5000 iranianë demonstrojnë në Stokholm
Znj. Maryam Rajavi: Bashkimi Europian duhet t’i listojë Beyt Khamenei-n, Gardën Revolucionare (IRGC) dhe Ministrinë e Inteligjencës (MOIS), si qendra kryesore të shtypjes dhe terrorizmit, në listën e organizatave terroriste dhe të vërë një sanksionim gjithëpërfshirës mbi ta
Të shtunën më 20 korrik 2019, 5000 iranianë në një demonstratë madhore në Stokholm bënë thirrje për një politikë të rreptë dhe sanksione gjithëpërfshirëse kundër regjimit të mullahëve, listimin terrorist të IRGC-së, MOIS-it dhe Beyt (Shtëpisë) së Khamenei-t, si dhe për njohjen e së drejtës së popullit iranian për të rezistuar dhe për ta përmbysur regjimin klerikal.
Ata shpallën mbështetje të plotë për Muxhahedinët dhe njësitë e rezistencës, si dhe mbështetën znj. Maryam Rajavi, Presidenten e zgjedhur të rezistencës dhe planin e saj me dhjetë pika për të ardhmen e Iranit. Ata dënuan fuqishëm çdo marrëdhënie me regjimin e mullahëve apo promovim të tij dhe u bënë thirrje qeverive europiane që t’i ndjekin penalisht, t’i ndëshkojnë dhe përjashtojnë agjentët e inteligjencës dhe mercenarët e forcës terroriste Quds.
Tubimi nisi në Sheshin Kungtärgården, me fjalimet e personaliteteve. Më pas u bë marshimi në qendër të Stokholmit përpara se njerëzit të riktheheshin në Sheshin Kungtärgården.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, i përshkroi demonstruesit si zëri kumbues i njësive të rezistencës dhe të Ushtrisë Kombëtare të Çlirimit në mbarë botën, të cilat janë ngritur për çlirimin e popullit iranian nga persekutimi, varfëria dhe padrejtësia.
Znj. Rajavi tha se kohës së paqësimit me fashizmin fetar në Iran i ka ardhur fundi, dhe se rezistenca dhe kryengritja popullore e kanë çuar regjimin në pikën e fundit. Në regjimin klerikal nuk ka vend as për minimumin e të drejtave njerëzore, lirisë së shprehjes, drejtësisë, barazisë mes grave dhe burrave, autonomisë dhe të drejtave të minoriteteve e kombësive. Vegimi i transformimit dhe iluzioni i reformës e moderimit në këtë regjim nuk do të mashtrojnë më askënd.
Znj. Rajavi shtoi se nuk është më e mundur që të pretendohet sikur nuk ka alternativa ndaj këtij regjimi dhe sikur ky regjim do të ishte më i mirë për popullin iranian. As etiketimi i Muxhahedinëve dhe rezistencës së Iranit nuk ka efekt.
Ajo theksoi se populli iranian pret që Europa, e cila në shekullin e fundit përjetoi dhimbjen dhe vuajtjen e madhe të shkaktuar nga dominimi i fashizmit të Hitlerit, t’i kuptojë vuajtjet e popullit të Iranit sot dhe të vihet në anën e kërkesave të popullit iranian.
Znj. Rajavi e nxiti Bashkimin Europian nën Presidencën finlandeze që t’i listojë qendrat kryesore të represionit e terrorizmit, konkretisht, Beyt-in e Khamenei-t, Korpusin e Gardës Revolucionare (IRGC), dhe Ministrinë e Inteligjencës (MOIS), si entitete terroriste, të vërë sanksione gjithëpërfshirëse, t’i ndjekë penalisht, t’i ndëshkojë dhe t’i përjashtojë mercenarët e këtij regjimi, dhe ta njohë të drejtën e popullit iranian për të rezistuar e për ta përmbysur regjimin e mullahëve dhe për themelimin e demokracisë dhe sundimit të popullit.
Znj. Rajavi u bëri thirrje qeverive nordike që të ushtrojnë presion mbi regjimin iranian në mënyrë që ai t’i hapë dyert e burgjeve dhe të pranojë një komision ndërkombëtar hetimi.
Në tubim mbajtën fjalime një numër figurash politike, duke përfshirë Rama Yad, ish-Ministren e të Drejtave Njerëzore të Francës, Magnus Oscarsson nga Parlamenti Suedez, Senatorin Lucio Malan nga Senati Italian, Senatorin Gerald Michael Horkan dhe ish-ministrin John Perry nga Irlanda, Edward Julius Solens, ish-Ministër i Mjedisit i Islandës, Kimmo Sasi, ish-ministër dhe deputet në Parlamentin Finlandez.
Në fjalimin e saj, duke iu referuar kongresit 5-ditor të rezistencës në Ashraf 3, znj. Rama Yad tha se atje kishte parë një cep të fuqisë dhe vullnetit të pamposhtur të rezistencës për lirinë e Iranit. “Ata nuk janë vetëm një opozitë, dhe as thjesht një alternativë, por janë si një shtet që është gati ta shpëtojë Iranin nga shkatërrimi që ka sjellë diktatura fetare. Atje kam takuar njerëz që ia kanë kushtuar gjithë jetën lirisë së popullit të tyre.”
Senatori Lucio Malan tha në fjalimin e tij, “I pyes politikanët europianë, çfarë drite shihni në politikën e brendshme dhe të jashtme të këtij regjimi fashist, që këmbëngulni në politikën e paqësimit? Ku janë vlerat europiane? Pse këmbëngulni në paqësimin e një regjimi, regjistri 40-vjeçar i të cilit është i zi? Sot, të ndjekësh këtë politikë është sikur të vësh bast mbi një kalë të ngordhur. Regjimi është në prag të rrëzimit. Edhe nëse mendojmë për interesat tona, duhet ta mbështesim dhe ta njohim alternativën e fuqishme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës. Kjo jo vetëm që do ta ndryshojë të ardhmen e Iranit por edhe të ardhmen e rajonit dhe do të ketë shumë ndikim në garantimin e paqes dhe sigurisë globale”.