Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: A do ngrejë PS komision hetimor pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt?

Ramush Haradinaj speaks in parliament (picture-alliance/dpa/AA/E. Keci)

Sipas të gjitha gjasave, Ramush Haradinaj paska dhënë dorëheqjen për përfitim politik. Ky përfundim rezulton pas shumë gërmimeve që mediat pranë Edi Ramës i bëjnë këtij akti që shënon një standart të munguar në demokracisë tonë.
Vetë Edi Rama nuk ka se çfarë të thotë, megjithëse është një shkundje në pjesën e epërme të truallit të shqiptarëve, ai është tepër i zënë me fushatën kundër informalitetit. Jo rastësisht muret e facebook të tij janë të mbushur me dyer lokalesh plot shirita të kryqëzuara. Ku ai trumbeton efiçencën e veprimit të organeve përkatëse. Para pak ditëve i kërcënoi hapur dhe publikisht taksambledhësit e tij. Sot lavdërohet me dyer lokalesh bash në pikun e turizmit, luftë imformalitetit etj.
Megjithëse 98% e botës shqiptare gumëzhin, jo vetëm për Ramushin, por edhe për standartin, ai lufton informalitetin. Në dukje sikur nuk i interesojnë zhvillimet në Kosovë. Megjithëse vendet e rajonit, mediat, kryeministrat përkatës janë shprehur me kohë publikisht. Keq apo mirë, kundër apo pro, u shprehën. Kurse kryeministri i Shqipërisë është shumë i zënë me informalitetin, me gjykatat për ca mandate votimesh që ngecin në çengelat e ligjit. Për ca mandate që nuk e di pse nuk i çertifikon po publikisht deri sa sipas tij mori një fitore plebishitare? Nga ana janë një farë mballomash që në preteksin se kanë mendimin e tyre, thonë se Ramushi e bën për përfitim politik. Në fakt kuotat e Ramushit ka qënë lart me kohë që nga taksa 100% për mallrat serbe, qëndrimin kundër ndarjes territoriale a korrigjimit të kufijve etj. Dhe për më tepër është në detyrë dhe e ka mundësinë të t’i kapi të gjitha. Ka mundësinë t’i bëj presion gjykatave, presidentit, komisionit zgjedhor etj. Për më tepër që ka përvojë komandanti lufte dhe mund të rrahi gjoksin me dekorata, por nuk i bën. Dhe as nuk i çon nëpërmend. Dhe as nuk flet me përbuzje për kundërshtarin politik duke shpënë gjithë rëndësinë e ekzistencës së tij tek zgjedhja e sovranit. Kurse kryeministri ynë gërrvërret në fb me qytetarët që ndihen të alarmuar nga reprezaljet e gjobave në pikun e punës. Duke e kuptuar fare qartë që janë viktima të informalitetit të një shteti me arka të zbrazura nga partneriteti publik dhe korrupsioni. Kryeministri i Shqipërisë nuk ka se çfarë thotë për zhvillimet politike në Kosovë. I injoron ato për shkak të përplasje publike me Ramushin, pasi ky i fundit, nxorri në pazar bisedat e shefave në kabinetet e europës. Shkurt punë çiliminjsh kur thonë myzeqarët. Por ka angazhuar një tufë grafomanësh duke aluduar mbi përfitimin politik të Ramushit. Pra Ramushi dha dorëheqjen që të përfitojë politikisht. Kur është kështu përse nuk ia sugjerojnë edhe ”gjenisë” së informalitetit, km së tyre. Nëse ai nuk ka ftesë nga Haga, i thoni gjykatave shqiptare të shkruajnë ca fletë-thirrje gjyqi dhe ky të japi dorëheqjen. Pasi është i pastër, nuk frikë nga reforma në drejtësi. Kësisoj mund të përfitoj edhe politikisht ashtu si Ramushi. Pas kësaj logjike i bie të pyesim, a do ngrejë PS-ja një komision hetimor për Ramushin? A do ankimoj Idajet Beqiri dorëheqjen e Ramushit në kolegjin zgjedhor? Po komisioni zgjedhor i Denar Bibës, a do e njohi dorëheqjen e Ramushit? Keni tagrin e plotë, shqiptarët ua kanë dhënë të drejtën të tallni menderen ndaj mos nguroni dhe bëjeni. Madje ngulni këmbë tek shefi, tregojini rrugën se si mund të bëhesh hero. Se u ka votuar sovrani. Por janë të gjitha broçkulla pasi e kanë mirë ata shumica e madhe e botës virtuale kur thonë atë që, kur Ramushi braktisi Zvicrën si emigrant dhe shkoi të çlironte Kosovën, shefi juaj gjurmonte plazhet nudo të Europës. Madje Kosovën e kish në kokë si një nocion fshataresk, jo si pjesë e ashtit kombëtar. Dhe këto tipa a karaktere nuk ndryshojnë pak, ndryshimi mes tyre nuk është i madh, por është humnerë.

Please follow and like us: