Albspirit

Media/News/Publishing

ONM fshikullon KPA për shkarkimin e Antoneta Sevdarit

Vëzhguesi ndërkombëtar e konsideron jopropocional vendimin e Kolegjit të Posaçëm të për të shkarkuar anëtaren e KLP-së Antoneta Sevdari, ndërsa shprehet se interpretimi i gabuar nga KPA i ligjit e kthente atë në një mjet për të bërë “mutacion gjenetik” prej nga çdo gjë mund të cilësohej “deklarim i pamjaftueshëm”.

Vladimir Karaj  BIRN  Tiranë

 

KPA gjate shqyrtimit te ankimin ndaj prokurores Antoneta Sevdari | Foto : LSA

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është shprehur kundër vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të shkarkuar prokuroren Antoneta Sevdari – ish-anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Opinioni i vëzhguesit Ferdinando Buatier de Mongeot, i publikuar nga ONM si mendim pakice, vë në dukje se shumica në KPA që vendosi për shkarkimin e Sevdarit, nuk kishte prova dhe se përcaktimi për “deklarim të pamjaftueshëm” ishte bërë në interpretim të gabuar të ligjit.

De Mongeot kundërshton interpretimin e ligjit nga shumica në KPA, duke thënë se ajo ka transformuar nenin 61 pika 3 të ligjit për rivlerësimin (shkarkimi për deklarim të pamjaftueshëm), në një mjet që mund të “bëjë mutacionin gjenetik” të çdo pike të përmendur në nenin 33 (vlerësimi i pasurisë) të po këtij ligji, në deklarim të pamjaftueshëm.

Vëzhguesi vë në dukje se vendimi ishte i bazuar vetëm në faktin se Sevdari “për pak dështoi të provonte që kishte paguar taksën e të ardhurave”, ndërsa thotë se nuk “ishte korrekte që këto gjetje të klasifikoheshin si deklarim i pamjaftueshëm”.

Ai po ashtu kundërshton arsyetimin e shumicës së trupës gjykuese për profesionalizmin, duke thënë se ishte bazuar në një formalitet dhe se rasti i marrë parasysh nuk kishte qenë me peshë dhe se bëhej fjalë për një rast të vetëm në gjithë karrierën e prokurores.

Sevdari u shkarkua më 28 shkurt nga KPA me shumicë votash, pasi vendimi për konfirmimin e saj nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte apeluar nga Komisioneri Publik. Sipas vendimit të zbardhur relatori Sokol Çomo, kryesuesi Luan Daci, anëtarët Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz votuar për shkarkimin e Sevdarit, me arsyetimin se kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Në pakicë gjyqtarja Ina Rama u shpreh se ish-prokurorja kishte provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave të bashkëshortit dhe se megjithëse nuk mund të provonte pagimin e tatimeve, ky nuk mund të ishte shkak për shkarkimin.

Ky është vendimi i parë i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që kundërshtohet nga ONM. Vetë shumica në vendimin e zbardhur është kontraverese ndërsa pranon aty se provat e sjella nga ish-prokurorja për punën e bashkëshortit si gjeodez në Arabinë Saudite “arrinin nivel besueshmërie” dhe më pas e rrëzon këtë qëndrim duke hapur kllapat dhe shtuar “por jo atë të bindjes”.

Antoneta Sevdari e ka filluar karrierën si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në vitin 2002 dhe në vitin 2013 ajo është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka qenë pjesë e task-forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Ajo u konfirmua në detyrë nga KPK me 18 korrik, por vendimi u apelua në gusht 2018 nga Komisioneri Publik. Sevdari njihet për punën e saj në prokurorinë e Tiranës për procedimin e çështjes CEZ-DIA kundër biznesmenit, Kastriot Ismailaj – i dënuar me 11 vjet burg për një nga rastet më të rënda të mashtrimit dhe korrupsionit në Shqipërinë e tranzicionit.

Qëndrimi i ONM për pasurinë

Ashtu siç del edhe nga opinioni në pakicë i vëzhguesit të ONM, shkarkimi i Antoneta Sevdarit, e cila ishte zgjedhur si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është bazuar kryesisht mbi legjislacionin për tatimet.

Ferdinando Buatier de Mongeot vë në dukje që në fillim se ai ka bërë një vlerësim të ndryshëm të rastit bazuar mbi të njëjtat fakte, ndërsa thotë se problemet nuk kishin të bënin me provat e marra parasysh, por me mënyrën se si ishte interpretuar ligji.

Mongeot thotë se KPA ka cilësuar gabimisht se Sevdari kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm. Duke iu referuar ligjit 84/2016 vëzhguesi lë të kuptohet se interpretimi i bërë nga KPA nuk qëndronte. Sipas tij pika 61/3 e ligjit e cila flet për deklarim të pamjaftueshëm, kishte marrë në këtë rast peshë më të madhe se pika 61/1 e të njëjtit ligj ku flitet për justifikimin e pasurisë me burime të ligjshme.

De Mongeot është i mendimit se në rastet kur pasuria e pajustifikuar me burime të ligjshme nuk është sa dyfishi i pasurisë së ligjshme, por si në rastin konkret vetëm një pjesë e vogël e saj, nuk mund të merret vendim shkarkues.

Ai shpjegon se ligji parashikon “deklarimin e pamjaftueshëm” në rastet kur personi që rivlerësohet ka fshehur pasurinë apo ka bërë deklarime të rreme.

Vëzhguesi shprehet se “bazuar mbi argumente të forta” arritja në përfundimin se kemi “deklarim të pamjaftueshëm” mund të bëhet vetëm kur hetimi ka prova se “subjekti ka kryer (me veprime ose mosveprime) një falsitet, për shembull ka prova se ai nuk e kishte atë burim të ardhurash të cilin pretendoi se e kishte”.

Në të kundërt ai vë në dukje se nuk mund të arrihej në një përfundim të ngjashëm në rastin kur “subjekti për pak nuk arrin të provojë ekzistencën apo legjitimitetin e burimit të të ardhurave, sepse në këtë rast nuk është e sigurt nëse ai ka bërë deklarim të rremë”.

Duke folur konkretisht për rastin Sevdari, Mongeot shprehet se nuk arrinte të shihte se çfarë “duhej të kishte bërë subjekti më shumë sa i përket deklarimit ose zbardhjes” së pasurive.

Ai bën me dije se pamundësia për të provuar pagesën e tatimeve për të ardhurat e bashkëshortit në emigracion në Greqi dhe në Arabinë Saudite thjeshtë tregojnë se këto të ardhura nuk mund të përdoren për të justifikuar asetet e deklaruara. Ndërsa thekson ndër të tjera se ato ishin vetëm një sasi e vogël e totalit të pasurisë dhe nuk i afrohen dyfishit të saj.

“Totali i të ardhurave që  nuk mund të merren parasysh për të justifikuar asetet, për shkak se mungojnë provat për pagesën e taksave, është vetëm një fraksion i vogël i të ardhurave legjitime që familja kishte në dispozicion”, shprehet De Mongeot.

Ai kritikon mënyrën se si KPA ka interpretuar ligjin në këtë rast, duke vënë në dukje se ky interpretim krijonte mundësinë që çdo deklarim bazuar në paragrafin 33 të ligjit 84/2016 të konsiderohej si i pamjaftueshëm.

Duke vënë në dukje se ky interpretim e kishte kthyer ligjin në një mjet “të aftë për të kryer mutacion gjenetik të çdo pikë të përmendur në nenin 33 dhe kthyer atë në deklarim të pamjaftueshëm”. Neni 33  i referohet procedurës së rivlerësimit të pasurisë.

Sipas ONM nëse i njëjti interpretim aplikohej për konfliktin e interesit edhe pse ky konflikt mund të ishte i deklaruar dhe edhe pse mund të mos kishte asnjë falsitet në këtë deklarim, duhej konsideruar si “deklarim i pamjaftueshëm” vetëm për faktin se ai referohet në pikën 5 të nenit 33 të ligjit për rivlerësimin.

Vëzhguesi po ashtu thekson si problematik faktin se të gjitha argumentet kundër Sevdarit ishin vetëm tërthorazi faj i saj, që sipas tij është e rëndësishme për të vlerësuar atë nga ana subjektive. “Të gjitha shkeljet e supozuara financiare lidhen me subjektin vetëm në mënyrë indirekte, përmes bashkëshortit”, shprehet ai.

Qëndrimi për profesionalizmin

Në çështjen që u konsiderua nga shumica e KPA se “cënonte besimin e publikut të drejtësia” vëzhguesi është po ashtu kritik. Ai thotë se gabimi për të cilin Sevdari akuzohet është i një “natyre formale” dhe se nuk kishte të bënte me një krim të rëndë.

Duke u nisur nga fakti se Sevdari akuzohej prej shumicës se kishte dështuar të apelonte një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë duke humbur afatet e apelimit. Për këtë rast shumica në arsyetim kishte pranuar se situata e cila kishte pamundësuar apelimin kishte qenë e vërtetë, por e gjeti atë shkarkuese.

Vëzhguesi nga ana tjetër thotë se çështja nuk kishte qenë e rëndësishme dhe se provat në dosje tregonin se ajo dosje kishte pak mundësi të merrej në konsideratë në apel sepse i mungonte një nga kushtet e veprës penale. Kjo sipas tij duhej të ndikonte në peshën që i vihej subjektit mbi këtë rast.

Ai shprehet se gabimi në këtë rast ishte jo domethënës si “nga një këndvështrim subjektiv edhe nga një këndvështrim objektiv”. Ndërsa parashtron çështje ai thotë se ishte problematike që asaj i jepej rëndësi nga ana disiplinore, qoftë kjo edhe për një vlerësim vjetor të profesionalizmit.

Dukë vënë në dukje se bëhej fjalë për një “rast të vetëm” të zgjedhur prej gjithë karrierës së Sevdarit, vëzhguesi vë në dukje se ajo nuk duhej parë si penalizuese.

Please follow and like us: