URË, MOJ E ZEZA URË, SA VJET KE QË JE PA BURRË
Petrit Ruka
Tim ati murator që ndërtoi tërë jetën mure dhe ura.
1.
Tre pleq muratorë, me leshrat gëlqere,
Këndojnë në muzg pranë lumit,
Qan kënga e tyre nën ison prej ere,
Dhe ura që zgjohet prej gjumit…
Një këmbë e një hark të prishur të saj
Gjithë ditën kanë ndrequr të tre,
Pranë zjarrit po presin që nata të vij
Dhe nesër t’ia nisin me nge…
Ca kocka gruaje gjetur në mur
Ndrijnë pranë zjarrit mbi thes,
Me ta do të flejë sot gruaja-urë,
Do muroset prapë në mëngjes…
Kokën si plumb, rënë në mejtime,
“Nga zbriti dikur kjo grua si zanë?”
Bukën në dorë, gjirin me qumësht
Për beben e saj që ende po qan.
Secili sheh dasmën e tij si në ëndërr
Nusen e tij tek zbret në ca brigje,
Të largojnë mornicat akull në zemër
Këngës ia marrin me ngut e me ligje…
2.
Urë, moj e zeza urë,
Sa vjet ke që je pa burrë,
Sa vjet ke që fle me gurë,
Plasur koka mur më mur…
Sa vjet kanë që qajnë pas ere
Sytë e plasur në gëlqere,
Tek kërkojnë t’i vijë në gji
Djalë i vogël çilimí.
Sa vjet ka që gjiri- brumë,
Pikon qumështin në lumë,
Sa u bë i bardhë, shkumë,
Të marr bebja një sy gjumë.
Sa kohë ke që mban mbi supe
Paja nusesh me sënduqe,
Krushq e qerre me dasmorë,
Kësolltarë në shi a borë?
Urë moj, e zeza grua,
Ç’dimra mban thua më thua,
Ngrohu sot një natë me ne
nesër shko ku fatin ke…
Por përpara se të flëmë,
A s’na thua një fjalë, o gjëmë,
Burrin tënd a e ke falë
Në të vdekur e të gjallë?
3.
Si e lanë shpirtin me këngë,
Muratorët ranë të flënë,
Dhe kur vonë e mbyllën sy’në
Folën kockat, si fyej frymë…
“O vëllezër ustallarë,
Më fisnikët ndër shqiptarë,
Urën, ku unë u flijova,
Natën e parë e mallkova.
Siç po dridhem unë nën gurë,
U dredhç edhe ti, moj urë,…
Kur të shkoj karvani net’ve
A një milingonë e vetme.
Kur të shkojë qerrja me gurë,
Kur të bjerë një kokërr grurë,
Kur të shkojë rrufeja qiellit,
Re e bardhë, shami e diellit.
Që atëherë urat dridhen,
Dhe dy zogj mbi të të sillen
Se mallkim i parë nuk hiqet,
Është si helmi që veç piqet…
Po që kur u ndjeva urë,
Me dy harqe dhe pa burrë,
Fala çfarë nuk falet kurrë,
Falur qofshin gur më gurë.
Se jam nënë e se jam grua,
Se jam ara, se jam krua,
Se jam fara në përpjekje
E mbij jetën dhe në vdekje.
Se jam urë e njerëzimit,
Se jam tempulli flijimit,
Se nga dy sisët e mia,
Pi e ngopet Perëndia.
Në të dy harqet e gjirit
Kalon burri, i flet birit,
Më bëjnë hënë të plotë, me hark
Çiliminjtë që rris në bark…
Ndaj kalo, moj jetë, tek unë
Rridh nën mua Vjosë e Bunë,
Vjosë e Bunë e Bunë e Vjosë,
Udhë e jetë të mos sos…
4.
Atje tek ura në lumë
Muratorët bëjnë një urë,
Është im atë me llaç e gurë,
Unë me fjalët një grusht grurë…
Nën tri harqet e baladës
Murator në mes të natës,
Do të bjerë apo do rrojë,
Urë e fjalës – shpirt e bojë.
Sidoqoftë kalo e hidhe,
Mos u tremb, po ndjeve dridhje,
Poshtë jam unë, shpirt i pasosur,
As i gjallë, as i murosur…
Tiranë, janar-prill 2019.