Ylli Pepo-Kineasti i 10 dokumentarëve kushtuar Kinës
Ylli Pepo tashmë 71 vjeçar ka një lidhje të veçantë me Kinën. Qysh prej vitit 1974 ai ka fokusuar në kamerën e tij 10 filma dokumentarë kushtuar Kinës, ndërsa në shtator pritet premiera e filmit të tij më të ri, me rastin e 70 vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës.
CMG: Lidhja juaj me Kinën është disavjeçare dhe tejet e veçantë. Si nisi takimi i Ylli Pepos me Kinën?
Ylli Pepo: Eshtë kënaqësi që më jepni mundësinë të flas për lidhjen time me Kinën, që është forcuar nga viti në vit. Filmin e parë në Kinë e kam xhiruar në vitin 1974, kur isha vetëm 25 vjeç dhe përkoi me 25 vjetorin e Republikës Popullore të Kinës, me të cilën jam bashkëmoshatar. Isha regjizori i dytë evropian që vizitonte Kinën në atë periudhë, pas italianit Michelangelo Antonioni, i cili në filmin e tij nuk e kishte pasqyruar realisht Kinën. Filmi im pati 3 seri me nga 45 minuta dhe për realizimin e tij vizituam 15 provinca të Kinës, Në qendër të filmit ishte realiteti, përpjekjet e popullit për ngritjen e atyre themeleve, që sollën ndryshimin e mahnitshëm të Kinës.
CMG: Kur shkuat më pas në Kinë?
Ylli Pepo: Vizita e radhës ishte në vitin 2007 kur gjithçka kishte ndryshuar . Unë shpesh them se të pandryshuar në Kinë kanë mbetur vetëm Muri i Madh dhe Sheshi Tiananmen. Kishte ndryshuar pamja e qyteteve, por dhe përditshmëria e kinezëve, si dhe mentaliteti i tyre.
CMG:Ju keni realizuar 10 filma dokumentarë për Kinën, si skenarist dhe regjizor. Dihet se nuk është e lehtë që një kineast i huaj ta kryejë këtë financiarisht. Ju si e keni realizuar?
Ylli Pepo: E kam realizuar me paraqitje projektesh. Çdo vend i botës ofron projekte. Konkretisht filmat e mi janë bërë të mundur me financimin dhe mbështetjen e plotë të palës kineze. Disa prej filmave janë realizuar dhe në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit mes RTSH-së dhe institucionit homolog kinez. Ndërsa për dokumentarët e tjerë kam aplikuar dhe projektet e mia kanë fituar kështu që jam mbështetur jo vetëm financiarisht, por dhe organizativisht me njerëz, udhëtimin dhe qëndrimin në Kinë.
CMG: Ju keni një marrëdhënie të mirë bashkëpunimi profesional por dhe miqësor me seksionin shqip të Radios Ejani, pranë China Media Group. Si e vlerësoni këtë bashkëpunim?
Ylli Pepo: Më vjen mirë që ma bëni këtë pyetje sepse gjej rast të kujtoj miqtë e mi të kësaj radioje. Falenderoj drejtoren e këtij seksioni Verën, me të cilën bashkëpunuam gjatë për dokumentarin e parafundit, kushtuar nismës kineze “Një brez, një rrugë”. Përveç përzemërsisë dhe ndihmës së jashtëzakonëshme që më dhanë dua të kujtoj profesionalizmin e lartë të tyre, që ka shërbyer si një shkollë për ne. Sepse njeriu mëson në çdo moshë, nëse ai dëshiron. Besoj se ky ishte filmi më i mirë dokumentar që kam realizuar për Kinën, pasi edhe u vlerësua.
CMG: Cilat janë temat e trajtuara në 10 filmat tuaj dokumentarë kushtuar Kinës.
Ylli Pepo: Në përgjithësi temat kanë qenë të lidhura me aktualitetin, sepse detyra e filmit dokumentar është që të tregojë të përditëshmen, ndaj dhe temat burojnë nga aktualiteti. Një nga filmat i kushtohet traditës dhe të resë. Titulli i filmit është “Muri dhe Ura”. Në kuptimin simbolik muri ndan, ndërsa ura bashkon. Kina ndërton ura vazhdimisht. Madje e vizituam urën më të gjatë në botë prej 55 km, e cila lidh rajonet Zhuhai-Hong Kong-Makao. Kjo metaforë mua më ka pëlqyer gjithmonë. Kina me rrugën e saj të hapjes dhe reformave është bërë një nga faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit dhe të jetës politike, ekonomike dhe kulturore në botë.
CMG: Sapo jeni kthyer nga Kina. Pas çdo kthimi tuajin nga Kina ju sillni dhe një film të ri dokumentar. Duam të mësojmë për filmin tuaj më të ri.
Ylli Pepo: Sapo kemi mbaruar xhirimet sepse realizimi ka nevojë për post-produksion, montazh, spiker dhe elemente të tjera filmike. Filmi i kushtohet 70 vjetorit të krijimit të Republikës Popullore të Kinës dhe pritet të transmetohet më 30 shtator në prag të kësaj feste. Synimi ynë ka qenë që të tregojmë edhe aspekte të tjera të Kinës, siç është turizmi. Ne vizituam provincën Jiangxi e cila njihet si “Zvicra e Kinës”. Të them të drejtën, meqë e kam vizituar disa herë Zvicrën, ajo e Kinës ja kishte kaluar si në infrastrukturë apo menaxhimin e turizmit, numrin e turistëve. Mbetëm të habitur kur vizituan fshatrat turistikë të kësaj province, resortet apo agroturizmat, një term që po përdoret shpesh dhe në Shqipëri. Mendoj se kush do të shohë filmin tim do t’i shërbejë si eksperiencë për ta zhvilluar dhe ne.
Kina sjell modele dhe këto modele për një vend si i yni ndikojnë për mirë, pasi modelet e Kinës kanë qenë të suksesshme edhe në vende të tjera.
CMG: Si jeni ndjerë gjatë 10 eksperiencave tuaja në Kinë ? Cfarë ju ka bërë përshypje përveç asaj që keni fokusuar në kamerën tuaj?
Ylli Pepo: Një përshtypje të jashtëzakonëshme më ka bërë sjellja e kinezëve ndaj të huajve, dashamirësia dhe kujdesi i tyre .Edhe njeriu më i thjeshtë sillet me dashamirësi dhe të bën të ndjehesh në vendin tënd. Gjithmonë më ka ndodhur kjo dhe e çmoj shumë. Eshtë mjaft bukur që njeriu 10 mijë kilometra larg të ndjehet si në shtëpinë e tij.
Eda Merepeza