Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA vendosin në listën e zezë ministrin e Jashtëm të Iranit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj kryediplomatit të Iranit, Mohammad Javad Zarif, bëri të ditur Zyra e Kontrollit të Pasurive të Jashtme në Departamentin e Thesarit.
“Pak kohë më parë, Presidenti Trump sanksionoi Udhëheqësin Suprem Iranian, për arsye se është pasuruar në kurriz të popullit iranian. Sot, SHBA ka listuar edhe kryeapologjistin e tij, Javad Zarif. Ai nuk është gjë tjetër përveçse bashkëfajtor në sjelljen prej cubi të regjimit të tij ashtu si pjesa tjetër e mafies së Khameinit”, shkroi në rrjetin social Tuitër, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.
Kjo lëvizje nga SHBA shënon një përshkallëzim të tensioneve mes dy vendeve, ndonëse Presidenti Trump ka thënë se është gati të bisedojë nëse udhëheqësit iranianë dëshmojnë vullnet për të ndryshuar sjellje.
Ajatollah Ali Khameini, diktatori i regjimit fetar të Iranit nuk para udhëton jashtë vendit, por ministri i Jashtëm, Zarif është shumë aktiv dhe pritej të vinte në SHBA, në Nju Jork, me rastin e mbledhjes së Asamblesë së OKB-së në shtator.
Çdo llogari bankare e tij jashtë vendit tani mund të konfiskohet nga Departamenti i Thesarit.
Vitin e kaluar, Presidenti Trump anulloi marrëveshjen shumëpalëshe për armët bërthamore me Iranin, duke deklaruar se regjimi iranian e ka shkelur marrëveshjen e cila edhe ashtu ishte tepër favorizuese për një regjim të cilit nuk mund t’i besosh.
Ka një rritje të frikës së konflikti mes dy vendeve mund të sjellë një luftë të re në Gjirin Persik. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: