Albspirit

Media/News/Publishing

Firmoset kontrata mes Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozitës

Firmoset kontrata mes Aleancës në Mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe opozitës. Ajo parashikon që aleanca të angazhohet për betejë të pandërprerë për mbrojtjen e Teatrit dhe opozita në mbështetje të qëndresës së tyre si edhe restaurimin e Teatrit, kur të vijë në pushtet.

Në emër të opozitës kontratën e ka firmosur vetë kryetari Lulzim Basha, ndërsa në emër të Aleancës një numër artistësh.

Kontrata përmban 6 pika, në të cilat Aleanca angazhohet të vijojë pa ndërprerje mbrojtjen për Teatrin, ndërsa PD dhe opozita për të mbështetur këto aksione në mbrojtje të ndërtesës dhe të pronës publike. PD angazhohet gjithashtu, se në muajin e parë të qeverisë së saj, kompleksit Skanderbeg, ku bën pjesë Teatri, do t’i rikthehet statusi Ansambël Monument Kulture dhe do t’i nënshtrohet menjëherë ruajtjes dhe restaurimit.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, deklarojnë se do të angazhohen të shfuqizojnë ligjin që parashikon shembjen e  Teatrit dhe të vendosë para përgjegjësisë penale çdo person të përfshirë në grabitjen kriminale të truallit të Teatrit Kombëtar.

Lidhur me Teatrin Kombëtar:

  1. “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” shpreh vendosmërinë për të vijuar pa ndërprerje betejën për mbrojtjen e kompleksit shumëfish historik e kulturor, në të cilin funksionojnë aktualisht dy teatrot, ai Kombëtar dhe ai Eksperimental.
  2. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar angazhohet të mbështesë veprimet dhe aksionet e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” për mbrojtjen e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar dhe njëherësh për mbrojtjen e pronës publike të kërcënuar nga tjetërsimi i paligjshëm dhe korruptiv, duke përfshirë ndërmarrjen e çdo aksioni, të duhur e të nevojshëm, ligjor, politik e qytetar.
  3. Brenda 1 muaji nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksit të ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i rikthehet me përparësi statusi “Ansambël Monument Kulture”, duke qenë pjesë e Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës.
  4. Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksi i ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i nënshtrohen ruajtjes dhe restaurimit të tyre, duke tërhequr në një sipërmarrje të tillë përvojën dhe ekspertizën e arkitektëve dhe ekspertëve të monumenteve të kulturës më të mirë në vend.
  5. Brenda 1 muaji nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të shfuqizojë me përparësi si antikushtetues ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe i godinës së re të Teatrit Kombëtar”, si dhe çdo akt tjetër ligjor e nënligjor që buron prej tij dhe parashikon tjetërsimin e paligjshëm të pasurisë publike.
  6. Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjor për të garantuar vënien përpara përgjegjësisë penale dhe administrative të të gjithë vendimmarrësve publikë dhe subjekteve private, për përfshirjen në aferën e grabitjes kriminale të truallit të Teatrit Kombëtar, duke u ngarkuar atyre edhe detyrimin për kompensimin e çdo dëmi të shkaktuar.
Please follow and like us: