Qerim Vrioni: Fotoja “Berat, 1936” e Ilia Xhimitikut dhe një histori pas saj
Qerim Vrioni, kritik fotografie dhe studjues
Një ndër fotot e dalë nga duartë dhe aparatet e fotografit beratas, Ilia Xhimitiku, e mbërritur në ditët e sotme e publikuar shpesh në shtyp është edhe kjo me titullin “Berat, 1936”. Në të vërtetë ky emër iu vendos, ndonëse autori e saj e ka përfshirë në numrin e madh të fotove që kishte realizuar atë ditë në qytet, por pa pagëzuar asnjerën.
Foton, në madhësi kartoline, e kisha kaluar shumë herë para syve, kur vështroja albumet vjetra fotografike të familjes. Ndër to, si më e hershmja ishte një foto e tim eti në moshën 18-19 vjeçare (fillimi i viteve ’20) ulur në një karrige, në oborin e shtëpisë apo të ndonjë studio fotografike të Beratit. Këtu ka një peng për autorin e këtyre rreshtave, sepse ende nuk është mundësuar gjetja e emrit të fotografit.
Disa vite pasi u mësua shkaku (historiku) i fotos, ajo u përfshi në albumin në fund të librit tim “150 vjet Fotografi Shqiptare”(2009), që me shumë gjasa ishte hera e parë e publikimit të saj. Tre vite më vonë, 2012 fotoja shoqëroi artikullin “Ilia Xhimitiku-fotografi simbol i Beratit” (Gazeta Tirana Observer, 19.8.2012), të cilin e ribotuan (bashkë me foton) edhe 2-3 organe të tjera shtypi, si edhe disa portale. Kështu, fotoja nisi të popullarizohej, por edhe të nxiste pyetje të shumta nga shikuesit e saj. Ndërkohë, më 2013, fotoja u paraqit edhe në albumin me foto të zgjedhura shqiptare brenda “Fjalor i Fotografisë”(2013) dhe kishte dalë tashmë në rrugë të madhe, por duhej plotësuar historiku i saj.
Për fat, ceremonia që pasqyron fotoja ndodhi në mes të shtatorit (rregullisht data 15), koha ishta me diell dhe mjaft e përshtatshme për fotografim. Përfytyrohet disi fotograf Xhimitiku, atëherë plotë energji, ende pa mbushur 30 vjet, duke fotografuar gjindjen, por edhe duke shkëmbyer fjalë me bashkëqytetarët e tij, që pothuaj të gjithë e njihnin. Herë pas here, ai do të këtë ndaluar disa çaste për të rregulluar parametrat teknikë të aparatit që mbante të varur në qafë…. Shumë foto të asaj dite kanë përngrirë brenda tyre edhe mjaft qytetarë beratas, e sa prej këtyre ndoshta ndodhen edhe sot nër familjet e vjetra të qytetit, fatkeqësisht pa ju a ditur vlerën dhe rëndësinë për historinë e qytetit, por edhe të gjithë Shqipërisë.
Nga Shkodra, ku kishte shkuar edhe një dërgatë e posaçme nga Gjirokastra, arkëmortet u përcollën me një ceremoni të madhe të organizuar nga Bashkia e qytetit në datën 14 shtator 1936. Aty u mbajtën fjalime të ngrohta për dëshmorët nga personalitete të njohura të qytetit, midis tyre, At Anton Harapi, Ernest Koliqi etj.
Me shumë mundësi, udhëtimi për në jug e gjeti kortezhin e makinave në të ngrysur në Berat e atje kanë ndaluar. Autoritet vendore me të marrë njoftim, ka të ngjarë të kenë vendosur që të nesërmen, figurave të shquara t’u bëhej nderimi i merituar edhe nga populli i Beratit. Kështu arkëmortet u vendosën në Bashki dhe njerëzit e shumtë me kënaqësi përuleshin me respekt të thellë para tyre.
Nga një letër (email, dt.9.1.2019) e dërguar nga Nju Jorku, z. Luan Leka (dt.1930), atëherë nxënës i shkollës fillore, mësohet së para Bashkisë, përveç qytetarëve, ishin rreshtuar edhe shkollarët e qytetit me mësuesit e tyre. Mandej, pas ceremonive të rastit, të gjithë e shoqëruan kortezhin deri te Ura e Goricës, njerëzit me arkëmortin e Çerçiz Topulli e kaluan urën dhe vijuan për në Gjirokastër, ndërsa pjesa tjetër e mbajti arkëmortin e Muço Qullit deri te Çikrikët për të vazhduar rrugën për në Korçë e mandej në Leskovik (Letër e z. Parashqevi Sahatçiut, 23.1.2019). Në një foto tjetër po të Xhimitikut, shkrepur disa minuta më pas asaj ceremoniale, vërehet se kortezhin e drejtuar për në jug e printe një ushtarak, e po ashtu anash shoqërohej nga ushtarakë të tjerë, çka tregon për një protokoll të studiuar nga organet administrative. Gjithsesi, edhe ky version i dytë nuk ja ul fare vlerën e nderimit qytetar të banorëve të Beratit për dy Dëshmorët e Kombit, se Homazhet mund të kryheshin edhe në qytete të tjera gjatë rrugëtimit nga Shkodra drejt vendlindjeve të Fatosave, psh, në Tiranë, Durrës, Kavajë.
Vetvetiu, lind pyetja: pse do të sillej arkëmorti i Muço Qullit deri në Berat, mandej ta kthenin sërish deri në Rrogozhinë e prej andej në Korçë dhe Leskovik? Më e udhës do ishte qe rrugën nga Shkodra deri në Rrogozhinë të dy arkëmortet të ishin bashkë, aty njeri të vazhdonte drejtë Beratit, ndërsa tjetri, të kthehej majtas për në Elbasan, Korçë dhe Leskovik. A mos ishte gjithçka e organizuar nga organet shtetërore, për të zhvilluar nje ceremoni nderimi në qytetin e Beratit? Po ashtu, pjesëmarrja në homazhe nga autoritet kryesore të qytetit, ndërprerja e punës në administratë dhe e mësimeve në shkolla, flet për një veprimtari të parapërgatitur me kujdes, ndoshta prej një urdhëri nga Tirana. Kështu, mund të ketë ndodhur që ndalesa për homazhe në Berat, siç u përmend sëpari, nuk ishte rutinë, por gjithçka e organizuar me protokoll shtetëror të dërguar nga Tirana.
Më kthjellët e më ndryshe për këtë ngjarje shkruhet në librin studimor “Topullarët e Gjirokastrës-Bajo e Çerçiz”. Aty ndër të tjera thuhet se: “Përcjellja plot madhështi dhe emocion e Shkodrës do pasohej me pritje e përcjellje spontane e po aq emocionuese edhe nga populli i Beratit dhe Këlcyrës”, (Bajo Topulli-Topullarët e Gjirokastrës-Bajo e Çerçiz-Albin, Tiranë, 2008, f.335). Pra, homazhet dhe përcjellja me ceremoni e arkëmortevve të dy martirëve ishin spontane, dmth, jo të urdhëruara (nga të dhënat e deritanishme) nga qeveria, po të organizuara nga autoritetet e qytetit dhe populli i tij, çka ja shton vlerën morale ceremonisë së Beratit. Për më tepër, si Çerçiz Topulli ashtu dhe Muço Qulli, mesa dihet, nuk kishin ndonjë lidhje farefisnore a miqësore të veçantë me beratasit.
Si shenjë vlerësimi për nderimet ndaj dy dëshmorëve, Bashkia e Gjirokastërs u dërgoi më vonë telegrame falenderimi bashkive të Shkodrës, Beratit dhe Këlcyrës për veprimtaritë dhe homazhet nderuese për ta.(Gazeta “Demokratia”, 3 tetor 1936).
Dy nga të pranishmit në foto, mendohet se do kenë vendosur nderimin për dy atdhetarët, kryetari i Bashkisë Kolë Rrodhe dhe Prefekti Qazim Bodinaku. Krahas këtyre, në rreshtin e parë, përpos letrës së z. Leka, edhe me ndihmën e historianit nga Berati Ahmet Kondo (disa vite më parë) , saktësohen emrat e dy juristëve institucional të Beratit, Prokurorit të Shtetit, av. Rakip Leka (i ati i z. Leka të letrës) dhe Kryetarit të Gjykatës, Av. Avni Koka. Përveç tyre, dallohen pjesëmarrës si Selami Qulli, i vëllai i Muço Qullit, farmacisti Vangjel Haxhistasa, av. Andrea Sahatçi, ekonomisti Jakub Vrioni, av. Hasan Dosti, av. Xhevdet Mehqemeja, Milto Tutulani. Thuajse të gjithë pjesëmarrësit ne ceremoni, në shenjë respekti të thellë, kanë hequar kapelet nga kokat.
Natyrisht, në veprimtari të tilla, ishte i pranishëm dhe mjaft aktiv edhe fotokronikani i njohur i Beratit, Ilia Xhimitiku. Ai, sipas letrës së z. Leka, fotografonte atë ditë pjesëmarrësit në homazhe nga pika të ndryshme, për t’u përcjellë brezave që do vinin, ceremoninë e veçantë sa më të saktë dhe emocionuese. Historia ka përherë nevojë për foto të tilla dokumentare, të cilat me kalimin e viteve marrin edhe vlera shumë të mëdha historike.
Gjithsesi, nga sa është krehur historia e qytetit të një mbi një dritareve, nderimi për Çerçiz Topullin dhe Muço Qullin përbënte ngjarje madhore shoqërore, në mos më e shquara, me frymë kombëtare të atij viti në Berat, prandaj mendohet se titulli “Berat, 1936”, i qëndron fare mirë kësaj fotoje të njohur të Ilia Xhimitikut.
Çerziz Topulli dhe Muço Qulli qëndruan vetëm disa orë në Berat, por ata do mbesin përjetësisht në një vend të nderuar kujtesën historike të qytetit edhe nëpërmjet kësaj fotoje dokumentare të Ilia Xhimitikut të vitit 1936./gazeta shqiptare, milosao/