Cikël poetik nga Sinan Kërpaçi
Nesër nuk do votoj për një president
që si Alende do vrasë veten te Gjoli
dhe mua do më vijë shumë keq pastaj.
Mos më kërkoni të qaj!
Nesër nuk do votoj për një kryeministër
që na lodhi me batuta dhe fjalë
sot e një jetë.
Të dalë ku të dalë!
Nesër nuk do votoj për opozitën
në zvarritje me “molotovë” dhe “filxhanë”
që se ku shkon këto kohë s`e di as vetë.
Kuturu a udhë e mbare?!
Nesër unë jam i përgjegjshëm për votën
me devizën e amerikanit të madh
Uollt Uitman:
“Do ta bëj kontinentin Një të pandarë
me dashurinë e shokëve”.
Qershor 2019.
I tregoj Qafën
Unë dhe deti tani jemi bashkë
tek ai vendi që njerëzit
thonë se është magji.
Një orë para se ta takoja
e pashë nga Qafa që lart,
dhe tani është ai që e ka fjalën,
kur u bind se u afrua te bregu
për të më takuar nga afër.
Po unë vazhdoj dhe i tregoj Qafën,
Llogoranë nga e pashë.
Borsh, 2. 8. 2019.
Vajtim, o atdhe!
Vajtova për atë:
u ngjite herët në shtyllë, shumë herët
pa e pritur edhe një mëngjes,
pa e pirë filxhanin e zi të kafesë
te “Rruga pa rrugë”, te dominotë mbi pllakë guri.
Vajtova për veten:
Ikim të varfër një nga një dhe mbërrijmë te varri,
te radha e lopatës dorë më dorë,
te radha e një bishti të gjatë që na mbulon me dhe`,
me dhe` nga toka që s`qe jona.
Vajtoj për të tjerët:
Për meritat tuaja unë duhet të flas
duke gëlltitur me dhimbje lotët e varfërisë –
afishe e grisur nga era që fryn:
tre përqind në vendin tim investojnë paratë
që nëntëdhjeteshtatë të varen në shtyllë.
Parfum
Me aromë mali,
me aromë Joni,
me aromë Borshi
dhe aromë bliri
nga rruga “Bardhyl”
do përgatit një parfum
për dashurinë
me dedikimin në filigran:
për “Kokrrën e Majës”
nga kacavjerrësi i pemëve.