Albspirit

Media/News/Publishing

Poezi dhe aforizma nga Mimoza Pulaj

Fotografia e Mimoza Pulaj

Dritarja
Ndërsa shëtit mbi fytyrën e ëndrrës
vesa e lindur,
duart që hapin
fjalë bëhen: erë
Për t’u arratisur me shikimin.
Si gjeometri të padukshme.

Kone të gëzuar. Cilindra përrallorë.
E asgje nuk eshte e huaj…
Llogaritet: qetësia e një liqeni;
fëshfërima e gjetheve të pemëve rrethuar…
Qiell vajzërie: sferë e madhe ngjyrash.
Këmbanat verore urojnë
një ditë të bukur. Me gjunjë te agimi.

Rrugicë e vjetër
E magjishme nga harqet
ku koha nuk ka moshë.
Merr e nxjerr frymë. Si univers.
Pluhurosur nga shkundja e qilimave portat e saj të drunjta.
Brenda tyre: mullaga e orkide
me zemër më të lehtë drejt dritës.
E madhe, një merimangë tremb një buzëqeshje
drejt gjyshes. Për t’i shkuar fillin në gjilpërë.
Fishkëllimë e një balone gjashtkëndore.
Ndoshta shkatërrohet…por e pret. Edhe në shi.
E vjedhur, një hurmë.
Përkëdhel xhep i grisur: një çap ti, një çap unë…Në oborr.
Lule pa ngjyrë
Anije e mysët, më e madhe se deti.
Edhe kur iki larg në Mars a Jupiter e ndiej.
Eja të pimë kafe-më flet. Në heshtje.
E vërtetë e madhe. Helm.
Deri në pikën e fundit e pi.
Dil nga trupi im, ngjyrë e rreme!
Në bodrumet e luleve, rri!
Në qytetin tim të ëndrrave
plot dritë e yje,
qartësi hëne, rend drejt syve të mi!
Si drejt një luleje pa ngjyrë.

Gëzim

Dy grushta ujë çoj në qiell
e Dielli më premton ylber.
Brishtësi e zërit tim
në harkun e tij përplaset.
Mbi degë gëzimi
mbulohem
nga një kaskatë -oshtim.

Qartësi

Shëtit me mua qiell agimi!
Nga çdo mendim i kotë
të zbrazet ky korrik…Shi dielli!
Guxim, me hapat në livadhe të mëdha,
përgjigju gjithçkaje! Pa bërë asnjë pyetje.
Brenda nje kristali le të dallgëzohet e thahet deti!
Veshur me bukuritë e tua,
le të ulet: fara e re. Pranë meje.

Frika
Zëri yt më thotë më shumë se fjala.
Dridhet dhe lëkundet nga drita
që papritmas më fryn në sy e më përkthen gjërat.
Brenda një drejtkëndëshi të errët.
Lëre të kulmojë gëzimin tim sot!
Jeta ime të jetë kjo që po tingëllon.
Në shpirt nuk dua të të fus
por po të vesh si një mantel.

Për shumë sy
Lulëzim muajsh të braktisur. Zbehtakë.
Të mbjella fjalët: hije të rrëmbyera të një fluturim.

Pa përshëndetur, qëndruan
gjatë…aty ku ai u ndal.
Të huaja tashmë…nuk kanë as ngjyrë e as tingull.
Nuk ka nostalgji që t’i prekë.
Për shumë veshë flasin…për shumë sy.
Fjalët
Të nisura në tetor.
Me 10 milionë lopata dhe marsi i mbuloi.
E prilli për të mos qënë indiferent u kthye në epigram.

 

Aforizma

Të rrezikosh për të shpëtuar
buzëqeshjen e një gruaje.
Dhe pse e di se nuk je ti arsyeja.
Nuk janë zinxhirë këto, që më rrethojnë shpirtin.
Por rrënjë.

Vargu me fjalë ndërtohet.
Por është bir i heshtjes.
Çdo ditë përshkruan ëndrrat e të tjerëve.
Çdo natë fle me boshllëkun e tij.
Plan rrëshqanas në hapësirë.
Bashkësi pikash me gjymtyrë ujore.

Please follow and like us: