Shaban Murati: Mobilizimi ruso-serb kundër bashkëpunimit strategjik Shqipëri-Kosovë
Paradokset në diplomaci janë si paradokset në letërsi, pra nuk njohin kufij. Një tejkalim i tillë kufijsh etikë dhe diplomatikë është deklarata e ministrisë së jashtme të Rusisë në datën 8 korrik kundër bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e politikës së jashtme dhe nismës së dy shteteve për përdorimin e selive të përbashkëta diplomatike. Diplomacia ruse lëshon bateri të rënda, duke akuzuar se “shkaktojnë shqetësime serioze hapat provokuese dhe veprimet sfiduese të Tiranës dhe të Prishtinës në zbatim të konceptit të “Shqipërisë së Madhe”, etj.
Gjylja diplomatike ruse erdhi pas stuhisë në gotë, që ngriti qeveria dhe diplomacia serbe për këtë temë, ku kryeministrja Ana Bernabiç e cilësoi si “të tmerrshme” marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e politikës së jashtme, ndërsa ministri i jashtëm serb, I.Daçiç, të cilit i ka mbetur ora në kohën e qeverisë së kriminelit Millosheviç, ku bënte pjesë, deklaroi mufkën e radhës se Kosova nuk ka të drejtë të krijojë bashkëpunim strategjik në politikën e jashtme me Shqipërinë sepse “është pjesë integrale e Serbisë”.
Ky mobilizim diplomatik ruso-serb ka arsyet e veta. Janë dy rrethana të tanishme, ku Rusia dhe Serbia mendojnë se mund të përfitojnë dhe të krijojnë avantazh për të rikthyer pozitat, që kanë pasur në Kosovë para vitit 1999. E para është dështimi i nismës diplomatike franko-gjermane për të realizuar marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dështim që u sanksionua me mos-mbajtjen e takimit të caktuar të Parisit të 1 korrikut. Rrethana e dytë është situata e krizës politike dhe institucionale në Shqipëri, ku klasa politike shqiptare e ka futur vendin në një trekëndësh, ku të gjithë shtetet jomiqësore po inkurajohen ta godasin ku të mundin. Kësaj jave Shqipëria përuroi publikisht portretin moldav dhe venezuelian të politikës së jashtme me sindromën e dy kuajve, që e tërheqin në drejtime të kundërta, duke dobësuar si rolin rajonal të faktorit shqiptar, ashtu dhe mbështetjen për Kosovën. Këtë shfaqje dobësie shtetërore të Shqipërisë shfrytëzuan Rusia dhe Serbia, duke e vlerësuar si moment oportun diplomatik për të goditur ecjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në rrugën e drejtë të bashkëpunimit strategjik në fushën e politikës së jashtme. Duke e ditur se nervi i reagimit të Shqipërisë ka vdekur, strategjia diplomatike ruso-serbe është vetëm të godasin, qoftë dhe jashtë çdo logjike dhe norme të së drejtës dhe të ligjit ndërkombëtar.
Paradoksin e qëndrimit ruso-serb kundër bashkëpunimit strategjik të Shqipërisë me Kosovën në fushën e politikës së jashtme e përbën në radhë të parë fakti se Rusia dhe Serbia kanë vetë midis tyre një bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme, të zyrtarizuar edhe me një traktat dypalësh. Kjo është sanksionuar me Traktatin e Partneritetit Strategjik midis Rusisë dhe Serbisë, të nënshkruar në vitin 2013, ku ndër pikat kryesore është pikërisht koordinimi strategjik dhe bashkëpunimi strategjik dypalësh në fushën e politikës së jashtme. Nuk dihet përse në MPJ të Rusisë e quajnë normale bashkëpunimin e tyre strategjik me një shtet si Serbia, që ndodhet në një rajon shumë larg Rusisë, dhe e quajnë të palejueshëm bashkëpunimin strategjik midis dy shteteve sovrane Shqipëri-Kosovë, ngjitur me njeri-tjetrin. Nuk dihet përse në Ministrinë e Jashtme ruse e quajnë normale që Rusia të pushtojë Osetinë e Jugut dhe Abhazinë në vitin 2008, të pushtojë Krimenë në vitin 2014, në emër të popullsive ruse atje, dhe e quan jo të drejtë që dy shtetet e pavarura shqiptare, subjekte të së drejtës ndërkombëtare, të bashkëpunojnë strategjikisht në fushën e politikës së jashtme.
MPJ e Rusisë e di fare mirë që rezoluta e vdekur 1244 e KS të OKB nuk i takon Serbisë, sepse Serbia nuk përmendet në asnjë rresht të saj dhe nuk ka pasur kurrë një mbledhje të KS të OKB për një rezolutë të re, që të korrigjonte terminologjinë e rezolutës 1244 dhe t’ia faturonte Serbisë. Nuk dihet për çfarë arsyesh Moska vazhdon avazin diplomatik se në bazë të rezolutës 1244 Serbisë gjoja i takon sovraniteti mbi Kosovën, gjë që rezoluta nuk e përmban. MPJ e Rusisë mund të rihapë arkivat e saj dhe të rishohë se ministri saj i jashtëm Sergej Lavrov ka qenë pjesë e Grupit të Konkaktit pë Kosovën dhe ka firmosur dhjetë pikate famshme të Deklaratës së Grupit të Kontaktit për Kosovën, sipas të cilave Kosova nuk do të bashkohet me asnjë shtet tjetër dhe me asnjë pjesë të një shteti tjetër, që do të thotë se Rusia ka qenë dakord zyrtarisht me kushtin ndërkombëtar që Kosova nuk do të bashkohet me Serbinë. Gjithashtu ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ka firmosur deklaratën e Grupit të Kontaktit për Kosovën, që përcakton se statusi i Kosovës do të vendoset me referendum nga populli i Kosovës. Rusia e dinte se shumica dërrmuese e popullsisë së Kosovës janë shqiptarë dhe e dinte se ajo popullsi do të votonte për pavarësinë. Rusia e di gjithashtu që në korrik 2010 Tribunali më i lartë juridik i OKB, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, konfirmoi ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës. Rusia nuk respekton vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Drejtësisë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe nga ana tjetër njeh të ashtuquajturat shtete të Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut, që i ka shpikur vetë.
Lidhur me Serbinë paradoksi është akoma më i madh. Serbia ka pranuar me marrëveshjen e 19 prillit 2013, të nënshkruar me Kosovën në Bruksel me ndërmjetësimin e BE, se është dakord që Kosova të bëhet anëtare e BE dhe nuk do ta pengojë atë as pranë palëve të treta. Beogradi e dinte se në BE pranohen shtete dhe jo provinca, ndaj marrëveshja e 19 prillit ishte hapi i parë serioz për të pranuar shtetësinë e Kosovës. Tani del ministri i jashtëm serb Daçiç, që e ka firmosur vetë atë marrëveshje, dhe thotë që Shqipëria dhe Kosova nuk kanë të drejtë që të bëjnë marrëveshje për bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme.
Elementi më komik i paradoksit diplomatik ruso-serb është anatemimi i tyre për nismën e përdorimit të përbashkët të selive të misioneve diplomatike nga Shqipëria dhe Kosova. Së pari, u duhet kujtuar ministrive të jashtme të Rusisë dhe të Serbisë se kjo është një praktikë e njohur diplomatike ndërkombëtare, të cilën nuk e kanë shpikur shtetet shqiptare. Është model i njohur, të cilin e përdorin me efikasitet shtetet skandinave, të cilat shfrytëzojnë selitë e përbashkëta në disa shtete për misionet e tyre diplomatike jashtë. Së dyti, Serbisë i duhet kujtuar se kjo është edhe një praktikë diplomatike serbe. Presidenti serb Boris Tadiç në nëntor të vitit 2010 u ka paraqitur propozimin zyrtar serb shteteve, që kanë dalë nga ish Jugosllavia, që të ngrenë ambasada dhe konsullata të përbashkëta. Pra është propozim dhe praktikë diplomatike serbe, dhe është vërtet për t’u habitur që Beogradi del tani dhe sulmon pse Shqipëria dhe Kosova po i drejtohen një praktike diplomatike të njohur ndërkombëtare.
Diplomacia sllave ka si metodë tipike ngritjen e zhurmave për çdo mizë që lëviz në ajrin diplomatik ndërkombëtar, kur nuk është në përputhje me interesat e tyre. Unë e kam përkufizuar para shumë vitesh si “diplomacia serbe e përplasjes së këmbëve”. Kjo metodë u ka rezultuar e suksesshme dhe me të kanë arritur që BE ta harrojë se Serbia është shteti agresor, që ka shkaktuar katër luftra kundër popujve joserbë në ish Jugosllavi. Falë kësaj metode Serbia ka arritur që BE të merret me taksën e Kosovës ndaj Serbisë dhe të mos merret me njëqind e një të zezat, që Serbia ndërmerr kundër Kosovës. Duke përfituar nga konfuzioni i diplomacisë së BE, që ndodhet në tranzicion, dhe nga rrëmujat ballkanike, Rusia dhe Serbia kanë intensifikuar zhurmat për probleme të paqena si ky i bashkëpunimit strategjik Shqipëri-Kosovë, duke synuar të bëjnë shantazh diplomatik mbi diplomacinë e BE, që ajo të bëjë lëshime strategjike ndaj Serbisë.
Problem jashtëzakonisht shqetësues është në këtë situatë heshtja prej mumje e qeverisë dhe e shtetit të Shqipërisë, të cilët po harrojnë minimalen e diplomacisë, që kur një shtet atakon shtetin, me të cilin ka marrëdhënie diplomatike, si në rastin e MPJ të Rusisë kundër Shqipërisë në 8 korrik, është i detyrueshëm reagimi zyrtar. Kjo, që bën Moska, është një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë. Kjo, që bën Serbia, është një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë. Tirana zyrtare, një shtet anëtar i NATO-s, nuk duhet të lejojë veten të sillet si shtet pa dinjitet, që mund t’i thonë çfarë të duan e mund t’i bëjnë çfarë të duan, dhe ai t’i kapërdijë në përulje. Idiotizmat për të qenë shembull i moderimit ballkanik dhe i konstruktivitetit ballkanik, të cilat kanë shoqëruar diplomacinë tonë të të gjithë periudhës postkomuniste, vetëm kanë shtuar nënvleftësimin e shteteve të rajonit për ne dhe kanë defaktorizuar Shqipërinë në Ballkan.
Nëse Shqipëria do të vazhdojë me modelin moldav apo venezuelian në fushën e politikës së jashtme, do të jetë fillimi i mbarimit të një shteti sovran në marrëdhëniet ndërkombëtare rajonale. Këtë presin shtetet, që nuk na kanë dashur kurrë, dhe të cilët punojnë që Shqipëria dhe kombi shqiptar të mos bëhen kurrë faktor vendimmarrës në rajon./gazeta dita/