Koço Kokëdhima: Gjithçka për tepsinë dhe timonin
Rilindja i bëri votimet e 30 qershorit. Synimet e saj, si në farsën zgjedhore të 25 qershorit 2017, ishin vetëm tepsia dhe timoni. I arriti, madje pa i ndarë me askënd.
Pamjet tragji-komike me bravandreqës që thyejnë dyer bashkish, deri dje të djathta, për të futur brenda fituesin pa rivalë të Rilindjes, pas Devollit u përsëritën në Kavajë dhe do të jenë telenovela pa surpriza në të gjitha bashkitë që deri më sot mbahen me kyçe nga PD apo LSI.
Duket se rilindasve të rinj të pushtetit vendor u ‘hanë duart’ për punë dhe prandaj kryetari i ri i Devollit shkoi të hënën në zyrë që në orën 06.30 (!) ndërsa ky i Kavajës që në 07.45!
Është e faktuar se makutëria dhe hajdutëria e kryebashiakëve të katër viteve të shkuara sabotoi edhe reformën e rëndësishme të ndarjes së re territoriale. Një raport i KLSH-së, i disa muajve më parë, tregoi se ajo nuk çoi në konsolidimin fiskal, rritjen e të ardhurave dhe eficiencën e shpenzimeve. Pushteti vendor rriti vetëm vlerën e rreth 20 lloje taksash dhe tarifash, por jo ofrimin e shërbimeve. Ndërsa një raport i hartuar nga Shoqata e Bashkive konstatoi se reforma shtoi shpenzimet e bashkive dhe numrin e nëpunësve bashkiakë me 50 për qind, por uli shërbimet ndaj qytetarëve.
Duke kopjuar çdo të keqe të qeverisjes qendrore, bashkitë e majta dhe të djathta u kthyen në makineri tenderash korruptivë. Sipas “Open Procurement Albania”, deri në 7 maj 2019, 61 bashkitë e vendit shpallën tenderime me vlerë 15.8 miliardë lekë, 6.24 miliardë lekë më shumë se të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një pjesë e tyre ishin me ‘flamur të kuq’, për shkak të risqeve të larta, parregullsive dhe problematikave në garë, siç ndodhi në Tiranë, Shkodër dhe Kamëz. Në këtë paradë tenderash korruptivë nuk kishte si të mos kryesonte Tirana e cila në 4 muajt e parë të vitit 2019, tenderoi më shumë se të gjitha bashkitë e tjera të vendit.
Harxhimi i qindra milionë eurove për tendera korruptivë u shoqërua edhe me rritjen e taksave dhe të tarifave vendore për familjarët dhe bizneset. Shumica e bashkive rritën çmimet e ujit të pijshëm, edhe pse furnizuan abonentët me më pak ujë. Nga Tirana deri në bashkitë më periferike, ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve u përdorën për të gjobitur qytetarët, për të bërë korrupsion dhe vende punësimi për militantët.
Por kjo nuk i pengoi ato të jepnin me qindra leje ndërtimi. Shembulli më domethënës dhe më akuzues është Erjon Veliaj, i cili, katër vite pasi u mori votat qytetarëve të Tiranës me premtimin “zero ndërtime”, lejoi të ndërtohet edhe mbi parqe. Një vit më parë, në Tiranë u dhanë 388 leje ndërtimi, për një sipërfaqe prej 940 mijë metrash katror, nga 521 mijë metra katrorë në vitin 2017.
Edi Rama thotë sot se sheh vetëm dy kulla në Tiranë, ato të ndërtuara para 10 vitesh, por jo këto që kanë mbirë në çdo cep, nga qendra në periferi. Ndjehet krenar se në vitin 2018 bashkia arkëtoi 52 milionë euro, nga rritja e taksave për ndërtuesit, të cilët e kanë trasferuar rritjen e detyrimeve te çmimi i shitjes së apartamenteve dhe zyrave deri në 40 për qind. Por veç ndërtuesve, Veliaj po ua merr shpirtin famlijarëve dhe bizneseve me ‘Tarifën e pastrimit”, “Taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, “Taksën e përkohshme të infrastrukturës”, “Tarifën për parkimin e automjeteve”, ‘Për zënien e hapësirave publike’ etj, që e kanë bërë Tiranën ndër kryeqytetet më të shrenjtë të Europës për banorët e saj të përhershëm, në raport me të ardhurat e tyre.
Kjo është filozofia e tepsisë: mbyt me taksa, tarifa dhe gjoba, mos afro asnjë shërbim bazë shtetëror dhe devijoi ato me skema tërësisht korruptive te privati që merr buxhetin përmes PPP-ve dhe koncesioneve. Një skemë hajdutërie që nisi nga qeverisja qendrore dhe përfundon te bashkitë e falimentuara të një vendi të kapur nga një bandë në pushtet, që e ka kthyer në ves paranë dhe pushtetin, tepsinë dhe timonin.