e-maile të dërguara nga një i panjohur herë në gjuhën angleze e herë në një gjuhë shqipe me gabime konteksti, që të krijonin përshtypjen e një përkthimi amator në Google Translate.
Pasi i hapa këto e-maile, lexova tekstin e tyre: ‘…Një i afërmi juaj ka vdekur dhe ju jeni trashëgimtare e një pasurie me shumë 0, e cila ndodhet në një bankë të Afrikës. Më dërgoni të dhënat tuaja personale…’.
Po i njëjti mesazh përsëritej disa herë, por herë merrte tone kërcënuese, duke kërkuar me ngulm një përgjigje apo të dhënat, në të kundërt dicka e keqe do më ndodhte.
Qetësisht i fshiva këto e-maile, isha e vetëdijshme që kjo ishte një ndër shumë eksperiencat e shfrytëzuesve të rrjetit, të cilët struken pas një ekrani dhe presin momentet e dobësisë sonë për të kapur ‘viktimën’ e tyre të radhës.
Këto raste, të cilat kryesisht menaxhohen me maturi nga përdoruesit e mekanizmave të komunikimit online, na nxisin të reflektojmë, sesa të ekspozuar jemi kundrejt kërcënimeve, fyerjeve, gjuhës së urrejtjes që qarkullon në rrjete sociale dhe jo vetëm.
Një formë potenciale e riskut që vjen nga bota virtuale është bullizmi në internet. I njohur gjerësisht me termin cyberbullying (Bullizmi Kibernetik*), qe përkufizohet si përdorimi i teknologjisë për të ngacmuar, kërcënuar, vënë në siklet, ose për të shënjestruar një person tjetër. Ky fenomen social, për vetë faktin se zhvillohet në frekuencat e teknologjisë, zhvillohet kryesisht midis të rinjve, por duke qenë se aksesi në rrjete sociale dhe jo vetëm është rritur, pre mund të bëhen në rastin më të keq, edhe fëmijët.
Kur një i rritur përfshihet në këtë proces, ai mund të shkaktojë, ngacmim apo përndjekje përmes internetit, të cilat përbëjnë një krim që mund të ketë pasoja ligjore dhe në raste specifike të dënohen me burg, duke u trajtuar si vepra penale.
Ndonjëherë një individ mund të shkaktojë bullizëm në internet në mënyrë aksidentale ose pa vetëdije se po krijon precedentë për ngacmim apo presion.
Konteksti nëpër mesazhe apo emaile e bëjnë shumë të vështirë për të zbuluar tonin apo synimin final të dërguesit – shakaja (ndonjëherë e paqëllimshme) e një personi mund të jetë ofendim dhe të shkaktojë dëme psikologjike tek marrësi. Gjithsesi, rastet e përsëritur të emailive, teksteve dhe postimeve në internet janë rrallëherë aksidentale apo të ‘pafajshme’ siç pretendohen nga dërguesi.
Sipas DoSomething.org, një lëvizje globale e miliona njerëzve të rinj, 70% e studentëve raportojnë të kenë evidentuar bullizëm online të shpeshtë. Ndërkohë, edhe në Shqipëri, sipas të dhënave të Platformës Kombëtare Www.ISIGURT.AL tregojnë se rreth 60 % e fëmiijëve dhe të rinjve që kanë denoncuar, deklarojnë se janë të kërcënuar nga bullizmi online.
Bullizmi përmes internetit vjen në shifra shqetësuese në të gjitha shoqëritë, pavarësisht statusit socio-ekonomik të zhvillimit të tyre. 81% e të rinjve mendojnë se bullizmi online është më i lehtë sesa bullizmi i individëve në realitet. Përmes një tastiere, fshehur pas një ekrani, me një identitet të rremë, të gjithë mund të shkruajnë gjithçka për këdo.
Shqipëria, ashtu sikurse çdo shtet tjetër, e ndikuar nga forca e globalizmit po përballet me këtë fenomen, ku sipas raportimeve për 6 mujorin e parë të vitit 2019, 60% e tyre janë të lidhura me gjuhën e urrejtjes, kërcënime dhe shantazhe online.
Pasojat individuale dhe sociale të këtij fenomeni janë të mëdha, prandaj është i rëndësishëm edukimi i popullatës me qëllim parandalimin e rasteve të bullizmit dhe trajtimi me seriozitet dhe kuadrin përkatës ligjor të tij. Teknologjia është ajo që ne si shoqëri moderne kemi, ndërsa qytetërim quhet ajo çka ne bëjmë me të. Teksa ne avancojmë me virtualitetin, sfida ekzistencale është transformuar natyrshëm nga ‘Mos i fol të panjohurve në rrugë!’, në ‘Mos i hap mesazhet e të panjohurve!’…

Please follow and like us: