Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Jemi bërë fqinjë grua

Fotografia e Ilir Levonja

Jemi bërë fqinjë grua,
fqinjë të heshtur.
më lë në gjumë, 
të gjej në gjumë.
Komunikojmë në fejsbuk e
me copa letre,
i ngjisim në derën e frigoriferit.
Gjellën e ke gati në furrën e sobës,
ka kripë s’ka kripë nuk e di,
nuk kisha kohë ta provoja:
vëre edhe një herë lavatriçen e
mos harro të paguash kredinë,
kujto djalin të bëj detyrat.
Të shtunën që vjen je pushim, e shoh,
unë jam të dielën çuditërisht.
Atëhere nga e diela që vjen do të të shkruaj,
sikur të ulemi në një kafe tip Europë
përjashta nën një çadër të madhe, si thua?
Unë edhe ti. Se që tani po e shoh veten vetëm
me dy kupa nga ato prej letre dhe dy korrosanë
me reçel pjeshke që aq shumë të pëlqejnë.
Dy orë prita edhe pse e dija që ti nuk do vije
por ama me veten nuk u llafosa hiç, ta dish:
(edhe pse për të tjerët po flisja me zë)
dy orë të prita pa një psherëtimë
aq sa një i huaj më mori për statujë e
nuk përtoi të bënte një selfie me mua.
Tani e dashur grua po shkoj të fle
por pa harruar që me një copë letre të të kujtoj,
të lutem hyr pa u ndjerë,
mos i ndiz dritat,
lahu, fshiu dhe po tu hëngërt
ha në terr.

Please follow and like us: