Ernest Koliqi: GJUHËS SHQIPE
Lshon amë ilire n’gojë agimesh s’vjetra
Ndo ‘i fjalë e jote than’ vetimeveti,
O gjuhë e folun n’botë ende ferishte
S’cilës Mayeri në të censhmet letra
Rraj’t e mshefuna n’mot nuk mund ia gjeti
As n’t’folun t’Cezarve as n’helenishte,
Përse Athina s’kishte
Emën as Roma, kur e rrept ushtove
Ndër vepra katallajsh qi npër jehona
Vigma t’fuqishme qitshin hove-hove,
Tue ndërtue ledhe përmbi troje t’ona.
Kuturesat e hyjit npër gjeth lisi
N’Dodonën shejte prifti, qi n’përgjime
Natën e ditën rrinte atje përdore,
Porse ndo ‘i fllad pullnaje kundalisi,
Ndoshta me fjal’t e tueja i dha heshtime
T’perfrigueshme qi mbluen t’parat therore:
Ndoshta ndo’ i buz’ hyjnore
N’at mot qi zota shpesh përbujte toka
Shqiptoi kto fjal’ qi ne mbi goj’ na shkrefen;
Me ty hyjneshat ndoshta npër kto boka
Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.
Mbi anija t’shpejta velat nde kah preja,
Qi urdhni i Teutës niste nen hyj ari
Me msy t’Helenit barkat tregëtuese
Ngarkue me ar e kem e skllave t’reja,
Ty t’këlthitte n’timue anijetari
Tue i ra me kiç ilir pupës bishtnuese;
E përmbi val’ shkëmbuese
Ti jehojshe ndër hymnet e ngadhnjimit
Kur, me plaçkat e rrmbyeme mbrend’ stivue,
U afrojshin n`breg anijat prej agimit,
Mbretneshës s’detit pret me i a dhurue.
Mysteri i vjetër qi mbërthen fjal’t t’ueja,
Zanin na e dridh’ me nji kreni t’pashoqe,
O gjuhë e folun për trimij pranvera,
E tok na mbajte ndër pushtime t’hueja
Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe
As kur u ndam n’besime e doke tjera;
E shekujve potera
Qi me vrull u përplas mbi tok’ shqiptare
Ndonjij ndrrimi edhe n’ty i cili shtegun,
Por prap kumbimet n’buzë i ke krenare
Si n’mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.
Thue buza e kangatarve të paemën
Qi gzim e idhnim me ty knduen majë mali
Dhe kanga u humbi n’errësin e motit,
Kët përmallim qi mungullon mbi t’ëmën
E vjen nga heshtja e shekujve m’a fali,
Mue trashigues i tune n’dhe t’Kastriotit?
N’kthjelltin e ditës s’sotit
Kang’ ndoshta t’kndueme qi vorroi kalesa
Këndoi, o gjuh’ lulzue n’shkreti, dh’asht goja
E eme ahmarrse e gojve qi harresa
N’terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.
Motrat e tueja qi kumbuene n’shekull
Bukurin tue sjell’ n’prak t’ksaj jete
E tjetra ligj’t e Arsyes qi mbarshtrojn’ fise,
Heshtën e rrojn’ veç n’karta: ti, për mrekulli,
Me nji mosh’ trimij vjetsh e blerun mbete
Edhe kumbon e gjall’ po n’ato vise
Ku me lshue tingujt nise
N’foshnjin e botës. Pse t’ka ruejtun fati
T`njom edhe virgjin? Egërsija jote
Mos mban n’at gji, q’i hueji nuk pecati,
Stinën e fundme t’poezis s’ksaj bote?
O shqipe plot me munguj, o gjuh’ burrash
Qi me ‘i fjal’ t’vetme lidheshin për laku
Dhe soje as vdekja s’mujte kurr me i trande,
Shprehje t’kulluet na ep si akull gurrash
Për kang’t e burrnis s’lasht q’ushqejm’ te gjaku
E t’lavdis s’re qi me t’fitue na kande;
Thjeshtin e ambël t’ande
Me ndjell’ dashnin e vashavet qi t’flasin
Falja poetve t’u, por n’qe se kamben
Buzës amtare kush ia ven, ti casin
Mos prit: banu rrufe me lshue n’të namen.
O Kangë, Arbnor’t e plogtë i kapi gjumi;
Ti kris si za burije
Mbi ata qi flejn’ pa andrra fisnikije:
E n’qe se belkacuk’t e gjuh’s ilire,
Tue t’ndie fishkllojn’ prej smire,
Me rrahje flatrash ik n’nalsi t’kalthera.