Tefta Sala: E di…
E di që të duhen mbrëmjeve
siç më duhesh.
Ashtu siç i duhet syrit drita.
Vjen pas meje si një dem i uritur
për të kuqen,
e nuk tutesh pa më shtënë nën duart e tua
si pranga të florinjta.
E di që më ndjek mbrëmjeve me sy si një tigër
i dashuruar pas mishit aromëfreskët,
e unë fshihem kot pas çarçafëve të trazuar.
Sepse në çast detet brenda nesh rrebelohen
nga stuhia.
Më pas nuk ka ndroje, as drita ndezur,
ka vetëm puthje yje,që digjen etshëm
nga dashuria.
Please follow and like us: