Albspirit

Media/News/Publishing

Zhaneta Barxhaj: Një grusht njerëzish!

 

Ndryshimi mes pushtimit dhe pavarësisë për t’u vetëqeverisur është shumë i thjesht: Pushtuesi nëse të mund, urdhëron dhe bën ç’të dojë pa pyetur fare për të drejtat e tua, ndërsa vetëqeverisja zgjidhet prej teje dhe duhet të zbatojë deri më një të drejtat e tua dhe kufijtë territorialë të shtetit. Se në çfarë sistemi bëjmë pjesë në këto 80 vjet, sociologët duhet të hartojnë një të ri, se nuk ka asnjë literaturë botërore t’i vëri emër këtij kaçamaku!

E në fakt këtë mëmëlig të hidhur për historinë tonë, kanë mundur ta zbusin me vaj e sherbet, duke i shpëtuar zëfrymën atdheut vetëm ata që e kanë dashur atë në shekuj. Burrat e urtë e luftëtarë i mbrojtën krahët e këmbët me sa mundën me një dashuri sublime. Edhe pse krahët ua prenë dhe u mbetën jashtë, ata e shpëtuan trupin e atdheut dhe na i lanë ne si dhuratë Amaneti!

Por, ishte edhe një grusht njerëzish, të cilëve u kemi borxh gjakun e derdhur, ata që edhe pse ishin minorancë, dijetarët, fetarët, shkrimtarët, poetët, gjuhëtarët, mësuesit… mbajtën gjallë shpirtin, frymën dhe kujtesën e këtij trupatdheu. Janë ata që luftuan pēr të ruajtur gjuhën, për të ruajtur artin e këngës, të pikturës e çdo trashëgimi kulturore e folklorike…Janë ajo pakicë e popullsisë që mbajti frymën dhe ndezi shkëndijat e dashurisë për atdheun dhe pavarësinë, në çdo moment kur njerëzit të rraskapitur e në mjerim binin në gjumë.

Ky grusht njerëzish pra, ka qenë palca e çdo kombi kudo në Europë. Ka qenë ajo që ka çuar përpara kulturën e një vendi. Nëse nuk do ekzistonte kjo pakicë asnjë kalorës, asnjë strateg, asnjë fuqi e armatosur e politike nuk do ta shpëtonte dot shpirtin dhe identitetin e një kombi. Kur kjo pakicë pushon së dashuri kulturën, identitetin dhe vendin, kombi çshtë në rrezik zhdukjeje. Kur kjo pakicë nuk do ndjejë më që vendi është i tij dhe ka të drejtën sublime ta mbrojë në çdo cm tokë, ta bëj të jetueshëm dhe të trashëgueshëm për brezat, të mbrojë identitetin kulturor në të gjitha fushat etj… atëherë vendi është braktisur dhe dorëzuar në duart e abuzuesve e vjedhësve.

Po e mendoja rëndësinë e kësaj pakice, nxitur nga një bisedë e bërë me artistë dhe tregtarë të nderuar. Ajo që më trishtoi ish se nuk kish më dallim mes mendimit të tyre. Llogjika ekonomike e tregtarit apo e oligarkut është fitimi, përtej çdo gjëje dhe parimi. E shumë shpesh falë ambicies së tyre sjellin shumë përfitime dhe çojnë përpara ekonominë. Por, artisti, intelektuali duhet të jetë gjithmonë ana tjetër e monedhës, për t’i vënë disa kufij fitimeve. Kështu nuk do ta lejojë të shkeli mbi kujtesën historike dhe të zhdukë monumentet arkeologjike, duke i betonizuar. Ta drejtojë zhvillimin e tij në një vend që vërtet të ndërtojë e jo të shkatërrojë. Nuk duhet të lejojë deformimin e kurikulave shkollore, gjuhën, historinë, duke dëmtuar brezat e ardhshëm në emër të fitimit tregëtar.

Nuk duhet të lejojë zaptimin e pronës publike, që na takon tē gjithëve për qëllime korruptive. Dhe kush më mirë se artisti se intelektuali duhet të ketë vetëdijen se vendi është i joni, prona publike i përket njësoj si shtëpia e vetë çdo qytetari. Dhe që kjo monedhë të jetë e vlefshme, të jetë europiane dhe të zhvillohet, të dyja këto anë duhet të bashkëpunojnë sëbashku me dashuri për këtë vend.

Ndaj ndiej një dhimbje kur i shoh në të njëjtin krah, duke bërë pakësimin e asaj pakice palcore të vendit, deri në shuarje…. Dhe nëse ndodh kjo, ky komb do shkombëtarizohet dhe asimilohet nën beton njësoj si Rozafa, por pa asnjë sy, dorë e gji pēr të mëkuar shpresën e së nesërmes… Mos na lëntë zoti pa këtë grusht njerëzish…! Amen!

P.s.: Shprehjet indiferente ç’më duhet mua të bëjnē ç’të duan… apo gjykimi i të tjerëve pa i mbështetur dhe pa u thelluar në thelbin e gjësë…është këmbana e alarmit, që ky komb po vdes nën moton shekullore përça e sundo…

Please follow and like us: