Albspirit

Media/News/Publishing

Docente Bakalli: Vajza bëhuni shefe kuzhine, Instituti Kulinar Neranxi, një mundësi e shkëlqyer!

Artur Nura

Sot bashkëbiseduam me Zamira Bakallin, docenten e re në Institutin Kulinar Neranxi e cila na tregoi se nuk do të largohej nga fusha e arsimit të gatimit sepse ndihej shume mirë ndërsa u mëson të rinjve dhe veçanërisht të rejave artin e kuzhinës, shijes dhe marketingut.

Zamira Bakalli, profesionin dhe pasionin e kuzhinës e ka mësuar nga gjyshi dhe xhaxhai i saj, të cilët kanë patur këtë profesion në familjen e saj dhe meqë shoqëria shqiptare shquhet për dimensione iracionale gjinore dhe femrën dhe e shikon të aftë vetëm të gatuaje në shtëpi, por jo në restorante dhe resorte, ajo na tregon se nuk iu nënshtrua këtij paragjykimi dhe se sot mund te thoshte me kënaqësi që prej 15 vitesh është shefe profesionale kuzhine.

Si docente në Institutin Kulinar Neranxi, Zamira vë re qe ky paragjykim ndaj femrës është në fuqi akoma në shoqërinë shqiptare dhe ndaj u bënte thirrje vajzave të reja, të cilat ajo është e sigurte që e kanë pasion artin e të gatuarit, të vijnë e të regjistrohen në shkollën profesionale të kuzhinës dhe të bëhen shefe te suksesshme kuzhine në tregun e gatimit cilësor në Shqipëri dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit.

Ajo shton se Instituti Kulinar Neranxi, si shkolla më e madhe dhe më e mirë profesionale e gatimit ne rajon, është një mundësi e shkëlqyer për to dhe se ajo vetë personalisht do ishte padyshim një mbështetje e fortë për to që të diplomohen si shefe kuzhine dhe të jenë të afta për t’u përballur me tregun e kuzhinës dhe të jenë të suksesshme në këtë profesion të nderuar dhe të mirëpaguar.

Docentja Bakalli që shquhet në pasionin e saj në shpjegimin e kujdesshëm të mësimit dhe në rregullin që u kërkon nxënëseve gjatë orës së mësimit thotë se pjesa më e madhe e klasave janë vërtete të pasionuar pas këtij arti, i cili bën të mundur një shije të shkëlqyer në tavoline e bukës, por edhe një shërbim estetik dhe profesional të kombinimeve të ingredienteve të shumëllojshëm që në Institut nuk mungojnë ngaqë i bën të mundura kompania mëme “Neranxi” e cila furnizon pjesën më të madhe të tregut të restoranteve dhe hoteleve në Shqipëri me lëndë të parë.

Shefe Bakalli insiston në apelin që u bën vajzave shqiptare të mësojnë dhe të bëhen shefe të shkëlqyera kuzhine duke studiuar në shkollën më të mirë të këtij profesioni që ka partnerë të shumtë italianë dhe evropianë dhe mund të jetë një mundësi që ato ta ushtrojnë këtë profesion edhe në Europë tek partnerët e kompanisë ‘Neranxi’.

Shefe Zamira na përshëndet duke kërkuar leje të largohet sepse tashmë fillonte ora e praktikës mësimore me vitin e parë të Kulinarisë, por duke na premtuar fotot e pjatave që do të realizonin së bashku me nxënësit e këtij profesioni të shijes.

Ajo nuk harroi të na thotë se në foto ato do të duken shumë bukur, por nëse shijohen sigurisht që të japin një kënaqesi akoma edhe më të madhe.

Please follow and like us: