Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Prindërimi, sfidë e kohërave moderne

Rezultate imazhesh për adoleshenca

Në treg libri im gjenden dy libra që i kam shkruar për prindërimin dhe rregullat që ndiqen me fëmijët gjatë rritjes se tyre: “Paraadoleshenca, sfidat e prindërimit” dhe “Adoleshenca në filtrin e dashurisë”.
Të dy librat më morën rreth dy vjet kohë, por që i vlejnë tej mase lexuesit qoftë ky një prind, një mësues, një psikolog apo gjithkush që ka marrëdhënie me fëmijët dhe adoleshentët gjatë rritjes e formatimit tyre.
Eksperienca ma do të jap këshilla për prindërit si të përformojnë me fëmijët e tyre, ku duhet të përqëndrohen që të jenë të suksesshëm e të rrisin fëmijë pa trauma. Kam drejtuar dhe një qendër sociale e kam hasur probleme të jashtëzakonshme të marrëdhënieve të vështira që shpesh artificialisht vetë prindërit i krijojnë duke mos pasur eksperiencën e duhur në komunikim dhe orientimin e fëmijës , duke e mbytur në kurse të shumta apo dhe duke mos iu dhënë mundësitë për t’u ushtruar në ato gjëra në të cilat fëmija ka vërtet talent.
Një mama shumë e përkushtuar me familjen e saj, gjatë mbledhjes së materialit për librin tim ‘Paraadoleshenca sfidat e prindërimit” me rrëfen:
“Kam dy fëmijë njëri në moshën 9 vjeç dhe tjetri në moshën 12 vjeçare, i dyti ka një ndryshim të jashtëzakonshëm në sjellje prej dy muajsh dhe familja ime po kalon një makth të vërtetë, ai mbyllet në dhomën e tij me çelës, ose ngre zërin e muzikës e nuk na dëgjon, ose përgjigjet me fjali të shkurtra, ndonjëhere dhe fyese e me zë të lartë, i ka rënë interesi për shkollën, unë ndjehem një nënë e lodhur se krejt papritur m’u shkatërrua harmonia në familje, mos ndoshta nuk kam qënë nje nënë e mirë për djalin tim”?
Këto dilema unë i kam hasur shpesh gjatë punës në qendrën time apo gjatë mbledhjes së informacioneve për ndërtimin e librit dhe ankthi i tyre ishte aq i madh sa flisnin me lot në sy dhe pa rrugëdalje; më ka ndodhur të lotoj dhe unë së bashku me ta, por zgjidhja më e mirë ishte të shkruaj e t’iu gjendem në momente kritike të jetës së tyre, fazë që pothuajse e kalojnë të gjithë prindërit që janë në pragun e parë të hyrjes së fëmijës tyre në adoleshencë dhe fundi i viteve të bukura të paraadoleshencës kur fëmija dëgjon, ka nevojën e lidhjes së fortë me prindërit, ështe më i sigurtë në shkollë dhe zbaton me përpikmëri ato që kërkojnë më të rriturit prej tij ose prej saj.
Në fakt mami është ajo që i fal fëmijës në paraadoleshencë, ngrohtësi, qetësi, siguri, e shoqëron pothuajse në shumë obligime apo kurse private dhe zgjidhje detyrash, e krejt papritur me hyrjen në adoleshencë kjo marrëdhënie e bukur fillon e zbehet, por ato nuk duhet të lënë për asjë çast pas dore përkujdesjen akoma ndaj tij/asaj e duhet të ulin ritmin e ledhatimeve dhe të kujdesit të mëparshëm, pasi ata nuk e pranojnë më të trajtohen me butësi e përkëdhelje, madje rrebelimi i tyre arrin shpesh në ekstrem sa prindërit shprehen ‘unë nuk e njoh më fëmijën tim’ dhe këtë e thotë gjithë dëshpërim, dhimbje e lot në sy; me tepër në tërësi rrebelohen fëmijët që kanë nëna të kujdesura deri në detaj ku dhe i lajnë djemtë e tyre në paraadoleshencë dhe këta sapo hyjnë në adoleshencë duan të shkëputen sa më parë nga kjo lloj marrëdhënie e ngrohte mëmësore e ndaj ndodh shpesh rrebelimi i tyre.
Eh, është një fazë jo e lehtë për t’u menaxhuar ndaj duhet të jeni vigjilentë e ta kaloni me qetësinë e duhur dhe me mençuri. Shpesh kam hasur nëna që arrijnë deri aty sa thonë ‘djali im nuk më do më’, e më e keqja është që djemtë në adoleshencë në të shumtën e rasteve këtë shkëputje e rrebelim e bëjnë në mënyrë të vetëdijshme që të krijojnë pavarësinë e tyre dhe rrebelimi i tyre është forma më e përkryer që ata të largojnë njerëzit më të afërt, të cilëve kujdesi i tyre iu duket i tepruar dhe mohimi i lirisë së tij/asaj dhe kjo shkëputje u ndodh shpesh edhe fëmijëve të llastuar apo të përkedhelur nga prindërit.
A nuk na ka ndodhur pothuajse të gjithëve në një hark kohor prej një viti kur krejt papritur fëmija nuk do t’ia mbash dorën kur afrohesh te muri i shkollës, gjë të cilën në paraadoleshencë nuk e kishte fare problem, apo kur afroheni për ta ledhatur në momentin e përcjelljes për në shkollë dhe ai që ndjen bezdi të madhe, por ju nuk duhet të lëndoheni apo ndjeni në heshtje se po e humbisni fëmijën tuaj, ama dozat e përkëdheljeve tashmë duhet t’i ulni dhe ta pranoni njëherë e mirë që tashmë ai po rritet dhe faza e adoleshencës, ndryshim nga ajo e paraadoleshentit dhe përballjet e tyre me trupin, hormonet, zhvillimet e shpejta e të befta nuk janë aspak të lehta për familjen tuaj as realitetin social në tërësi; suksesi dhe dështimi tyre tashmë nuk është në dorë të prindërve.
Ju nuk jeni më fuqiplotë ndaj tyre e proçesi në të cilën po kalon një i ri apo e re është plot vështirësi, pengesa, dilema, të papritura, zhgënjime, trishtim, hare. emocione pozitive apo dhe negative dhe për këtë gjendje ju asnjëherë mos fajësoni veten, ama kujdesi dhe udhëheqja juaj në këtë rrugë të vështirë nuk duhet t’iu mungojë për asnjë çast duke e orintuar mirë drejt pavarësisë së tyre të cilën e kërkojnë me çdo kusht.
Roli i prindërve do vështirësohet shumë, por të dy palët gjatë adoleshencës së vajzës apo djalit tuaj do përjetoni një stinë të re, një marrëdhënie të re, një rrugëtim të ri, ndryshe nga ajo në paraadoleshencë kur ata ishin totalisht ‘pronë’ e juaja, në adoleshencë gjithçka ndryshon.
Ndihmoi dhe mbështeti dhe kur gabojnë sepse shokë dhe miq ata do të kenë tërë jetën e tyre, por prindër të cilët duhet t’i duan në të mirë dhe në të keq janë vetëm dy, ruani mirë ekuilibrin midis të qënit mik i ngushtë apo prind kërkues dhe mbështetës sepse ata janë duke ndërtuar një rrugë rishtas e sa e sa herë do dëgjoni shprehjet që nuk i kishit hasur në paraadoleshencë si; “Mami nuk mund të të duroj më ty as këshillat e babit”, “Ju jeni jashtë kohës në të cilën unë po rritem”, “Ju nuk më kuptoni mua, po vazhduat më me këshilla unë do t’iu braktis…”.

Ndaj kurajo dhe shumë përkushtim për të kaluar këtë moment dhe për ta udhëhequr në jetë pa trauma.
Prindër dhe miq për fëmijët tuaj, por të dyja në ekuilibër me njëra-tjetrën pa humbur rolin tuaj kryesor, atë të prindërimit.
Disa rregulla që nëse i zbatoni në kohë, sigurisht adoleshenca e fëmijës tuaj do jetë me e thjeshtë:

  1. Përdor fjalë dhe shembuj konkretë që përballimi i situatave të vështira dhe i problemeve që nisin në jetën e një adoleshenti për arsye të ndryshme nuk zgjidhen duke përdorur alkool, duhan apo lendë narkotike. Sqaroje me durim e kujdes që gjithkush i ka hyrë asaj rruge. Përfundimi i tij ka qenë dështimi në jetë, në familje, karrierë dhe në dashuri…
  2. Nëse nuk ka motive të vlefshme dhe ka rënie në mësime, probleme në familje, apo gjendet nën një plogështi totale, kjo situatë duhet të merret si sirenë alarmi e nëse do identifikoheshin në kohën e duhur, problemi juaj do jete më i lehtë për t’u zgjidhur.
  3. Kontrolloni mënyrën si fëmija juaj në adoleshencë i shpenzon paratë dhe nëse ke nuhatur që përdor duhan apo cigare hashashi është momenti t’i reduktoni shpenzimet dhe t’i ndryshoni në mënyrë të menjëhershme ritmin e veprimeve ditore e të konsultoheni me specialistë; shpesh prindërit për të mbuluar mungesat e tyre pranë adoleshentëve, maskohen nën petkun e parasë për t’i kompensuar deri diku kohën prane tij, e në vend që ta ndihmosh i ke dhënë stimul për çorientim.
  4. Mos u bëj në mënyre kategorike aleat me adoleshentin nëse ke zbuluar se mban cigare apo më keq hashash në çantë edhe kur përpiqet të gjejë njëmijë e një justifikime që nuk është e imja, element të cilin për të dalë nga situata adoleshentët e përdorin në mënyrë sistematike.
    Ata për të dalë nga kjo gjëndje përdorin shprehjet, “kam botën time dhe shoqëria ime të njëjtën gjë bën’’, “nuk është fundi botës’’, “tani jam i rritur’’ etj etj sllogane të tilla të kohëve që jetojne prindërit me adoleshentët, por nuk duhet në mënyrë absolute ta tolerosh as të bëhesh palë në gabimin e bërë…toleranca në këtë rast duhet të jetë zero.
  5. Bashkëbisedo me fëmijën në adoleshencë shpejt dhe në mënyrë urgjente e mos neglizho në asnjë moment nëse ke nuhatur që është në prag përdorimi lëndësh narkotike se do jetë tepër vonë po prite ti si prind të mbarosh gjithë detyrat e tjera ditore e jetësore.
  6. Vëndos kufij të prerë dhe mos kini frikë nga kundërveprimi i tyre, pasi vetëm në këtë mënyrë po e mbron nga rreziku; në rast se tregohesh tolerant do rrezikosh më së shumti të të ikë situata nga duart.
  7. Krijo me të motiv të ri, që ta largosh sa më parë nga rreziku; nxite për një sport të ri apo ndrysho format e argëtimit që të shpenzojë energji të tjera shtesë e mos t’i referohet vesit drejt të cilit mund të ketë rendur dhe për arsye nga më të ndryshmet si shoqëria jo e duhur, tepri e kohës së lirë të adoleshentit dhe mos vëmendjes së prindërve për shkak të jetës së ngarkuar.
  8. Ndërto një test të fëmijës tënd për të zbuluar tipin e tij që pastaj të marësh masat e duhura, psh…a ka prirje fëmija juaj për të pasur…
    •Autokoshiencë,
    •Menazhim të emocioneve të momentit,
    •Menazhim i situatave stresante,
    •Sensi i tij kritik ndaj gjithçkaje që e rrethon,
    •Për vendimmarrje,
    •Në zgjidhjen e problemeve,
    •Aftësia komunikative,
    •Aftësia për të dëgjuar dhe mësuar nga gabimet,
    •A është mjaftueshëm social dhe integrohet në shoqëri të reja lehtë apo me vështërsi…
  9. Nëse do punoni me vëmendje rreth kësaj situate që ti ndërtove me fëmijën tënd në adoleshencë ka gjasa që ta parandalosh rrezikun e përdorimit të lëndëve psikotrope si dhe dëshirës për të përdorur cigaren në moshë shumë të vogël, të jepet pas gjërave të bukura e të integrohet lehtë në shoqëri.
    10. Nëse ka ndodhur që fëmija juaj në adoleshencë është i përfshirë në grackën që i ofron përdorimi i lëndëve narkotike, atëherë drejtohu sa më parë qendrave të rehabilitimit dhe qendrave psikologjike pa hezituar se problemi do ekspozohet; tashmë nuk ke çfarë të presësh më tepër nga këshillat apo sugjerimet, në këtë rast nuk vlejnë më rregullat dhe nuk je efikas me receta apo çfarëdo udhëzimi tjetër, sepse trupi dhe truri i adoleshentit është i tëri nën presionin e varësisë së lendëve psikotrope e nuk ka për të dëgjuar, veprimi e shpëton atë dhe ju nga makthi.

Mos e braktis në asnjë rast.
Prind je edhe kur fëmija është i suksesshëm edhe kur ai nuk ia doli dot, por asnjëherë mos fajësoni veten për dështimet e tyre se shoqëria ka përqindje të lartë në formimin dhe përfshirjen te veset që ajo prodhon gjatë rritjes së atij/asaj, e jo gjithnjē e keni në dorë ta shpëtoni?!

Please follow and like us: