Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati vjen me librin e ri ‘Bosnja, një pikëpamje nga Tirana’

Image result for shaban murati, bosnja

Doli nga shtypi libri i ri “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana”, i diplomatit dhe studjuesit Shaban Murati, botuar nga fondacioni i mirënjohur “Alsar” në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën boshnjake. Libri, i cili përfshin analizat diplomatike për zhvillimet dramatike në Bosnjë-Hercegovinë gjatë 20 viteve të fundit, është vepra e trembëdhjetë në korpusin e librave të autorit, kushtuar ekskluzivisht mendimit diplomatik shqiptar, çeshtjes shqiptare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Libri i i ri i analizon një nga çeshtjet më të komplikuara diplomatike të rajonit dhe të kontinentit europian në ditët e sotme, çeshtja e Bosnjës. Rreth 25 vjet pas mbarimit të luftës më të egër lokale në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, çeshtja boshnjake ka mbetur një nga vatrat më të rrezikshme të konfliktit në Ballkan. Autori e ka konsideruar detyrim profesional dhe intelektual ndjekjen e zhvillimeve në Bosnje, sepse duke qenë një krizë, që zien, mund të ketë pasojat e saj në të gjithë rajonin, aq më tepër që shteti, i cili i fryn zjarrit të konfliktit boshnjak, është po i njejti që i fryn konfliktit edhe në Kosovë, pra Serbia. Autori e ka konsideruar detyrim profesional dhe intelektual trajtimin e çeshtjes boshnjake, sepse në mënyrën më të habitëshme konstatohet vakum i përhershëm informativ dhe bllokim i interesimit në Shqipëri për këtë fuçi baroti ballkanik. Nuk duhet harruar se në Bosnjë jetojnë mijra e mijra shqiptarë dhe para luftës atje vetëm në Sarajevë kishte rreth 20 mijë shqiptarë. Vështirë të shpjegosh çudinë përse në Shqipëri nuk e ka ndjekur dhe as ka shkruar njeri në vazhdimësi për dinamikën e kësaj krize. Mund të thuhet se ky është libri i parë i botuar në Tiranë nga një autor vendas, që i kushtohet shpjegimit dhe interpretimit të kurbës së krizës boshnjake në 20 vitet e fundit. Libri i ri i diplomatit Shaban Murati “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana” plotëson kështu një boshllëk informativ dhe analitik për diplomatët, studjuesit dhe lexuesit shqiptarë, për të mësuar dhe kuptuar një nga dosjet më intriguese diplomatike të rajonit tonë.
Libri zbërthen kompleksitetin e rrezikut të konfliktit të brendshëm etnik në Bosnjë-Hercegovinë, duke analizuar në vijimësi politikën e nacionalizmit serbomadh për të prishur shtetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe për të gllabëruar pjesë të territorit të tij. Harta e analizës diplomatike të autorit përfshin raportet e çeshtjes boshnjake me diplomacinë europiane, me diplomacinë ruse, me diplomacinë e shteteve fqinjë, përplasjet dhe intrigat ndërkombëtare, nismat dhe përpjekjet e shumta rreth një krize, që mbeti fokus i ndeshjeve gjeopolitike dhe i interesave vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Janë efekte që lidhen direkt dhe indirekt me interesin tonë kombëtar, siç është çeshtja e Kosovës, ku nga Bosnjë-Hercegovina është bllokuar njohja e Kosovës për shkak të vetos së të ashtuquajturës “serpska republika”. Libri trajton edhe qendrimet e Shqipërisë në faza të ndryshme të çeshtjes boshnjake, duke evidentuar moskuptimet dhe devijimet, që e kanë karakterizuar.
Libri i ri “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana” i diplomatit dhe studjuesit Shaban Murati sjell një kontribut të ri në mendimin diplomatik shqiptar, duke e pasuruar me këndvështrimin e munguar profesional nga Tirana për një nga çeshtjet më të mprehta të aktualitetit diplomatik e gjeopolitik në Ballkan. Në të njetën kohë, libri i botuar në gjuhën shqipe dhe në gjuhën boshnjake, mund të konsiderohet një kontribut i vyer në forcimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit me një shtet dhe me një popull ballkanik, me të cilin kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe me të cilin kemi ndarë fate të hidhura nga të njejtët armiq historikë.

Please follow and like us: