Pro Armenia: Dënimet e ashpra të Perandorisë Osmane ndaj Ismail Qemalit, Faik Konicës dhe Shahin Kolonjës
Aurenc Bebja
Pro Armenia ka botuar, me 25 qershor 1901, një shkrim në lidhje me dënimet e ashpra të Perandorisë Osmane kundrejt patriotëve shqiptarë Ismail Qemalit, Faik Konicës dhe Shahin Kolonjës.
Për çfarë akuzoheshin më konkretisht bashkatdhetarët tanë ?
Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
Dënim dhe urdhër-arresti
Një shkresë zyrtare e gjykatës së apelit të Stambollit njofton se Ismail Qemali, me origjinë nga Vlora (Shqipëri), i akuzuar për arratisjen në Athinë, në shtete të tjera jashtë vendit dhe në Egjipt, dhe pasi kishte bërë publikime serioze kundër lart madhërisë së tij Sulltanit dhe qeverisë së tij, u gjykua në mungesë. Faji i tij u pohua, kështu ai u dënua me vdekje, me humbjen e të drejtave të tij civile dhe me konfiskimin e pasurisë së tij të sekuestruar tashmë.
Një shkresë zyrtare nga zyra e prokurorit publik të Stambollit pohon se shqiptari Faik, i akuzuar për kryerjen e publikimeve të dyshimta, ende në gjendje të lirë, i është dhënë një periudhë e re dhjetë ditore për t’u paraqitur në gjykatën penale. Pas kësaj periudhe, ai do të gjykohet në mungesë, pasuritë e tij do të konfiskohen dhe ai do të humbasë të drejtat e tij civile. Autoritetet policore do ta arrestojnë atë kudo që ta gjejnë.
Një shkresë zyrtare e prokurorit perandorak të gjykatës së apelit të qytetit tonë njoftoi se i emëruari Shahin, ish-zëvendës guvernator i Malit Atos dhe Vlorës, i akuzuar për arratisje jashtë vendit dhe për realizimin e publikimeve të dyshimta, u gjykua në mungesë përpara gjykatës penale të Stambollit. Pasi u vërtetua fajësia e tij, ai u dënua, sipas nenit 68 të Kodit penal osman, me burgim të përjetshëm në një burg të fortifikuar, me humbjen e të drejtave të tij civile dhe me konfiskim të pasurive të tij.
Ismail Qemali nuk është tjetër përveç se Ismail Qemal Beu, ish këshilltar shtetëror, një nga burrat më të arsimuar dhe të shquar në Turqinë bashkëkohore.
Sa i përket “të emëruarve Shahin dhe Faik”, l’Albania é vogel, suplement politik i revistës Albania, komenton dënimin e tyre në një shkresë të titulluar Dudumët (pseudonim popullor i turqve në Shqipëri) dhe shqiptarët:
“Shqiptarët do ta kenë kuptuar se flitet për Shahin Bej Kolonjën dhe Faik Bej Konicën.
As njëri dhe as tjetri nuk u japin rëndësi këtyre komedive të pahijshme. Ata rezervojnë të drejtën për të demonstruar se nuk mund të shkelen shqiptarët aq lehtë sa në letër.
Megjithatë, do të ishte mirë të theksohet se Faik Bej Konica nuk u “arratis” jashtë vendit, por ai u largua me autorizimin e shtetit (pasi duhet autorizim për gjithçka në Turqi ), dhe se ai ka qenë këtu për pesëmbëdhjetë vjet. Ai nuk ka kërkuar kurrë ndonjë gjë nga qeveria aziatike, nuk njeh një fjalë turqisht dhe nuk e kupton çfarë i kërkohet. Ai është i habitur që bashkëpunimi i tij me një revistë shkencore dhe gjuhësore përshkruhet si armiqësor.
Sa për Shahin Bej Kolonjën, na duket se një vend pune nuk është i përjetshëm; ai donte të jepte dorëheqjen, qeveria nuk ka asgjë për të thënë”.