Bashkia e Tiranës: ‘Mirënjohja e Qytetit’ për ish-kolonelin Ruzhdi Baxhaku
Promovohen dokumentari dhe libri “Ruzhdi Baxhaku, një shok , një fisnik, një misionar”
Halil RAMA
Bashkia e Tiranës nderon me Titullin “Mirënjohja e Qytetit”, ish-kolonelin Rruzhdi Baxhaku në vitin e parë të ndarjes nga jeta, duke e vlerësuar për drejtimin me përkushtim, kompetencë e profesionalizëm të sektorit të Emergjencave Civile për gati dy dekada.
Dr.Erindi Bejko, Drejtor i Përgjithshëm i Objekteve në Bashkëpronësi, Administrimit të Njësive Administrative dhe Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës, duke i dorëzuar Familjes Baxhaku Titullin “Mirënjohja e Qytetit” për ish-kolonelin Rruzhdi Baxhaku, akorduar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, foli për vlerat humane, profesionale dhe organizative të tij. Me Ruzhdiun, tha ai, përballuam shumë ngjarje, si tërmete, përmbytje etj. Ne shihnim tek ai njeri, ekspertin me përvojë 15 vjeçare. Shpesh i drejtoheshim njëri tjetrit: “Ç’thotë komandanti për këtë problem?!”. Dhe Ruzhdiu me qetësinë, profesionalizmin dhe përkushtimin na mësonte si ti zgjidhnim edhe ne detyrat më të vështira që nuk kishin ndodhur më parë.
E bija e Ruzhdiut, Anila, duke marrë çertifikatën e mirënjohjes falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe të gjithë pjesëmarrësit për respektin dhe mirënjohjen që kanë treguar dhe treguan për babain e tyre.
Për vlerat e Rr.Baxhakut foli edhe ish-kolegu i tij, Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kryetar i Kryegjyshatës Bektashiane Botërore me qendër në Tiranë.
“E kam patur shok, mik, vëlla. Së bashku kemi ndërtuar shumë objekte kulti , teqe në të gjithë Shqipërinë. Zoti ju bekoftë të gjithë ju që keni ardhur sot për të nderuar kujtimin e shokut tonë Ruzhdi”,- theksoi Ai në fjalën e tij.
Zv.kryetari i OBVL (Organizatës së Veteranëve të Bashkuar të Veteranëve), kol. Myfit Guxholli përshëndeti në emër të kësaj organizate. Ai falenderoi organizatorët për këtë aktivitet përkujtimor për ushtarakun e karrierës, skënderbegasin dhe ish anëtarin e Këshillit Drejtues të OBVL, Ruzhdi Baxhaku. “Ne si OBVL vlerësojmë kontributin e tij si pasardhës veterani, për forcimin e konsoldimin e OBVL dhe mbrojtjen e vlerave të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”,-tha ndër të tjera kolonel Guxholli.
Kujtime impresionuese sollën nga takimet e bashkëpunimi me të ndjerin Rruzhdi Baxhaku miqte e kolegët e tij, gjeneral (dr) Agim Lala, ish-drejtori i Emergjencave Civile në bashkinë e Tiranës, Erion Koka, shkrimtarët Shpendi Topollaji e Vasil Premçi.
Drejtimi me përkushtim, kompetencë e profesionalizim i Sektorit të Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës për 16 vite, e ka bërë Ruzhdi Baxhakun një nga emrat më të spikatur e të respektuar nga qytetarët e metropolit shqiptar, e veçanërisht nga ata familje tiranase që patën fatin e keq të provonin fatkeqësi të ndryshme natyrore.
Që në krijimin e këtij sektori të rëndësishëm ai do të shpaloste vizionin e ushtarakut bashkëkohor dhe dimensionin njerëzor, të trashëguar nga Familja dhe të perfeksionuar gjatë punës e jetës ushtarake. Këtë vizion e gjejmë më së miri në dhjetra platforma e projekte të bashkisë së kryeqytetit për përballimin e emergjencave civile, në raste përmbytjesh nga shirat e rrëmbyeshëm si dhe të fatkeqësive të tjera natyrore, nga zjarret, tërmetet etj. Si koleg me të, për pesë vitet e fundit, pata fatin ta njoh nga afër dhe të mësoj shumë prej tij.
Profili i Ruzhdi Baxhakut është ai i një intelektuali të vyrtytshëm që dijet dhe aftësitë e tija i përdori gjatë gjithë jetës në shërbim të komunitetit. Janë me dhjetra rastet e fatkeqësive natyrore në metropolin shqiptar, ku si “ekspert i dijes për një fushë të caktuar”, Ruzhdiu ishte “zëri i së vërtetës” që depërtonte deri në instancat më të larta të bashkisë e të shtetit për të ndihmuar me të gjitha potencialet të dëmtuarit. Kjo edhe për faktin se standardi i gjykimit të tij, ndonëse në dukje “thelbësisht teknokratik”, u shndrrua në standard i instancave përkatëse të Emergjencave Civile në rang vendi.
Nëse baza e gjykimit të intelektualit është dija që ai ka për një fushë të caktuar, këtë më së miri e gjejmë të sintetizuar në profilin e R.Baxhakut, një ish – ushtarak e kuadër i përgatitur, me dije e njohuri të larta profesionale, të cilat i materialzoi mjeshtërisht në shërbim të publikut. Ai shërbeu me devotshmëri e përkushtim në funksione të ndryshme në repartet e Ushtrisë, nga ato bazë të komandantit të togës, kompanisë e batalionit deri në drejtimin e njësive të mëdha, në Elbasan e Tiranë, duke e mbajtur me nder emrin e ish – skënderbegasit e të studentit të Akademisë Ushtarake dhe të familjes së tij nga Petrela, kjo perlë e turizmit shqiptar. Si i tillë, Ruzhdi Baxhaku bën pjesë në plejadën e ushtarakëve shqiptarë që u shkolluan në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, në Shollën e Lartë të Bashkuar dhe në Akademinë e Mbrojtjes dhe që kontribuan për forcimin dhe modernizimin e Ushtrisë Shqiptare. Si bir i një familjeje me tradita atdhetare, u mëkua që në fëmijërinë e herëshme me traditat e familjes, të fisit e të fshatit të tij emërnditur, nga ku mori me vehte “pasaportën” e zgjuarsisë natyrale, dhuratë e genit dhe natyrës të vendlindjes së tij, që nuk ka të dytë për nga bukuria e resurset njerëzore dhe turistike.
Qindra pjesëmarrësit që mbushën sallën e Madhe të Muzeut Historik kombëtar në Tiranë, miq, bashkëpunëtorë, ish-ushtarakë, familjarë dhe të afërm ndoqën me interes dokumentarin “Ruzhdi Baxhaku, një shok , një fisnik, një misionar. Ndërkohë ata morën “dhuratë” librin me të njejtin titull, me kujtime dhe opinione të 46 bashkëautorëve, përgatitur nga shkrimtari Vasil Premçi.