Albspirit

Media/News/Publishing

Diplomacia angleze dhe zbulimi i naftës në Shqipëri

 

Një artikull nga studiuesi anglez Dr. David Harrison; përkthyer nga Mevi Rafuna.

Edhe pse kishte përfunduar karrierën politike, Sir Harry Charles Augustus Eyres (1856-1944), si një diplomat i shquar që ishte, u thirr për t’u emëruar si përfaqësues diplomatik i përkohshëm në Shqipëri me 1921. Me të ardhur në Shqipëri, ai e gjeti veten të mirëpritur nga qeveria shqiptare e cila ishte mirënjohëse që pranoi diplomatin e parë nga një shtet i fuqishëm europian, i cili arriti në vendin e tyre.


Në Shqipëri, ishte një periudhë e vështirë dhe me tensione, kur Eyres mori detyrën, njohja e territorit të Shqipërisë ishte çështje diskutabile, nga dy shtetet fqinje Greqia dhe Italia, ndërsa mosmarrëveshjet për kufirin po merrnin kahje shqetësuese. Kjo zgjoi interesin e Britanisë së Madhe, e që sipas shkrimtarit William Bland, aryeja për këtë interesim mbante dhe qëllime tjera.
Sipas Bland, nafta e gjetur në jug të Shqipërisë nga okupuesit italianë, kishte zgjuar interesin e kompanisë Anglo-Persiane të naftës e cila kishte lidhje me qeverinë britaneze, në veçanti me Winston Churchil, ndërsa kompania në fjalë kishte hapur negociatat me qeverinë shqiptare në vitin 1920, dhe emërimi i Eyres në Shqipëri shihej me interes të caktuar në rrafshin politik dhe atë ekonomik.

Mirëpo Eyres nuk ishte i vetmi anglez i cili punoi për interesat britanike në regjionin e Ballkanit, në veçanti në Shqipëri. Qysh nga epoka e ndritshme e Skenderbeut, Shqipëria zgjoi interes nga shumë personalitete të shquara me karakter unik, si aventurieri anglez John Newport i cili u rreshtua krah Skënderbeut, në luftën ndaj osmanëve; shekuj më vonë poeti i njohur anglez Lord Byron i cili Shqipërinë e shihte si një vend atraktiv për të zhvilluar krijimtarinë e tij artistike, e që gjeti ngrohtësi dhe mirëpritje nga shqiptarët dhe prijësi legjendar Ali Pasha.
Në vitin 1920, në Shqipëri kishte një bollok të anglezëve të cilët, përveç që ishin ngarkuar me misionie diplomatike, ata përcjellnin një frymë pro-shqiptare, në ato kohë të vështira për këtë popull.
Një tjetër personazh interesant në atë kohë, ishte anglezi Morton Fredric Eden (1865-1948), i cili sipas Lampros Psomas (shkrimtar grek), ishte një spiun anglez i cili operonte në Shqipëri, duke e furnizuar kështu diplomatin Eyres me informacione.
Eden njihej si pro-shqiptar dhe ishte anëtar i Asociacionit – Shqiptaro-Anglez, asociacion që u themelua nga Mary Edith Durham, ku ishin të përfshirë një numër i konsiderueshëm antarësh të cilët kishin synim, ndihmën ndaj shqiptarëve me 1913.


Ishte diplomati Eyres i cili kontaktoi një anglez tjetër Leitnant Kolonel W. F.Stirling (1880-1955), të ndihmonte në riorganizimin e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.
Stirling gjendet në Shqipëri nga vitet 1923-1931, ku shkroi autobiografinë e tij me titullin “Siguria e fundit” nën parathënien e poetit të njohur anglez Siegfried Seasson, kjo autobiografi përmbledhte me një kapitull kujtimet e Stirling gjatë kohës sa qëndroi në Shqipëri.

Stirling ishte njeri i afërt me Mbretin Zog dhe në librin me kujtimet e tij, ai thekson se luajti një rol të dobishëm në Paktin e Tiranës me 1926, i cili këshilloi Zogun në marrjen e kredive nga qeveria italiane, megjithëse kjo shihej si fillimi i fundit të influencës britanike në Shqipëri.
Stirling për fatin e eksplorimit të naftës shkruan:
‘Vërtetë që kompania Anglo-Persiane e naftës kishte fituar një koncesion nga qeveria shqiptare, për të kërkuar naftë. Pas shpimit të një numri të madh të vendeve, një shtresë që përmbante naftë ishte zbuluar në disa kodra të ulta në veri të Vlorës.Kuantiteti i naftës që u zbulua ishte i madh, por kualiteti i saj ishte i varfër. Duke qenë kështu sasia e naftës e dendur, ishte e vështirë për t’u nxjerrur nga puset për t’u rafinuar.Dhe rafinimi i saj kushtonte shumë shtrenjtë.’1
Kjo naftë e dendur në çmimet e tregut botëror nuk ishte fitimprurëse për kompaninë në fjalë, ndërsa koncesioni më pas iu ofrua italianëve të cilët e pranuan.
Stirling flet dhe për revoltën e qershorit me 1924, e cila udhëheqej nga Prifti Ortodosk shqiptar – Fan Noli, në atë kohë Zogu ishte Ministër i Punëve të Brendshme, e që nga kjo revoltë u detyrua të lagrohej nga Shqipëria.
Zogu rikthehet me ndihmën e forcave serbe, duke e marrë pushtetin në Shqipëri njëherë si kryeministër me 1925,pastaj si president dhe në fund për t’u bërë Mbret i Shqipërisë në vitin 1928’.

Stirling shkruan se si ishte porositur të kthehej në Angli, të gjente rekrutë dhe për të kërkuar mbështetjen e qeverisë së atjeshme, në organizimin e një force të xhandarmërisë profesionale. Por qeveria britaneze refuzoi t’i jepte mbështetje zyrtare Stirling edhe pse ai kishte vazhduar të rekrutonte ushtarë. Kjo ngjarje përcillej më vëmendje, mirëpo Sekretari Britanik i Shtetit kishte informuar Musolinin në Itali për planet në shtetin fqinj. Sipas Stirling zbulimi i naftës në Shqipëri, bëri që disa anëtarë të caktuar të qeverisë britaneze të ishin kundër kërkesës së tij, pasi që nuk donin të keqinterpretoheshin nga italianët.
Ishte viti 1928, kur Sir Henry Eyres mbaroi misionin e tij si i dërguar diplomatik në Shqipëri dhe gjithsesi roli i Stirling në Shqipëri ishte në fund, ashtu siç ai shkroi në autobiografinë e tij:
‘Me kalimin e viteve italianët filluan gradualisht të ktheheshin kundër meje, jo për arsye personale, qeveria italiane me shihte si pengesë, në synimet e tyre për ta kontrolluar Mbretin Zog, pasi që ai ishte mik i afërt me mua dhe shumë herë unë e këshilloja, në të njejtën kohë liderët politikë lokalë kishin frikë nga unë, pasi që dija shumë nga bëmat e tyre dhe nuk e pëlqenin ndikimin tim tek mbreti. Qeveria jugosllave poashtu më shihte si person të dyshimtë’.2
Stirling vazhdon:
‘Pozicioni im në Shqipëri po bëhej gjithnjë i vështirë dhe unë siguri gjeja vetëm në mal me fiset shqiptare. Në ato rrethana unë llogarita se dobia ime në Shqipëri po përfundonte, andaj në pranverën e vitit 1931,unë dhashë dorëheqje nga posti dhe u ktheva në Angli’.3
Periudha nga viti 1921-1931, dëshmon një ndikim të anglezëve në Shqipëri, veçanërisht ambiciet e kompanisë Anglo-Persiane të naftës në tokën e begatë.
Nga gjithë rrjedha e këtyre ngjarjeve, theksojmë se Eyres, Eden dhe Stirling janë tri personazhe që patën rol kyq në çështjet politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Ishte një moment i shkurtër në histori, ku gra dhe burra anglez, bënë një lëvizje duke promovuar dhe ndihmuar në zhvillimin e vendit si një komb modern.

Referencat: 
William Bland and Ian Price,A Tangled 
Web:A History of Anglo -American Relation with Albania,19121955
(London:Albania Friendship Society of Sourthern California,1986),p.13.
R.W. Ferrier,The History of British Petroleum Company:The Development Years,1901-1832,vol. 1 (Cambridge:Cambridge University Press,1982).
Lampros Psomas, A Spy in Albania:The Question of Southern Albania and Morton Frederick Eden, (University of Winchester,2007).
W.F. Stirling,Safety Last, (London:Hollis and Carter,1953).

Please follow and like us: