Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim AHMETAJ: ‘Reforma në drejtësi’ që po vret shqiptarët (!)

Image result for bislim ahmetaj

Rreth 33 mijë çështje presin të gjykohen nga Gjykata e Lartë (kur ajo të krijohet). Nëse do të gjykohej nga një çeshtje në ditë do të duheshin 90 vite. Nëse do të gjykoheshin nga tre çështje në ditë do të na duheshin të paktën 30 vite. Në rastin e një pune ‘vullnetare’ alla komuniste kur drejtësia do të jepej me normë dhe tejkalim norme si rasti i votave të 30 qershorit 2019 ku ‘hynë një e dolën dy’, pra sikur të gjykoheshin nga 9 çështje në ditë do të duheshin të paktën 10 vite. Këto 33 mijë dosje janë nga më të ndryshmet që nga apelimet për dënime të përjetshme, tek çështjet e pronave dhe deri tek proceset administrative. Secila prej këtyre dosjeve ka mbrapa palë të cilët janë individë, familje dhe grupe interesi që presin “gjykimin final” ose përndryshe nxisin vetëgjyqësinë, korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit. Po të bëjmë një llogari naive të numrit të njerëzve që qëndrojnë pas këtyre 33 mijë dosjeve i bie që ka 66 mijë palë. Në një çështje penale që ka lidhje me vrasje dhe krime kundër personit numri i personave në pritje të gjykimit janë dy individë, dy familje, dy fise. Në rastin e çështjeve të pronësisë janë në konflikt dhe në pritje të drejtësisë njerëzit e një familje, të një gjaku, dmth brenda fisit. Ata që janë duke pritur të gjykohen çështjet e tyre administrative që kanë lidhje me arbitraritetin e institucioneve shtetërore ndaj individëve si të përjashtuar politikisht nga administrata shtetërore, nga gjobat e tatimeve, doganave, agjencive të tjera shtetërore përbën padyshim numrin më të lartë dhe kjo është ushtria e ‘skllevërve’ të drejtësisë së harruar. Me një vështrim logjik dhe të thjeshtë numri i ‘skllevërve’ të drejtësisë e marrë peng nga e vetquajtura “reformë në drejtësi” i kalon pa asnjë dyshim numrin e një milion shtetasve shqiptarë që i janë drejtuar Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë për të shqyrtuar drejtësinë e një vendimi të gjykatave të niveleve të para e të dyta. Edhe qorri, edhe injoranti, edhe fanatiku që iu kanë errur sytë dhe artrofizuar mendja do të ulërinte përpara këtij realiteti sa absurd aq edhe dramatik. I dënuari me burgim të përjetshëm do të vdesë në burg i pafajshëm për mungesë gjykimi. Pronari real i pronës së tij do të tretet në baltë për shkak të mungesës së gjykimit sepse shtetit të tij i mungon Gjykata e Lartë. Arbitrariteti i zyrtarëve të shtetit mund të bëhet jo ‘tra’ por ‘zot e shkop’ mbi administratën, biznesin dhe çdo aspekt jetësor të vendit. E kam thënë në krye të herës në një opinion tek gazeta ‘Panorama’, bash atëherë kur u votua paketa ligjore e “reformës në drejtësi” me rezultatin 140-0, si në kohën kur Kuvendin Popullor e drejtonte shoku Haxhi Lleshi me urdhër të Enver Hoxhës dhe përsëris pa nda “Drejtësia që vjen prej komunistëve mos ardhtë kurrë”. Fatkeqësisht më ka rezultuar pozitiv pohimi im edhe pse s’kam qenë fort i qartë dhe i sigurtë që pas “thirrjeve kërcënuese” të Ambasadorit Lu ishte mendja djallëzore e Xhorxh Sorosit. Hipoteza që politikanët e opozitës kanë frikë nga reforma në drejtësi është shndërruar në fantazëm që nuk e beson as Sorosi dhe idhtarët e tij. Aksioma e drejtësisë është universale “kush shkel ligjin një ditë do ta shohë vetën pas hekurave të qelisë”. Çfarë imuniteti paskan pushtetarët e sotshëm nga të djeshmit. Privimin nga drejtësia e vonuar dhe e munguar për mungesë të Gjykatës së Lartë e vuajnë ata që rreshtova më lart dhe askush prej pengmarrësve të gjykatave. Kush mund ta kompensojë këtë krim që ju bëhet një milion qytetarëve shqiptarë? Pas “Megali Idea-s” greke dhe “Nacertania-s” serbe “Reforma e Sorosit në Drejtësi” është aksioni më i madh antishqiptar i cili do të shërbejë si instrument për përçarjen, braktisjen e vendit dhe vëllavrasjen mes shqiptarëve. Shembulli i 33 mijë dosjeve peng në Gjykatën e Lartë është ilustrimi më qartë i kësaj platforme antikombëtare. Unë fjalën kam, sepse drejtësinë, ekonominë dhe politikën e kanë kap horat dhe antishqiptarët.

Tiranë, 10 korrik 2019.

Please follow and like us: