Albspirit

Media/News/Publishing

Kozeta Zavalani: ‘Puhijëzë pranverore’ në mes të korrikut

Pata kënaqësinë të moderoja një veprimtari të bukur, mbajtur në mjediset e ristrukturuara të sallës së Akademisë së Shkencave për promovimin e librit të ri me poezi te krijueses Natasha Dhoska me titullin e bukur “Puhijëzë pranverore”. Emocione të këndëshme jo vetëm sepse Natashën e kam mike, por edhe sepse organizatore është Shoqata “Devolli” që ka nxjerrë figura të shquara të kombit tonë, në fushën e letërsisë si Dritero Agollin dhe jo vetëm. Si bijë Korçe jam e nderuar të prezantoj shkrimtaren e poeten Natasha Dhoska, dikur me profesion mësuese, që është e pasionuar me botimet. Ajo ka botuar 10 libra artistikë, letrarë dhe metodikë si: “Yje për mua” (poezi); “Limani i shpirtit tim” (poezi); “Sytë e tu” roman, monografinë “Ali Kondi, Artist i Merituar”, “Pisika më e vogla e shtëpise”, tregime për fëmijë, teksti shkollor “Edukimi muzikor”, etj. Njëkohësisht edhe verësimet për mësuesen, poeten dhe shkrimtaren Natasha Dhoska janë të shumta si: “Nderi i shoqatës “Frashëllinjtë”; “Nderi i shoqatës “Devolli”; “Nderi I Organizatës së Dëshmorëve”; “Anëtare Nderi e Organizatës së Veteranëve”, “Mirënjohja” nga komuna e Vushtrisë, Kosovë; “Çertifikatë” nga Ministria e Arsimit, “Fletë Nderi” nga shkolla e muzikës e Çikagos (SHBA), “Mirënjohja” e shoqatës “Bytyçi”, “Çertifikatë” nga Unioni i Shqiptarëve të Amerikës” etj. etj. Natasha ka promovuar edhe libra të tjerë, mes miqve krijues e të afërmve të saj, por sot nga familja, përveç djemve, Andit, professor klarinete e Klodit, me të cilin jemi njohur vite më pare kur punonim së bashku në një nga universitetet private të vendit, merr pjesë për herë të parë vajza e saj Genta. Ajo ka ardhur nga Çikago e ShBA së bashku me vajzën, ku prej vitesh jeton familisht, duke ushtruar profesionin e bukur të mësuesisë, ashtu si mamaja e vet. Vëllimi ka marrë titullin nga poezia me titull:”Në puhijëzën pranverore Në gjirin tend/Më pushtove natyrë/Më gllabërove shpirtin/Si dashuria e zjarrtë.” Ne të gjithë kemi pasur dëshirë e kënaqësi që të vlerësohemi për krijimtarinë letrare nga studiuesja e njohur Prof. Dr.Klara Kodra. Këtë fat e ka Natasha, ndaj edhe reçensat rreth librit filluan me fjalën e Klarës, e cila pasi vlerësoi poezitë e librit të ri për muzikalitet e rezonance të këndëshme, theksoi se:”Në ditët e sotme po përjetojmë një krizë të letërsisë e cila çuditërisht shoqërohet me një inflacion librash. Ka shumë shkrues dhe pak shkrimtarë. Ka shumë vargëzues dhe pak poetë. Kritikës – e cila është gjithashtu në krizë – i bie detyra e vështirë të zbulojë midis shumë guackave boshe guaskën që fsheh margaritarin.” Pastaj vazhduan me referatet e tyre Niko Ligori, Ervehe Baruti, kryeredaktore e gazetes “Devolli” dhe mike e autores, Hysen Koçillari, antar i kryesisë i Shoqatës “Devolli” dhe autor i shumë librave, si dhe poeti e studiuesi Pandeli Koçi. Natasha është edhe Ambasadore për Paqen, pasi ajo plotëson të gjitha kushtet për të qenë e tillë e mbi të gjitha, jeton për të ndihmuar të tjerët – u shpreh midis të tjerash në përshëndetjen e saj Katarzina Minollari, kryetare e Federatës së grave. Përshëndeti edhe kryetari i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve Ilir Shkëmbi dhe kryetari i Shoqatës Kombëtare “Gora” Behxhet Begolli. Në mbyllje kryetari i Shoqatës “Devolli” Guri Seferi i dhuroi Natashësh për kontributin e saj të çmuar “Çertifikatë Mirënjohje”. Mes emocionesh Natasha Dhoska përshëndeti e falenderoi të pranishmit që kishin mbushur sallën, duke sjellë puhijëzë pranverore në mes të korrikut.

Please follow and like us: