Strasburgu, 5 pyetje për shkarkimin e gjyqtares së Kushtetueses
Gjykata e Strasburgut ka pranuar të shqyrtojë padinë e Altina Xhoxhajt, ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese, kundër shkarkimit nga detyra si pasojë e reformës në drejtësi. Bashkë me njoftimin se gjykata e Strasburgut ka pranuar shqyrtimin e padisë, ajo i ka drejtuar edhe pesë pyetje autoriteteve shqiptare. Së pari Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut kërkon sqarime në lidhje me ligjshmërinë e KPK si gjykatë dhe a është përmbushur kriteri i paanshmërisë në rastin e Xhoxhajt duke qenë se i njëjti subjekt që ka hetuar gjyqtaren ka vendosur më pas edhe shkarkimin e saj. Së dyti Strasburgu ka pyetur për mënyrën se si KPK ka vlerësuar konceptin e të ardhurave të ligjshme. Ata kërkojnë gjithashtu informacion nëse ish-gjyqtares Xhoxhaj i është garantuar një proces i rregullt gjyqësor dhe nëse është respektuar e drejta e privatësisë. Një pikë tjetër që GJEDNJ ka kërkuar sqarim është nëse ish-gjyqtares Xhoxhaj nëse i është dhënë mundësia për tu dëgjuar e për të paraqitur prova para autoriteteve të vettingut. Altina Xhoxhaj ka pretenduar gjithashtu se i janë shkelur të drejtat e garantuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut me ndalimin e të drejtës për të punuar si avokate pas shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është gjithashtu një nga çështjet për të cilat Strasburgu ka kërkuar përgjigje nga autoritetet shqiptare.