Ina Kosturi: Koncert në vitin 2019 ose ‘Franck’ me sconto (ngjarje reale)
E vjetëruar nga koha, nga debutimet e shumta, ndonëse në prag rikonstruksioni salla e madhe në Universitetin e Arteve e ruan magjinë e një salle të vërtetë. Dalja e parë në atë skenë tejkalon sukseset, emocionet e çdo skene tjetër dhe bashkë me privilegjin është padyshim përgjegjësi për çdo student.
Afishja modeste e publikuar në korridor, ato pak ftesa të ndara si me turp, publikimi në rrjetet sociale, dritat e skenës janë magjia e pritur prej vitesh. Koncertet e studentëve janë zakonisht evenimente të larmishme, e ashtu si zërat bashkohen me instrumentat, spektatori kryesisht dhe ai i përbërë prej grupe studentësh ngatërrohet me familjarë duke sfiduar kapriçot e motit, dhe atë ditë prilli me shi të rrëmbyer pranvere që lagte pa pushuar Tiranën.
Ish ulur në një nga ndenjëset diku nga mesi i sallës , tashmë në një pozicion tjetër nga ai spektatorit të zakonshëm, ndryshe nga ai i komisionit të provimeve dhe në mendje befas i kish ardhur koncerti i saj i parë në atë skenë : pianistja , studentët, profesori . Debutimi i parë si soliste e studente në atë skenë mbetej special dhe i paharruar.
Koncerti filloi dhe këngëtarja e shkëputi nga e shkuara. Soprano dhe piano që e shoqëronte i dhanë ngjyrimin e parë asaj mbrëmjeje. Pas pak fillonte violina, sonata që e donte aq shumë dhe me studenten kishin punuar gjithë këtë kohë për ta realizuar sa më mirë.
Në profesionin e tyre nuk kish asnjëherë përsosmëri, e mira ish e pafundme dhe vepra të tilla me peshë ishin të ndërtuara mbi ndërthurjen e sy instrumentave, roli i pianos ish njësoj i rëndësishëm. Si gjithmonë në gati dy dekada, megjithë numrin e madh të punësimeve të pianistëve në fakultet, herë veçmas e herë në turma, shoqërimi i violinës mbetej gjithnjë problem. Numri i madh i studentëve, repertori i vështirë kish bërë që siç hynin me përkëdheli ashtu dhe të largoheshin dhe i shmangeshin shoqërimit të violinave, me përjashtim të disa pianisteve stoike që ndër vite e vazhdonin me pasion këtë punë, po që nuk mjaftonin për të tërë studentët. Kishin kërkuar një pianiste për koncertin dhe mesa dukej i ishin përmbajtur shprehjes së biznesit “Mirë dhe lirë”.
Kish filluar koha e parë… Shiu kish pushuar jashtë, ndërsa brenda sallës një breshëri tingujsh po i sulej Franck-ut pa mëshirë, thuajse duke e mbytur violinën, që me zë të mekur mundohej t’ia dilte përballë të dehurës që luante fort dhe shpejt.
Si në një dyluftim sonata kish humbur notat, diezisat, bemolat ishin ngatërruar në partin pianistik që ngjante me një improvizim të keq. Në mendje i kish ardhur një dyqan demodesh diku në qendër të një qyteti italian me shkrimin “Prezzi mai visti” dhe batuta e menduar dikur për ta plotësuar me frazën “Ma anche i vestiti mai visti…”.
Po e skontonin dhe sonatën, shprehja “Mirë dhe lirë” nuk funksiononte në art… Nga koha e katër pianistja e skontoi deri në 70 për qind, njësoj si mall konsumi të zakonshëm, derisa dora e majtë pushoi dhe ia la vendin hera herës vetëm të djathtës.
Violina kish vazhduar deri në fund, duke u munduar ta mposhte hera-herës, gjithë atë shëmti që vinte nga piano e madhe në atë skenë të shenjtë… Ulur nga mesi i sallës i ish bindur ligjeve të pashkruara të skenës për heshtje, me inatin e dhjetëra notave gabim të pianos në atë sonatë të mrekullueshme…
Kuptoi se nga viti 1936 në 2019 shumë gjëra kishin ndryshuar. Nga filmi “Koncert në 1936” kish ndryshuar personazhi që nuk i bindej dikur Nuri Beut. E pyetja e filmit ‘Sa lekë do t’ia prishësh koncertin studentes’, pyetje që askush s’kish guxuar ta bëjë më parë, sot në 2019 në Shqipërinë që po lëngon kish marrë përgjigjen epike: ‘Dua ca koncerte’!
Më i trishtuar se ai Franck që gjithsesi nesër e në muajt, ditët në vazhdim do shpaloset me dinjitet diku tjetër, më e trishtuar se zhgënjimi i dikujt, është drama që po përjeton Shqipëria.
Ju dëgjoj të flisni në intervista për rreziqet që i kanosen vendit, për kapjen e gjithçkaje. Merremi me politikën e madhe dhe nuk e shohim të keqen që është mbjellë midis nesh dhe ushqehet çdo ditë në emër të interesit, përfitimit, që lulëzon në injorancën, varfërinë dhe heshtjen tonë.