Albspirit

Media/News/Publishing

Sami Çeribashi: Nuk më tingëllonte mirë në vesh emri i Titos, regjimi i Hoxhës projugosllav dhe antikombëtar

Opozitari: “Nuk më tingëllonte mirë në vesh emri i Titos, regjimi i Hoxhës projugosllav dhe antikombëtar”

Kastriot Dervishi

Sami Çeribashi (shkruhet edhe Qeribashi) ishte ndër figurat kryesore të opozitës së parë shqiptare të pasluftës, opozitë e cila nuk kishte asnjë lloj implikimi me regjimin apo regjimet fashiste të luftës. Lindur më 1887 në Gjirokastër, i martuar me 5 fëmijë, me arsim të mesëm, tregtar, ai u pyet në zyrat e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit në Tiranë (shtëpia e Ali Qorraliut) nga Misto Treska, Avram Koja dhe Vangjo Mitrojorgji. U torturua në mënyrë të tmerrshme. Nga tërësia e dokumenteve të hetuesisë së tij, paraqitet ekstrakti i mëposhtëm:

Në të kaluarën jam marrë me tregti të vogël. Nga fundi i marsit 1945 kam filluar të ndjej pakënaqësi të thellë karshi pushtetit demokratik për arsye të tatimeve e reformave të mëdha e të rënda me karakter ekonomik e shoqëror, si reforma agrare, etj, për arsye se politika e jashtme e Shqipërisë kishte mbetur në dorë të njerëzve të atillë që e kishin shpënë Shqipërinë nga suaza e Romës në suazën e Beogradit., se demokracia në Shqipëri ku s’kishte liri fjale e veprimi, nuk ishte gjë tjetër veçse një diktaturë që rëndonte mbi kurrizin e popullit, për arsye të taksave të rënda që do të viheshin, se emri i Titos nuk më tingëllonte mirë në vesh, se pjesa më e madhe e karburantit tonë shkonte në Jugosllavi dhe si konsekuencë këtu në Shqipëri paralizohej komunikacioni, se në Shqipëri mungonte buka dhe ajo që ishte shitej shtrenjtë, se Kosova nuk bënte pjesë si më përpara në Shqipëri, se gjithë këto reforma të padrejta ishin si konsekuencë e regjimit. Këto mendime i këmbeja me shokët e mi: Profi Çoka, Hivzi Golja, Alia Kavaja, Haki Gjinishi, Aton Dukagjini, Shaban Balla me të cilët kisha njohje në kohën që përmenda më lart. Vjen pra vetvetiu të kuptohet shkaku përse unë nga faza e mendimeve të hidhem në aktivitet politik për ndryshimin e kësaj situate që do të sillte si konsekuencë rrëzimin e pushtetit popullit. Ideja e formimit të një grupi të organizuar dhe një programi me një vijë, lindi te ne që në muajin prill 1945. Ne të sipërshënuarit ishim komiteti nismëtar dhe rrotull nesh do të grumbulloheshin gjithë elementët e pakënaqur, të gjithë të arratisurit politikë “kriminelë lufte” që ndodheshin në mal e brenda Shqipërisë. Elementët e pakënaqur janë: tregtarët e mëdhenj të prekur nga tatim-fitimet e luftës, pronarët e mëdhenj të tokave të prekur nga reforma agrare, etj, që nuk e shikonin mirë pushtetin popullor.

Pak ditë më parë Profi Çoka, Kazazi dhe Begeja i kishin dërguar anglezëve një lutje me anën e Shaban Ballës duke u ankuare për tatimet e luftës.

Në muajin maj 1945 kam filluar aktivitetin tim politik kundër regjimit…Më ka zënë Shaban Balla nga Tirana i cili më ka folur për formimin e një partie politike kundër këtij regjimi pa theksuar tendencat që do kishte partia dhe për këtë nuk duhej të qëndronin duarkryq, por duhet filluar aktiviteti sa më parë dhe pasi të jemi diçka të organizuar e të kemi bërë mbledhje me të arratisurit, anglezët do na ndihmojnë. Pasi ne të jemi të organizuar mirë më tha se anglezët kanë mundësi të zbarkojnë në Durrës, Vlorë, si dhe nga Greqia. Shaban Balla më foli mjaft dhe më rekomandoi formimin e një grupimi me Hivzi Goljen, Ali Kavajën, Anton Dukagjinin, Haki Gjinishin…Vendosëm të bëjmë mbledhjen e parë në shtëpinë e Ali Kavajës, nga fillimi i muajit qershor. Këtu filloi Shabani t’u thoshte (të lartpërmendurve) edhe këtyre të tjerëve po ato që më tha mua se veç kësaj janë në Tiranë shumë grupe të tjera të organizuara dhe në krye kemi elementë të shëndoshë si Ali Bakiu dhe Llazar Treska, me të cilët do i njihte së shpejti.

Pas 2 javësh u mblodhëm përsëri në shtëpinë e Ali Kavajës ku mora pjesë unë, Ali Kavaja, Talat Drini, Anton Dukagjini, Haki Gjinishi. Kërkuam nga secili aktivitetin që kishim bërë për rekrutimin e elementëve, por asnjë nuk kishte vepruar.

Please follow and like us: