Dominique Moisi: A është Von Der Leyen liderja që i nevojitet Europës?
Charles de Gaulle kishte “një ide të caktuar për Francën”. Por a ka Ursula von der Leyen, presidentja e ardhshme e Komisionit Europian, një ide të caktuar për Europën, siç kishte Jacques Delors kur mori postin më të lartë të Bashkimit Europian?
Ndoshta kjo është një pyetje e padrejtë dhe e pavend. Në fund të fundit, vetë këndvështrimi i Delors për Europën evoluoi me kalimin e kohës. Dhe në përgjithësi, politikat e Europës (dhe për pasojë politikanët e saj) janë bërë më pragmatike dhe më pak idealiste në gjysmën e shekullit që nga vdekja e de Gaulle. Politikanët në ditët e sotme janë (në rastin më të mirë) bërës ambiciozë dhe, shumë shpesh, mbijetues finokë. Megjithatë, presidentja e ardhshme e Komisionit do të marrë detyrën e saj në një kohë kur Europa ka më shumë nevojë për një lider vizionar sesa thjesht për një person që bën marrëveshje.
Von der Leyen nuk është aspak një zgjedhje e keqe. Ajo do të jetë gruaja e parë që do të mbajë postin më të lartë të BE-së, dhe e para gjermane që e merr këtë post që nga Ëalter Hallstein në fund të viteve 1950 dhe 1960, kur integrimi europian ishte në fillimet e tij. Për më tepër, von der Leyen është pa dyshim pro-Europian dhe atlanticiste. Dhe si një ish-ministre gjermane e mbrojtjes, ajo i njeh mirë problemet kritike të sigurisë me të cilat përballet Europa.
Me fjalë të tjera, von der Leyen përmbush pjesën më të madhe të kritereve të nevojshme, edhe nëse nominimi i saj ishte rezultat i një sërë kompromisesh komplekse. Megjithatë, krahas ndjenjës së përgjithshme të lehtësimit që liderët e BE-së arritën të binin dakord për një kandidat, mbetet ende një dyshim nëse Europa do të ketë vërtet personin më të mirë – dhe ekipin – në krye të saj.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë shpesh, si publikisht ashtu edhe privatisht, se cilësia duhet të jetë kriteri i vetëm për zgjedhjen e liderëve të Europës, me kombësinë apo përkatësinë politike të një rëndësie dytësore. Megjithatë, për një kohë të gjatë, Europa i ka zgjedhur udhëheqësit e saj kryesisht bazuar në kufizimet e tyre – jo më pak se liderët kombëtarë donin të siguroheshin se nuk kishin rivalë në Bruksel.
Nga José Manuel Barroso – një njeri i spikatur kryesisht për aftësinë e tij unike për të mos thënë asgjë në dhjetë gjuhë – deri te Jean-Claude Juncker, posti më i lartë i Europës është zënë nga liderë tepër të zakonshëm. Ky deficit në lidership ka e ka dëmtuar keqazi BE-në duke forcuar një ndjenjë në rritje të tjetërsimit midis qytetarëve të kontinentit dhe elitave të tij. Me Europën që tani përballet me sfida të mëdha të jashtme dhe të brendshme, nga ngritja e Kinës deri te përhapja e populizmit, ajo më në fund duhet të ndryshojë metodë dhe të fillojë t’i zgjedhë liderët e saj bazuar në meritat e tyre.
Macron, nga ana e tij, fillimisht nuk e mbajti aspak sekret vlerësimin e tij të madh për një tjetër presidente të mundshme të Komisionit Europian: Margrethe Vestager e Danimarkës. Si komisionere e konkurrencës në BE, Vestager ka zbatuar me sukses rregullat e konkurrencës së bllokut kundër gjigandëve të teknologjisë amerikane dhe sulmet verbale të presidentit amerikan Donald Trump ndaj saj e kanë rritur akoma më shumë popullaritetin e saj midis europianëve.
Por tani i takon von der Leyen të bëjë një shkëputje të qartë nga mediokriteti zhgënjyes i liderëve të fundit të BE-së. Sidomos përsa i takon çështjeve ekonomike, fjalimi i saj në Parlamentin Europian ishte pa dyshim bindës, duke kombinuar kohezionin dhe qartësinë në dëshirën e saj për të kaluar drejt një bote pa emetime karboni. Ajo është gjithashtu një lojtare politike serioze. Shumë në Gjermani besojnë se ajo e shihte ministrinë e mbrojtjes si një trampolinë drejt realizimit të ambicies së saj të vërtetë: të bëhej kancelare.
Megjithatë, shumë vëzhgues europianë, përfshirë edhe mua, akoma pyesin veten nëse von der Leyen ka kombinimin e duhur të karizmës, qëndrueshmërisë, rezistencës dhe shpikjes politike për të qenë liderja që i duhet Europës. Si fillim, Parlamenti Europian thellësisht i ndarë ka gjasa të jetë shumë më i vështirë për t’u mbledhur dhe menaxhuar sesa të tjerët para tij.
Për më tepër, edhe presidentja më karizmatik i Komisionit Europian mund ta ketë të vështirë të tejkalojë tensionet dhe kontradiktat që sjell kjo detyrë. Von der Leyen do të duhet të ruajë besimin e liderëve kombëtarë që e nominuan atë, pa u dukur si zëdhënësja e tyre. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të fitojë besimin e Parlamentit Europian, i cili e konfirmoi atë si presidente vetëm me një diferencë të ngushtë votash. Mbi të gjitha, ajo duhet të jetë fytyra njerëzore e një burokracie kryesisht anonime të BE-së dhe, si e tillë, të flasë drejtpërdrejt dhe bindshëm me europianët.
Kjo mund të tingëllojë si një detyrë e pamundur për disa, por është më e rëndësishme se kurrë. Kur himni europian, “Ode to Joy” i Beethoven, u luajt në seancën hapëse të parlamentit të ri në fillim të këtij muaji, eurodeputetët nga Partia Brexit e Mbretërisë së Bashkuar kthyen shpinën, ndërsa anëtarët e partisë Fronti Kombëtar të Marine Le Pen zgjodhën të qëndronin ulur.
Fakti që një barbarizëm i tillë në zemër të BE-së po bëhet gati banal e bën zgjedhjen e presidentit të Komisionit akoma më të rëndësishme. Le të shpresojmë që von der Leyen i ka mashtruar skeptikët dhe se ajo është vërtet liderja që i duhet dhe meriton Europa./Project Syndicate/