Albspirit

Media/News/Publishing

Regjimi Iranian ndalon anijen e huaj cisternë me 12 anëtarë ekuipazhi, thotë Media Shtetërore

Shahriar Kia 

Regjimi iranian ka kapur një anije cisternë nafte, tha të enjten agjensia shtetërore e lajmeve Press TV, para se të publikonte më vonë një video ku pretendonte se shfaqej cisterna.

Agjensia e lajmeve Fars, e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), tha se forcat e IRGC-së i kishin zënë pritë cisternës, e cila mbante 12 njerëz në bordin e saj, të dielën.

IRGC tha se u ishte përgjigjur fillimisht thirrjeve të alarmit nga një anije të dielën por kur kishin bërë kërkimin, kishin zbuluar se ishte një “operacion kontrabande,” sipas mediave shtetërore iraniane.

Videoja e publikuar nga Press TV të enjten tregon dy anije më të vogla që manovrojnë përreth një anijeje më të madhe, me shënime të qarta ku shkruhet “RIAH” dhe “Panama.” Nuk është e qartë se kur është filmuar videoja e cisternës.

Që në fundjavë, inteligjenca amerikane ka hetuar se çfarë i ka ndodhur cisternës me flamur panamez, M/T RIAH.

Uebsiti që gjurmon anijet, Marine Vessel Traffic, nuk ka patur një vendndodhje aktuale për cisternën që nga 7 korriku, sipas CNN.

Pasi inteligjenca amerikane ngriti shqetësimin se anija mund të jetë tërhequr me forcë në ujërat iraniane fundjavën e shkuar, Irani tha të mërkurën se i kishte ndihmuar një anijeje që vuante nga një problem teknik.

Mbetet e paqartë se në pronësi të kujt është anija, tha CNN.

Ndërkohë që disa raporte sugjeronin se cisterna është në pronësi të Emirateve, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë se cisterna në fjalë nuk është “as në pronësi të tyre, dhe as nuk operohet prej tyre. Ajo nuk mban personel nga Emiratet, dhe nuk ka lëshuar thirrje alarmi,” sipas shtetërores ËAM.

Duke cituar një deklaratë të IRGC-së, Fars e ka përshkruar anijen si një cisternë të huaj që është kapur në një zonë në jug të Larak-ut, një ishull i vogël në Ngushticën e Hormuzit.

Fars shtoi se anija mbartte lëndë djegëse që e kishte kontrabanduar nga anije të vogla iraniane.

Në një deklaratë të enjten, një zyrtar i Departamentit ameirkan të Shtetit tha se SHBA “e dënon fuqishëm ngacmimin e vazhdueshëm nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike ndaj anijeve dhe pengimin nga ana e tij të sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe përreth saj.”

“Irani duhet ta ndalë këtë veprimtari të paligjshme dhe ta lirojë menjëherë ekuipazhin dhe anijen që raportohet se ka kapur,” tha zyrtari, duke shtuar se SHBA do të “vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për të garantuar që taktikat e forcës dhe veprimtaritë malinje të regjimit iranian të mos e pengojnë më tej sigurinë detare dhe tregëtinë globale.”

Mëngjesin e së enjtes, Flota amerikane shkatërroi një dron iranian duke përdorur bllokimin elektronik, tha për CNN një zyrtar amerikan i mbrojtjes. Ekuipazhi i USS Boxer ndërmori masa mbrojtëse kundër mjetit ajror iranian pa pilot pasi ky i fundit iu afrua anijes së flotës amerikane, sipas zyrtarit.

Zëdhënësi Kryesor i Pentagonit, Jonathan Hoffman, tha se USS Boxer kishte qenë në ujërat ndërkombëtare ku po “kryente një tranzit të planifikuar në Ngushticën e Hormuzit.”

Presidenti amerikan Donald Trump tha se droni iranian po “kërcënonte sigurinë e anijes dhe ekuipazhit të saj” dhe “u shkatërrua menjëherë.”

SHBA “rezervon të drejtën për të mbrojtur personelin tonë, objektet dhe interesat tona dhe u bën thirrje të gjitha kombeve që t’i dënojnë përpjekjet e Iranit për të penguar lirinë e lundrimit dhe tregtinë globale,” shtoi Trump.

Në një incident tjetër javën e shkuar, anije të armatosura të IRGC-së tentuan pa sukses t’ia bllokonin kalimin një cisterne britanike nafte në Gjirin Persik.

Në qershor, tensionet midis SHBA-së dhe regjimit iranian u përshkallëzuan gati deri në një ballafaqim ushtarak pasi Teherani qëlloi dhe rrëzoi një dron amerikan përmbi Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve transportuese më thelbësore të botës.

Të mërkurën, kreu i IRGC-së, Komandant Hossein Salami, paralajmëroi se regjimi iranian do ta zëvendësojë strategjinë e tij aktuale mbrojtëse me një strategji ofensive “nëse armiku bën gabim,” sipas raportimeve nga Agjensia e Lajmeve Tasnim, e lidhur me Forcën Quds të IRGC-së.

Në prill 2019, Departamenti amerikan i Shtetit e shtoi IRGC-në në listën e organizatave të huaja terroriste.

Please follow and like us: